Omer XHAFERI
Shkup, 6 janar – Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë dritë jeshile propozim-ligjit për rritjen e kompetencave të Ombudsmanit, në pjesën e mbikëqyrjes së nëpunësve policisë dhe gardianëve të burgjeve, shkruan gazeta KOHA. Ndryshimet ligjore për Avokatin e Popullit, të cilët Parlamenti pritet të miratojë në periudhën që pason, parashohin krijimin e një trupi të jashtëm, si korrektues shtesë për sistemin hetues të veprave penale të kryera nga pjesëtarët e MPB-së dhe atyre të policisë së burgjeve. Në arsyetimin e miratimit të ndryshimeve të Ligjit për Ombudsmanin, nga Ministria e Drejtësisë kanë theksuar se kontrolli i policisë duhet të bëhet në pajtim me Konventën ndërkombëtare për të drejta e njeriut (KNDNJ) dhe të drejtën e saj presedante. Qëllimi kryesor, siç njoftojnë nga kjo ministri, është përforcimi i mbrojtjes të lirive dhe të drejtave të njeriut në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës.
Standardet e theksuara pritet të arrihen përmes sigurimit të mbështetjes dhe mbrojtjes së viktimave, respektivisht interesat e tyre duhet të prezantohen në të gjitha procedurat, duke filluar nga hetimet transparente dhe efikase mbi veprave penale dhe shkeljet tjera të cilat i kryejnë pjesëtarët e policisë. Ndërkohë, plotësimi i këtij Ligjit për Ombudsmanin pritet të mundësojë inicimin e revidimit të procedurave para sektorit special të Prokurorisë Publike, në raste kur është e nevojshme të bëhet. Tutje, në rritjen e kompetencave të Avokatit të Popullit, parashihet vendosja (siç është definuar në tekstin e ndryshimeve ligjore) e mekanizmit për kontroll qytetar. Pjesë e këtij Këshilli (mekanizmi qytetar) do të jenë tre anëtar të jashtëm që duhet të vijnë nga sektori civil, me çka paraprakisht ata duhet të kenë përvojë punë në sferën e të drejtave të njeriut, të drejtës policor dhe gjyqësorit.
“Ombudsmani si mekanizëm për kontroll civil, theksin e vendos në procedurat/rastet aktuale të iniciuara me kërkesë të palës/viktimës apo familjes, me nismë të përfaqësuesve të sektorit civil, si dhe përmes iniciativave individuale (pas pranimit të informacioneve), për shkelje eventuale të të drejtave që burojnë nga KNDNJ. Kësisoj, me plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, të njëjtit do t’i shtohen kompetencat në drejtim të pavarësisë, kujdesit dhe përvojës në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut”, sqarojnë nga Ministria e Drejtësisë. Ndryshe, zyra e Ombudsmani – mekanizmi për kontroll qytetar do të ketë qasje të drejtpërdrejtë deri te të gjitha informacionet dhe dëshmitë, pavarësisht shkallës së besueshmërisë dhe pa asnjë kushtëzim nga cilido organ apo person zyrtar. Ngjashëm si të gjitha aktivitetet e tija të deritanishme, Ombudsmani do të përgatis edhe raport për shkallën e sigurimit, respektimit dhe avancimit të të drejtave kushtetuese dhe atyre ligjore të qytetarëve. Krahas kontrollit qytetar, Qeveria javë më parë miratoi edhe një vendim i cili parasheh që në kuadër të Gjykatës Penale të Shkupit dhe Prokurorisë Publike, të formohet Reparti special për mbikëqyrjen e punës së policisë, respektivisht procedimin e rasteve penale të kryera nga nëpunësit e Ministrisë për Punë të Brendshme. Ky propozim i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, po ashtu ka kaluar në Qeveri, me çka pakoja prej disa ligjeve në aspektin e procedurave penale së shpejti pritet të përfshihet në debat parlamentar. (koha.mk)