Prishtinë, 21 gusht – Kuvendi i Kosovës sot edhe zyrtarisht e konvokoi seancën për nesër, në rend dite të së cilës është votimi për shpërbërje të Shtëpisë ligjvënëse, me çka hapet rruga për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen në vjeshtë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Para votimit për vetëshpërbërje të përbërjes së gjashtë parlamentare të Kosovës, si pikë e parë në rend dite për seancën e nesërme, të caktuar në ora 10 është ratifikimi i marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shfrytëzimin e mjeteve të IPA fondeve.
Pas dorëheqjes, para më shumë se një muaji, të kryeministrit, Ramush Haradinaj, partitë parlamentare të Kosovës edhe nga pushteti edhe nga opozita, arritën marrëveshje që më 22 gusht, nesër, Kuvendi të shpërbëhet, pas së cilës presidenti i shtetit, Hashim Thaçi do të duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas paralajmërimeve, data për mbajtjen e zgjedhjeve, për të cili tek subjektet politike ekziston konsensus, është 6 tetori, por nuk përjashtohet të mbahen edhe një javë më herët, gjegjësisht më 29 shtator. Afati ligjor për mbajtje të zgjedhjeve është 30 deri 45 ditë nga dita e shpërbërjes së parlamentit.