Këta të dhëna zyrtare tregojnë se institucionet shëndetësore duke filluar nga Ministria e deri tek gjinekologët Amë duhet të realizojnë fushata, së pari për rritjen e vetëdijes për nevojën e pakontestueshme për kontrolle gjinekologjike, pastaj edhe për kontrolle të tjera të shëndetit të gruas
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 nëntor – Kontrollet gjinekologjike të grave urbane dhe rurale në pjesën ku janë komunat Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostush, janë teje të nevojshme për shëndetin e femrave. Për fat të keq në këtë rajon sipas të dhënave të gjinekologëve amë një pjesë e madhe e femrave vazhdojnë të jenë pa gjinekolog amë, që do të thotë pjesa dërmuese e grave nuk realizojnë kontrolle të rregullta gjinekologjike. Me qëllim që të rritet vetëdija e femrës e cila jeton në vendbanimet rurale, këto ditë në komunën rurale Qendër Zhupë klinika gjinekologjike e Shkupit në bashkëpunim me organizatën UNPFA dhe Kryqin e Kuq realizon kontrolle gjinekologjike.
Në organizatën e Kryqit të Kuq komunal na informuan se ka filluar të realizohet projekti që ka të bëj me rritjen të vetëdijes të grave rurale për kontrolle gjinekologjike. “Vetëm për një ditë në komunën rurale Qendër Zhupë e cila është një komunë me migrim masiv, janë paraqitur mbi 70 femra të cilat kanë filluar të realizojnë kontrolle gjinekologjike nga ekipi mobil i klinikës së Shkupit”, thotë sekretari i Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu. Sipas tij femra në komunë Qendër Zhupë e cila karakterizohet për multietnicitetin e saj ku jetojnë edhe shqiptar, nuk realizon kontrolle të rregullta gjinekologjike, pasi dhe në komunë nuk ka gjinekolog. Pikërisht ky projekt ka filluar të realizohet në këtë komunë dhe sipas të gjitha gjasave që tregon fillimi i projektit, interesimi është i madh. Ne si aktivist të Kryqit të Kuq jemi të bindur se efektet nuk do të mbeten anash dhe do të arrihet qëllimi, thotë Telqiu. Biseduam edhe me disa nga fermat të cilat janë nga fshatrat të komunës Qendër Zhupë të cilat përshëndetën projektin në fjalë. Munire. V dhe Asije. T na deklaruan se ardhja e ekipit mobil për kontrolle gjinekologjike në Qendër Zhupë është pozitive. Tani ka vite që nuk kemi bë kontrolle gjinekologjike dhe që duhet theksuar se nuk kemi edhe kulturën tonë shëndetësore”, thonë ata.
Femra në fshatrat të Dibrës, Zhupës dhe Rekës vetëm në një pjesë realizojnë kontrolle të rregullta. Shoqatat e grave që funksionojnë në këtë rajon janë të mendimit se vet fakti që gratë që jetojnë në fshatra nuk janë shumë të interesuara për kontrolle gjinekologjike, tregon se duhet të punohet me projekte të cilat do të rrisin vetëdijen e tyre në interes të shëndetit të tyre që të bëjnë kontrolle të rregullta. Një pjesë e madhe e grave që jetojnë në fshatra por edhe ata që jetojnë në qytet nuk kanë gjinekolog amë. Gjinekologu dibran Argëtim Fida disa herë ka prezantuar informata se afro 50 për qind e grave në këtë rajon nuk kanë gjinekolog amë. Këta të dhëna zyrtare tregojnë se institucionet shëndetësore duke filluar nga Ministria e deri tek gjinekologët Amë duhet të realizojnë fushata, së pari për rritjen e vetëdijes për nevojën e pakontestueshme për kontrolle gjinekologjike, pastaj edhe për kontrolle të tjera të shëndetit të gruas. (koha.mk)