Shkup, 21 janar – Skuara e Shkëndijës ka konfirmuar sot marrëveshjen profesionle me mbrojtësin Almir Rexhepi, lojtar standard edhe me kombëtaren U19 të Shqipërisë, bëjnë të ditur nga klubi kuqezi, përcjellë gazeta Koha. Sipas tyre kryesia dhe stafi teknik kanë vlerësuar paraqitjet e lojtarit që është monitoruar tashmë një periudhë, duke vendosur që të njëjtin ta shpërblejnë me kontratë tre vjeçare.
Menjëherë pasi nënshkroi kontratën profesionale, për faqen e klubit ka folur vetë Almir Rexhepi.
“Është ndjenjë e mrekullueshme të firmos kontratë profesionale me Shkëndijën. Një ëndërr që bëhet realitet dhe për të cilën kam punuar shumë. Tash kur realizohet ky qëllim, jam shumë i motivuar të punoj me përkushtim edhe më të madh për të bindur stafin teknik dhe kryesinë se me të drejtë kanë besuar të unë”, u shpreh për faqen e klubit Almir Rexhepi, transmeton gazeta Koha.
Ndryshe, 18-të vjeçari Almir Rexhepi luan në dy pozita, si mbrojtës i majtë dhe qendër dhe aktualisht është kapiten i ekipit U19 të Shkëndijës. Në dy sezonet e kaluara fitoi titullin e kampionit, ndërsa pozicionohet në vendin e parë edhe në sezonin aktual. Rexhepi është bashkuar me ekipin e parë që në start të fazës përgatitore dhe tashmë punon nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka.
Ndërkohë, pjesë e ekipit të parë të Shkëndijës në të ardhmen do të jetë edhe Florent Ramadani, i cili kthehet nga huazimi 6 mujor te Drita e Bogovinës. Zyrtarisht golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar në Super Ligën e Maqedonisë për juniorë do të duhet të dëshmohet tashmë në ekipin senior të kuqezinjve ku pritet nga ai janë të mëdha.
Në anën tjetër, klubi ka huazuar mesfushorin Besart Rexhepi te KF Gostivari për 6 muaj, ndërsa vazhdojnë qëndrimin në formë huazimi edhe në sezonin pranveror Arlind Aliti te Struga Trim Lum dhe Ensar Luma te KF Gostivari.
Ndërkohë pjesë e klubit më nuk do të jetë sulmuesi Berat Beqiri, i cili me marrëveshje ka shkëputur kontratën.
Sa i përket skuadrës së parë, të njëjtit vazhdojnë punën në Tetovë edhe dy ditët e ardhshme, ndërsa nga e enjtja skuadra transferohet në Antalia të Turqisë ku do të vijojë fazën e dytë të përgatitjeve. (koha.mk)