Omer XHAFERI
Shkup, 3 shkurt – Trendi i marrëveshjeve paramartesore është dukuri e shpeshtë te personat publik, të cilët në këtë mënyrë përpiqen ta mbrojnë pronën e tyre dhe të hollat nga divorci i papritur, shkruan gazeta KOHA. Profesori i të drejtës familjare, Dejan Mickoviq, thotë se qëllimi kryesor dhe subjekt i marrëveshjes martesore është të rregullohen marrëdhëniet pronësore, më saktë të vërtetohet “çka është e imja dhe çka e ytja”, mënyra e ndarjes së pasurisë së përbashkët si dhe pasojat juridike pas divorcit eventual. “Marrëveshja martesore është menduar kryesisht për njerëz të pasur dhe të famshëm, të cilët posedojnë pasuri dhe të cilët fitojnë shuma të mëdha parash. Për këtë arsye, marrëveshjen martesore, kryesisht e lidhin njerëzit e pasur, si dhe persona në moshë të mesme apo të moshuar, të cilët kanë përvojë me divorcet dhe kanë fëmijë prej martesave të mëparshme. Ata arrijnë marrëveshje martesore me qëllim që t’i mbrojnë fëmijët e tyre, biznesin familjar si dhe të ardhurat nga prona e trashëguar”, thotë profesori Mickoviq.
Dështimi i martesës së parë
Sipas tij, arsyeja më e shpeshtë për arritjen e marrëveshjes është dështimi i martesës së parë, përvoja negative nga divorci, shpenzime të mëdha ligjore në aspektin e procesit gjyqësor të pronës etj. “Të gjithë këto faktorë shpesh ndikojnë bashkëshortët të veprojnë në mënyrë racionale dhe më me kujdes kur ‘paraqitet dashuri e re’. Kjo është veçanërisht e shfaqur në rast kur bashkëshortët kanë fëmijë, apo fëmijë nga martesa e mëparshme, interesat e të cilës janë më të mbrojtura me arritjen e marrëveshjes martesore”, thotë Mickoviq. Përveç arsyeve të shumta, marrëveshja martesore vjen edhe si rezultat i emancipimit më të madh të grave në shoqëri. “Në të kaluarën burri ka qenë koka e familjes dhe ai ka pasur për obligim të sigurojë ekzistencën e anëtarëve të familjes, ndërsa gruaja ishte ‘mbretëresha’ e familjes. Sot, gruaja përveç punëve tjera, është partner i barabartë në sigurimin e mbështetjes së familjes dhe participin ne mbijetesën ekonomike dhe prosperitetin familjar. Të ardhurat e mëdha dhe pasuria e fituar në bazë të karrierës së suksesshme janë arsyeja pse sot gratë janë më autonome dhe më të pavarura dhe më lehtë të vendosin për marrëveshje martesore para se të martohen. Kjo dukuri shkakton që ato të paraqiten si partner i barabartë në negociatat për kontratën e martesës dhe në raste të caktuara, të njëjtat edhe i diktojnë kushtet”, thotë ai. Nuk përjashtohet dhe momenti i sinqeritetit midis partnerëve, për atë se pas marrëveshjes martesore mes tyre ka dashuri dhe jo interes, por edhe e ulë frikën tek partnerët pas kësaj pyetje. Në dobi të lidhjes së marrëveshjes martesore janë edhe borxhet e njërit prej bashkëshortëve. “Përfundimisht marrëveshja martesore është instrument i dobishëm, dhe këtë e tregon edhe fjala popullore ‘llogari të pastër, dashuri e gjatë”, si dhe kënga popullore sipas së cilës “lumturia nuk blihet me para””, përfundon profesori. Mickoviq shton se, siç ka pozicione që tregojnë se pse është më mirë të lidhet marrëveshje martesore, gjithashtu ka edhe argumente të cilat e refuzojnë nënshkrimin e saj. Argumenti i parë kundër marrëveshjes martesore është se me këtë për partnerët më me rëndësi janë interesat pronësore, se sa dashuria dhe ndjenjat, ndërsa menjëherë pas kësaj vijon fakti se me marrëveshjen, ende në fillim të martesës promovohet divorci. Marrëveshja martesore mes bashkëshortëve nënkupton aktin e mosbesimit, ndërsa edhe e dëmton barazinë midis partnerëve. Partneri i cili ka pasuri më të madhe, në të shumtën e rasteve i imponon kushtet e veta ndaj partnerit më të varfër gjatë procesit negociues.
Marrëveshje për të pasurit
Legjislacioni i Maqedonisë, ndryshe nga legjislacionet e tjera bashkëkohore, nuk e rregullon marrëveshjen e martesës. “Por megjithatë në Ligjin për familje, marrëveshja martesore nuk është e rregulluar dhe është e lejuar, kurse në praktikë arrihet në bazë të parimit të lirisë së bisedimeve. Duke pasur parasysh këtë boshllëk ligjor, konstatojmë se marrëveshja martesore duhet të rregullohet në legjislacionin e brendshëm të Maqedonisë, sipas shembullit të legjislacionin evropian, i cili tërësisht i rregullon të gjitha çështjet në lidhje me marrëveshjen e martesës. Pavarësisht argumenteve kundër, konstatojmë se më shumë anojnë argumentet të cilat shkojnë në favor të kontratës martesore. Parashikimi i marrëveshjeve martesore do t’ju mundësojë alternativë partnerëve në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë marrëdhëniet pronësore gjatë martesës dhe në rast të prishjes së saj “, thotë Mickoviq. Ai thekson se në Maqedoni ka raste të caktuara të marrëveshjes martesore, sipas rregullit, dhe çdo gjë që nuk është e ndaluar në mënyrë eksplicite me ligj është e lejuar, por megjithatë nuk është e qartë se si gjykatat do të vepronte nëse vihet në situatë të zgjidhin mosmarrëveshje e cila do mund të paraqitej për shkak të lidhjes së marrëveshjes martesore. “Për këtë arsye, më mirë është marrëveshja martesore në mënyrë eksplicite që të rregullohet në të drejtën civile, me çka do të mundësohej siguri më e madhe ligjore për të gjithë çiftet të cilët me marrëveshje martesore duan t’i rregullojnë marrëdhëniet e ndërsjella pronësore. Në përgjithësi, marrëveshjen martesore në ato vende ku është paraparë dhe rregulluar me ligj, më shpesh e lidhin çiftet më të pasura, me qëllim që ti mbrojnë të drejtat dhe interesat e tyre në rast të divorcit. Bazuar në këto eksperienca, mund të pritet që edhe në Maqedoni të kemi situatë të njëjtë, gjegjësisht marrëveshje martesore në të shumtën e rasteve do të kishin lidhur çiftet më të pasura”, konstaton Mickovikj.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.