Shkup, 27 gusht – Inspektorati shtetëror i tregut në pajtim me kompetencat për mbikëqyrje inspektuese në hoteleri, tregti, zejtari dhe veprimtari të tjera, ka filluar me kontrollin e subjekteve për të konstatuar rregullshmërinë në punën e tyre. Subjekt i kontrollit së fundmi ka qenë edhe filiali për kamping në Dojran të Vjetër, ku janë konstatuar një sërë parregullsish ligjore. “Gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese në pajtim me këtë Ligj, Inspektorati shtetëror i tregut ka sjellë vendim për ndalesë të përkohshme për kryerje të veprimtarisë në kohëzgjatje prej 30 ditëve ku konstatohet se shfrytëzuesi i autokampit nuk ka plan për rregullimin e hapësirës e as që hapësira për kamping në autokamp është e rregulluar në pajtim me planin për rregullim të hapësirës për kamping që miratohet nga Agjencia për promovim dhe mbështetje të turizmit. Inspektorati shtetëror i tregut do të ngritë procedurë për përcaktim dhe shqiptim të shumës së gjobës në pajtim me Ligjin për Autokampe dhe Ligjin për shkelje. Shuma e gjobës është në vlerë prej 5.000 euro në kundërvlerë denarë për shkelje të subjektit juridik–shfrytëzues i autokampit”, thotë drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Isen Shabani. Më tej ai thekson se në periudhën në vijim Inspektorati shtetëror i tregut në vazhdimësi do të kryejë mbikëqyrje inspektuese tek subjektet fizike dhe juridike të cilët kryejnë veprimtari në tregti, hoteleri, turizëm dhe zejtari, të cilat nuk janë të regjistruar në regjistrin përkatës. Nga Inspektorati shtetëror i tregut rikujtojnë për ndryshimin e orarit të punës së objekteve hotelerike. “Në pajtim me Ligjin për veprimtari hotelerike, orari i punës së objekteve hotelerike për ushqim, pavarësisht llojit të shërbimeve hotelerike në periudhën pas 31 gushtit deri më 25 dhjetor është prej ora 07:00 deri në ora 24:00. Sa i përket ditëve e premte dhe e shtunë, përkundër ditëve të festave, objektet hotelerike mund të punojnë prej ora 07:00 deri në ora 01:00 pas mesnate”, thonë nga Inspektorati shtetëror i tregut. (koha.mk)