Athinë, 27 janar – Autoritetet shëndetësore të vendit janë në gatishmëri të plotë operative për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, të përballen me dukuritë e mundshme të koronavirusit, tha zëvendësministri dhe zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas në lidhje me masat që Greqia i mori për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Ai shtoi se përkrah kontrolleve parandaluese në pikat hyrëse në vend, “me vendim të ministrit të Shëndetësisë, tashmë janë caktuar, në të gjithë territorin, spitalet e rekomanduara për koronavirusin”, transmeton gazeta KOHA.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a do të kryhen kontrolle edhe ndaj valëve të emigrantëve dhe refugjatëve në ishujt grekë, Pecas tha se kjo është një çështje e ndërlikuar, ndërsa ata si qeveri do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta kufizuar fluksin e njerëzve, pavarësisht nëse janë bartës të virusit apo jo.
“Do të merren të gjitha masat e nevojshme. Nëse më pyesni në lidhje me çështjen me emigrantët – valët e refugjatëve, në atë pjesë çështja është shumë më e ndërlikuar, siç mund ta kuptoni të gjithë. Ne bëjmë gjithçka që mundemi dhe që është në duart tona, në vendet hyrëse legale ta kontrollojmë hyrjen e mundshme të personave bartës të koronavirusit. Ndërsa në pjesët e tjera të kufizohet çfarë do lloj fluksi i njerëzve, e jo vetëm i atyre që janë bartës të ndonjë virusi”, shpjegoi zëdhënësja e qeverisë greke.(koha.mk)