Ekspertët e ushqimit pajtohen se konsumatorët vetë duhet të vendosin se a do të përdorin apo jo ushqimin GMO, por me kusht që të dinë se a është i trajtuar gjenetikisht. Në Maqedoni, sipas ekspertëve, nevojitet një vëmendje më e madhe ti kushtohet mbrojtjes së konsumatorëve
Fisnik Pasholli
Shkup, 12 shtator – Në Maqedoni aktualisht nuk lejohet as prodhimi dhe as importi i ushqimeve gjenetikisht të modifikuara. Nga ana tjetër, në Bashkimin Evropian , ai lejohet në qarkullim, por vetëm me kusht që të jetë i shënuar duke i lënë konsumatorit të blejë apo të refuzojë konsumin e tij . Në nivel botëror opinioni shkencor është i ndarë lidhur me përdorimin e ushqimit GMO për qytetarët. Një grup thonë se pa prezencën e kontrolluar në aspekt shkencor tek drithërat e llojeve të ndryshme të GMO apo ushqimit të trajtuar gjenetikisht , bota do të mbetet e uritur. Pjesa tjetër e shkencëtarëve pohojnë se ai ka pasoja të dëmshme për shëndetin e njeriut. Ekspertët e ushqimit megjithatë pajtohen se konsumatorët vetë duhet të vendosin se a do të përdorin apo jo ushqimin GMO, por me kusht që të dinë se a është i trajtuar gjenetikisht ushqimin që konsumojnë. Nga ana tjetër, ekspertët e ushqimit në Maqedoni, thonë se nevojitet që një vëmendje më e madhe ti kushtohet mbrojtjes së konsumatorëve. “Nevojitet që institucionet në Maqedoni të kryejnë punën e tyre lidhur me kontrollin e rreptë të këtij lloj ushqimi. Me fjalë të tjera i tërë problem me GMO ushqimin në Maqedoni qëndron vetëm te mbrojtja e konsumatorëve “, theksoi profesori universitetar , Sreqko Gjeorgjievski në kuadër të debatit në Odën Ekonomike të Maqedonisë, për nevojën apo jo të ndryshimit të ligjit ekzistues për shitjen e ushqimit GMO. Nga ana tjetër , Mariana Llonçar Vellkova thotë se nevojitet që të avancohet rregullativa ekzistuese me qëllim që të jetë më lehtë e zbatueshme si dhe të rritet informimi i konsumatorëve lidhur me këtë ushqim. “Kërkojmë të dimë se çka blejmë, që nënkupton etiketa të qarta me të gjitha informacionet e nevojshme. Njëherazi nuk duhet të manipulohet dhe të fshihet përmbajtja e prodhimit. Prodhimet duhet të përmbajnë të gjitha informacionet për GMO dhe elementet e tjera të rrezikshme kimike dhe të tjera për shëndetin e njeriut. Gjithashtu duhet të përmirësohen edhe ligjet ,në favor të mbrojtjes së konsumatorëve”, thekson Llonçar.
Ushqimi GMO nën monitorim të rrept
Numri i një i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoni, Zoran Atanasov thotë se konform legjislacionit aktual në vend as nuk prodhohet, por as nuk qarkullohet ushqim me përmbajtje të GMO , që sipas tij e dëshmojnë edhe monitorimet e rregullta të organeve kompetente. Megjithatë , dikasteri që ai drejton ka dorëzuar deri në qeveri propozim rregulloren që parashikon edhe kufirin e tolerancës prej 0.9 për qind së prezencës së GMO në ushqim . Në këtë mënyrë do të harmonizohet edhe legjislacionin vendor me atë evropian lidhur me këtë çështje. Nga qeveria nuk prononcohen se a do të ketë ndryshime të ligjit duke ndjekur shembujt evropian. Nga atje shtojnë se shëndeti i qytetarëve , por edhe plotësimi i standardeve evropiane mbeten prioritetet e tyre.
Në Maqedoni deri në vitin 2013 në Maqedoni lejohej shitja dhe prodhimi i ushqimit gjenetikisht të modifikuar, ndërsa me ndryshimin e legjislacionit para pesë vitesh, si shtet u përcaktuam si për zero tolerancë ndaj GMO. Në ndërkohë , drejtori i AUV, Atanasov mbështet qëndrimin se ky lloj ushqimi nuk është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Ai shton se edhe në nivel evropian nga agjencitë kompetente të ushqimit, deri tani nuk janë konstatuar raste të rrezikimit të shëndetit nga konsumi i ushqimit GMO.
Ndryshe , ushqimi i prodhuar me përdorimin e GMO, njihet si ushqim i modifikuar gjenetikisht. Industria ushqimore në botë dhe ithtarët e GMO thonë se qëllimi i prodhimit të saj është që të fitohet prodhim me çmim më të ulët, me afat përdorimi më të gjatë ose me vlera më të mëdha ushqyese. Procesi ka filluar nga prodhues të farave GMO që ka pasur për qëllim që farat e tyre të jenë më të pranueshme nga prodhuesit , dhe janë orientuar drejt zbulimeve të cilat mundësojnë rendimente më të larta dhe profit më të madh për fermerët.. Një nga qëllimet e zhvillimit të bimëve mbi bazë të GMO është të përmirësohet mbrojtja e bimëve nga sëmundjet, duke u mundësuar bimëve rezistencë më të madhe ndaj sëmundjeve të shkaktuara nga insektet, viruset ose duke e zmadhuar tolerancën e tyre ndaj herbicideve.
Nuk janë vërtetuar efekte alergjike
Analizat e Institutit për Shëndet Publik të Maqedonisë, tregojnë se nga ana e Organizatës botërore të shëndetësisë dhe agjencisë se OKB-së për ushqim , FAO janë zhvilluar protokolle ose udhëzues për vlerësimin e vetive alergjene të llojeve të reja të bimëve të cilat përmbajnë GMO, ndërsa ushqimi i zhvilluar me metoda tradicionale për kultivim nuk testohet për alergjenë. Vlerësimi i këtyre analizave ka treguar se deri më tani nuk janë vërtetuar efekte alergjike tek ky lloj ushqimi i cili po shitet për momentin. GMO që për momentin tregtohet në tregjet ndërkombëtare i ka kaluar të gjitha vlerësimet e sigurisë dhe nuk do duhej të paraqiste rrezik për shëndetin e njeriut. Përveç kësaj, konsumimi i GMO nga popullata e gjerë në vendet ku ato janë të miratuara, ka treguar se nuk ka efekte ndaj shëndetit të njeriut. Trajtimi i GMO në botë rregullohet në mënyra të ndryshme. Në disa shtet mungon një rregullore, ndërsa shtetet të cilat kanë legjislacion, fokusohen fillimisht tek rreziqet ndaj shëndetit të konsumatorëve. Gjithashtu, shtetet që kanë dispozita për rregullimin e kësaj materie, gjithashtu e bëjnë rregullimin e GMO në përgjithësi, duke i marrë parasysh rreziqet ndaj shëndetit të njeriut dhe mjedisit jetësor, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me kontrollimin dhe tregtimin, siç janë analizat laboratorike dhe etiketimi. Në vendet e BE tregtimi i GMO është i lejuar, por nëse përbën 1 për qind ose më shumë të produktit, atëherë kjo gjë duhet të jetë e shënuar te deklarata ku do thuhet se ushqimi përmban GMO .