Konventë parazgjedhore e BDI-së në Gostivar

Në konventën e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për promovimin e kandidatëve për kryetar dhe këshilltarë të komunës së Gostivarit, mbrëmë Nevzat Bejta tha se pas përmirësimeve, tani projekti i përbashkët është Gostivari i Nesërm. “Së bashku, kemi ndërtuar ura që na bashkojnë! Kemi rregulluar rrugë! Kemi bërë qytetin nga themeli duke përmirësuar kanalizimet. Kemi ndryshuar pamjen e fshatrave. Kemi pastruar dhe gjelbëruar qytetin. Kemi investuar në çdo shkollë dhe kemi ndërtuar një shkollë të re. Kemi tërhequr investimet e para të huaja. Bashkë ia kemi dalë, por kemi ende punë. Tani do të vazhdojmë pa u ndalur drejt Gostivarit të Nesërm,” tha Bejta.

Bejta i kërkoi të pranishmëve të shumtë të qëndronin pranë qytetarëve për t’i informuar drejt gjatë fushatës. “Prezenca e juaj këtu tregon më së miri se së bashku kemi punuar mirë në interes të qytetarëve të Gostivarit. Tani duhet të punojmë mirë me ta që kush nuk ka informata apo kush ka informata të gabuara, t’u tregojmë të vërtetën e punës që kemi bërë dhe planeve që kemi për Gostivarin,” u shpreh Bejta. Konventa u hap nga shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së në Gostivar z. Bashkim Hasani. Ai falenderoi bashkëpunëtorët për punën e madhe organizative dhe i ftoi për një fushatë në funskion të së ardhmes së Gostivarit.

“Ne besojmë te fuqia e së ardhmes. Ne besojmë te fuqia e Gostivarit! Për t’ia arritur, gjatë fushatës, do na duhet të punojmë në qytet dhe në fshatra. Do na duhet të punojmë në çdo vendbanim. Në çdo familje. Me çdo person,” tha Hasani. Hasani tha se BDI është një familje e madhe dhe puna e përbashkët në të mirë të qytetarëve do të vazhdojë edhe gjatë fushatës.

“Në këtë sfidë elektorale, askush nga ju nuk do të jetë vetëm. Do të keni kryetarin e shtabit tuaj zgjedhor. Do të më keni mua. Do të keni Nevzat Bejtën. Dhe do të keni Ali Ahmetin. Jemi të gjithë së bashku!” u shpreh Hasani. Bashkim Hasani theksoi edhe praninë në sallë të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti. “Prania e z. Ali Ahmeti nuk është pa qëllim. Pjesëmarrja e tij tregon edhe një herë angazhimin maksimal të tij dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim ndaj Gostivarit,” tha shefi i shtabit zgjedhor.

Në konventën promovuese folën edhe bartësi i listës së këshilltarëve komunalë të BDI, mjeku Nasir Musliu si dhe kandidatë për këshilltarë komunalë të cilët shpalosën planet e ardhshme për ekonominë, arsimin, kulturën dhe sportin në Gostivar. Ali Ahmeti e cilësoi Nevzat Bejtën si njeriun e guximshëm që ndryshoi Gostivarin.