Drejtoresha Sulejmani ka bërë të ditur se periudha e pandemisë u ka dhënë shumë mundësi që të bëjnë ndërhyrje pasi që kanë patur mundësi që të kursejnë mjete.Momentalisht në këtë konvikt janë të sistemuar 160 nxënës, ndërsa kapaciteti është mbi 300
Urim HASIPI
Gostivar, 18 nëntor -Vazhdon përmirësimi i kushteve të konviktit shtetëror për nxënësit në Gostivar. Drejtuesit e këtij institucioni theksojnë se punët që janë filluar vazhdojnë të zhvillohen me dinamikë të njejtë sikurse edhe vitin e kaluar. Gjatë periudhës së kaluar është punuar në përmirësimin e kushteve në pjesën e vajzave të konviktit, ndërsa tashmë po punohet edhe në pjesën e djemve. Drejtoresha e konviktit në Gostivar Lindihana Sallai Sulejmani, thotë se tashmë pjesa e vajzave karakterizohet me dhoma të lyera, me mobilje të reja, shtrimi me llaminat, dyer dhe dritare të reja, banjo të rikostruara në të dy katet, leximore, sallë seminaresh, sallë për ping – pong, mini-kinotekë dhe kështu me radhë. “Gjatë periudhës së verës vazhduam me rikostruimin e tërësishëm të repartit të djemve që ka gjithsej 5 kate, ku është bërë lyerja e 60 dhomave, gërryerja e murreve të lagështa dhe mykosura, janë lyer të njejtat, janë ndërruar dyert dhe dritaret dhe tani vijon rikostruimi i katër kateve, toaletet dhe banjot, që përfshinë 16 banjo dhe toalete të reja, bëhet shtruarja e koridorreve me pllaka porcelani diku rreth 900 metar katrorë dhe me këtë përmbyllet rikostruimi i tërësishëm i infrastrukturës së brendshme të konviktit. Poashtu fillojmë edhe me rregullimin edhe të sheshit në oborrin e konviktit” tha drejtoresha Sulejmani. Ky konvikt financohet nga buxheti qendror dhe në bazë të numrit të nxënësve ndahen mjete në nivel vjetor. Drejtoresha nënvizon se me vullnet dhe dëshirë mund të punohet sidomos në menaxhimin më të mirë të financave prandaj edhe është arritur që të bëhen punë nga buxheti vetanak. “Në nivel vjetor buxheti për konviktin në Gostivar është afër 200 mijë euro ku përfshihen rrogat e puntorëve, ushqimi i nxënësve që qëndrojnë në këtë konvikt, tre herë në ditë, qëndrimi i tyre është falas në konvikt, kuptohet që ata duhet të jenë nxënës në ndonjë nga shkollat e mesme të qytetit të Gostivarit dhe të jenë nga ndonjë qytetet tjetër. Nga ky buxhet që ndahet jemi munduar që në mënyrë racionale të ndajmë edhe mjete për punë në aspektin infrastrukturor. Tërë këta punë janë bërë pa përkrahje nga buxheti qendror por ne mund të themi se kemi bërë një konvikt model sin ë shtet poashtu edhe jashtë”, thekson ajo. Ndërkaq, edhe pse ka nevojë për punësime të puntorëve teknik dhe të higjienës. Edhe pse kërkesa është bërë megjithatë nuk ka hasur në mirëkuptim nga niveli qendror dhe momentalisht për tërë këtë objekt kujdesen dy puntorë të mirëmbajtjes së pastërtisë. Kësisoj, konvikti shtetëror i nxënësve në Gostivar ka pësuar ndryshim rrënjësor, ku nga investimet është prekur çdo hapësirë brenda që shfrytëzohet nga nxënësit e shkollave të mesme. Drejtoresha Sulejmani ka bërë të ditur se periudha e pandemisë u ka dhënë shumë mundësi që të bëjnë ndërhyrje pasi që kanë patur mundësi që të kursejnë mjete. Momentalisht në këtë konvikt janë të sistemuar 160 nxënës, ndërsa kapaciteti është mbi 300.