Gostivar, 19 nëntor – Në fillimin e vikendit që kaloi, në qytetin e Gostivarit, është realizuar kontroll aksion në trafikun rrugor, në të cilën janë përfshirë 47 vetura. Gjatë kontrollit, tek 11 vetura janë konstatuar parregullsi në pajisjet e frenimit, një veturë ka pasur të parregullta pajisjet e drejtimit të automjetit, një veturë ka qenë me parregullsi në pajisjet e sinjalizuese dhe ndriçuese, si dhe katër vetura kanë qarkulluar në trafik me regjistrim të skaduar, shkruan gazeta KOHA.
Veturat tek të cilat janë konstatuar parregullsi, janë shkyçur nga trafiku, 22 shoferëve u janë përgatitur fletëpagesa për kundërvajtje, si dhe katër kërkesa për vazhdimin e procedurës për kundërvajtje.
Gjatë kontrollit, gjithashtu janë konstatuar edhe tetë lloje tjera të kundërvajtjeve, të cilat janë sanksionuar në mënyrë adekuate. Aktivitete të përforcuara në rajonin e Gostivarit janë planifikuar edhe gjatë ditëve në vijim, ku theks të veçantë do të përqendrohet në parkimin e veturave, para së gjithash në rrugët “Vëllezërit Gjinovski”, “Ilindenska”, “JNA” dhe rrugën “Zhivko Brajkovski”. Gjatë kësaj do të sanksionohen të gjithë veturat gabim të parkuara, nëpër trotuare, udhëkryqe, vendkalime për këmbësorët, të cilët pengojnë qarkullimin e lirshëm dhe të sigurt të këmbësorëve, si dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik. Aktivitetet, thonë në polici, do të realizohen si gjatë ditës, po ashtu edhe gjatë orëve të vona të natës, kur edhe më së shpeshti haset lloj i këtillë i kundërvajtjeve.
“Kjo, më së shumti nga shkaku se pason një periudhë me të reshura të borës, ku veturat gabim të parkuara, në masë të madhe pengojnë dhe rëndojnë pastrimin dhe largimin e borës nga rrugët, dhe trotuaret nëpër qytet. Për këtë shkak, apelojmë deri tek shoferët të mos i parkojnë veturat e tyre vend e pa vend, sepse do të sanksionohen me kundërvajtje adekuate, dhe të njëjtat vetura do të ngriten nga ana e merimangës”, thotë zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi. (koha.mk)