Kavadar, 12 dhjetor – Pa ushqim tashmë tre dit është Konvikti i nxënësve të shkollës së mesme të cilët nga vende të tjera të Maqedonisë mësojnë në Kavadar, reagojnë të afërmit e tyre.
“Sipas informacioneve tona, konvikti i nxënësve ka pasur borxhe për ushqim prej 150 mijë denarësh, kështu që furnizuesi i ushqimit ka refuzuar që të sjellë ushqim për konviktorët, derisa nuk i paguhet ky borxh. Nga Ministria e Arsimit nuk është paguar participim për nëntorin dhe dhjetorin”, sqarojnë ata.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, informojnë për MIA-n se për shkak të ribalancit, e domosdoshme ka qenë që të bëhen edhe ndryshime në programet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, midis të cilave edhe Programin për standardin e nxënësve, përmes të cilit paguhen mjetet për financimin e punës së konvikteve të nxënësve. Pa ndryshimin e programeve, pagesat nuk mund të bëhen.
Ndryshimi i Programit për standardin e nxënësve është miratuar dhe dje është shpallur në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë, dhe menjëherë ka filluar edhe procedura për transferimin e mjeteve në konviktet e nxënësve, që presin të përfundojnë plotësisht për disa ditë.
Kjo nënkupton, që në pajtim me mundësitë do të mund të realizohen kërkesat e konvikteve lidhur me sigurimin e mjeteve shtesë, për mbulimin e shpenzimeve të mbetura apo edhe vijuese, në interes të sigurimit të vazhdueshëm të kushteve optimale për akomodim, qëndrim dhe edukim të nxënësve që i përdorin shërbimet e kapaciteteve shtetërore akomoduese.
Në konviktin në Kavadar janë akomoduar mbi 50 fëmijë nga e gjithë Maqedonia, të cilët shkollohen në tre sholla të mesme të këtij qyteti.