Vetëm gjatë muajve të fundit, duke mos llogaritur marsin, në këtë ndërmarrje publike janë shqiptuar tetë masa disiplinore, gjegjësisht 13 vërejtje me shkrim. Rasti i fundit ku një kontrollor autobusi u sulmua ndodhi javën e kaluar. Sipas raportit ditor të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, ngjarja ka ndodhur në autobusin me numër 7
Omer XHAFERI
Shkup, 18 mars – Herë paraqiten si viktima, e herë si dhunues. Kjo është përditshmëria e punës së kontrollorëve të autobusëve në Transportin Publike – Shkup. Ndërkohë, vërejtjet dhe ankesat e qytetarëve për qasjen e këtyre kontrollorëve nuk kanë të ndalur, shkruan gazeta KOHA. Pamjet e publikuara periudhën e fundit në mediat sociale tregojnë se si kontrollorë të ndryshëm, në pamundësi për ti legjitimuar udhëtarët që nuk paguajnë biletë në autobusët publik, përdorin dhunë. Megjithatë, ka raste të tilla kur edhe udhëtarët janë të dhunshëm ndaj kontrollorëve.
Këtë situatë të krijuar me incidentet në autobusët publike për gazetën KOHA e komentojnë edhe nga Ndërmarrja Publike “Transporti Publik – Shkup”. Siç njoftojnë ata, të gjitha incidentet dhe mosmarrëveshjet janë regjistruar nga ana e Kontrollit të brendshëm në NP “Transporti Publik – Shkup”, gjegjësisht për një pjesë të tyre ka denoncime edhe në Ministrinë për Punë të Brendshme.
“Varësisht prej shkaktarëve të incidentit, duke i llogaritur edhe pasojat eventuale të palëve të përfshira, një Komision i përshtatëm po shqipton masa. Deri më tani pjesa dërmuese e këtyre masave drejtuar kontrollorëve janë vërejtje me shkrim. Por, ekzistojnë raste kur ngritën procedura disiplinore dhe caktohen gjoba të njëhershme të rrogës, shkarkim të përkohshëm nga pozitë e kështu me radhë”, thonë nga NP “Transporti Publik – Shkup”. Vetëm gjatë muajve të fundit, duke mos llogaritur marsin, në këtë ndërmarrje publike janë shqiptuar tetë masa disiplinore, gjegjësisht 13 vërejtje me shkrim. Rasti i fundit ku një kontrollor autobusi u sulmua ndodhi javën e kaluar. Sipas raportit ditor të Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, ngjarja ka ndodhur në autobusin me numër 7.
“Kontrollori vetëm sa ka hyrë në linjën e autobusit me numër 7, menjëherë është sulmuar. Sulmuesi (udhëtari) as që i ka dhënë mundësi të kryej kontrollin, por menjëherë e ka shtyrë jashtë autobusit. Si rezultat i këtij sulmi, ai (kontrollori) ka rënë në tokë dhe ka pësuar sulm në tru. Ndërkohë, njëra dorë i është thyer. Në këtë gjendje, menjëherë është transferuar në Spitalin e qytetit ‘8 Shtatori’. Gjatë këtij sulmi, e lënduar ka mbetur edhe një udhëtare”, thonë nga Policia e Shkupit. Pasi rasti është denoncuar në polici, ekipe të SPB-Shkup menjëherë janë vënë në kërkim të sulmuesit dhe të njëjtin e kanë kapur dhe e kanë dërguar në stacion policor. Pas intervistimit të tij, ai është lënë i lirë. Ndërkohë, organet përkatëse kanë njoftuar se janë ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Me qëllim zgjidhjen e këtij kaosi në transportin publik, udhëtarë të shumtë, duke i komentuar dhe dhënë propozimet e tyre për tejkalimin e kësaj situatë, thonë se e domosdoshme është që kontrollorët të jetë të uniformuar. Veshja e tyre civile dhe kultura e ulët e komunikimet paraqesin vërejtjet më të shpeshta të udhëtarëve. Duke ju referuar këtyre kritikave dhe kërkesave të qytetarëve, nga “Transporti Publik – Shkup”, shprehen se udhëheqësia aktuale ende nuk ka vendim konkrete nëse kontrollorët e autobusëve duhet apo jo të uniformohen.
“Vetëm në 20 ditët e fundit janë regjistruar tre raste kur udhëtarët pa asnjë arsye janë zënë me kontrollorët. Kjo ndodh për shkak të mos pasjes së biletës për udhëtim. Në këtë mënyrë, me shfrytëzimin e dhunës, ata kërkojnë të ikin dhe të mos legjitimohen. Kësisoj, nëse kontrollorët uniformohen, vlerësojmë se situata do të përkeqësohej, për shkak se njohja e tyre do të ishte më e lehtë”, theksojnë nga “Transporti Publik – Shkup”.
Ndryshe, deri më 10 mars, në autobusët publik në Shkup janë realizuar mbi 15 mijë kontrolle, ku janë shqiptuar mbi 400 gjoba për mos pasje biletë udhëtimi. Po ashtu, brenda kësaj periudhe për shkak të keqpërdorimit të kartelave të udhëtimit janë konfiskuar 70 sosh. (koha.mk)