Kanë ngelur edhe dy javë deri në Samitin e Procesit të Berlinit dhe sesionit të Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, ndërsa ajo që tanimë dihet është se Shkupi dhe Sofja po punojnë për ti shtuar një aneks të ri Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar në vitin 2017, në mënyrë që Bullgaria të mos bllokojë Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së. Ndërkohë, historianët vlerësojnë se raportet mes Shkupit dhe Sofjes, çfarëdo qofshin ato, janë raporte ndërshtetërore dhe mund të trajtohen si çështje e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë
Destan JONUZI
Shkup, 29 tetor – Para 10 nëntorit, pritet që të bëhet e ditur nëse Sofja zyrtare do të bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare midis Shkupit dhe BE-së, e cila duhet të mbahet në dhjetor të këtij viti. Ajo që tanimë është e sigurt është se Qeveria Maqedonisë sheh shpëtim nga ky zhvillim në nënshkrimi i një aneksi të ri në Marrëveshjen e Miqësisë midis dy vendeve. Ajo u nënshkrua në vitin 2017 nga kryeministrat aktual të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Shkupi zyrtar tanimë po bënë skicat e një aneksi të ri që do të nënshkruhet, i cili pritet të përmbushë kërkesat e fqinjit lindor për ti lejuar vendin të përparojë në integrimin evropian.
Me aneks të ri në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, deklaratë ose një Marrëveshje bilateral duhet të konfirmohet se Republika e Maqedonisë Veriore është emri i gjatë i vendit, dhe Maqedonia e Veriut është emri i shkurtër kushtetues i vendit dhe se i referohet territorit të saj dhe se ne nuk ka pretendime territoriale për asnjë prej fqinjëve dhe kujtdo në botë. Po ashtu siç mëson KOHA, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka gatishmëri që në kontratën e re me Bullgarinë të konfirmojë edhe njëherë atë që është tashmë edhe pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë për mosndërhyrjen e shtetit në punët e brendshme të Bullgarisë, e cila në të vërtetë ka të bëjë me pakicën maqedonase atje. Skicën e kontratës së re mes Shkupit dhe Sofjes për të cilën burime të larta qeveritare e kanë liferuar për gazetën KOHA, ditë më parë e ka thënë në pika të shkurta edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani. “Në tekstin e kornizës së negociatave, diskutohen dy pika, emri i shkurtër, gjuha dhe natyrisht nevoja për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes gjatë gjithë procesit të negociatave. Ata po kërkojnë një kapitull të veçantë mbi marrëdhëniet midis Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë, që do të thotë zbatimi i Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë”, ka deklaruar Osmani, duke lënë të kuptohet se pala bullgare kërkon që Marrëveshja për fqinjësi të mirë ti shtohet edhe një aneks i ri që do të ishte garanci për Sofjen për kontestet shumë vjeçare historike me Shkupin.
Historiani Jusuf Buxhovi thotë se raportet mes Shkupit dhe Sofjes, çfarëdo qofshin ato, janë raporte ndërshtetërore dhe mund të trajtohen si çështje e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. “Raportet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, çfarëdo qofshin, janë raporte ndërshtetërore dhe mund të trajtohen si çështje e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, paçka se me to mund të ndryshohet esenca e politikës shtetërore, që do të thotë se si të tilla inkorporojnë edhe qëndrimin politik të shqiptarëve si pjesëmarrës në institucionet shtetërore. Meqë është kështu, atëherë, shqiptarët duhet që në raportet e reja midis Shkupit dhe Sofjes të kërkojnë ridefinimin e pozitës së tyre nga ai i tanishmi (i qytetarisë) te populli shtetformues, pra i barabartë me maqedonasit. Ndërsa për gjuhën shqipe duhet të kërkohet barazi kushtetuese dhe jo ligjore siç po veprohet tani nga politikanët shqiptarë që më shumë mendojnë për interesat e tyre personale se sa për pozitën e shqiptarëve në shtetin e përbashkët, ku ata trajtohen si pakicë. Ky pozicionim mundëson që faktori shqiptar në Maqedoni të trajtojë historinë dhe kulturën e vet nacionale në mënyrë objektive dhe në përputhje me realitetet etnike dhe historike. Çfarëdo anashkalimi nga ky pozicion, shqiptarët do t’i degradojë në rolin e pakicës”, deklaroi për KOHA, Buxhovi. Në anën tjetër, historian Muzafer Bislimi thotë se Bullgaria gjithmonë ka qenë në anën e gabuar të historisë. “Bullgaria historikisht ka qenë në anën e gabuar të historisë. Në Luftën e Parë Botërore gjithashtu ishte në anën e gabuar që e humbi luftën edhe në Luftën e Dytë Botërore ishte në anën e gabuar që e humbi luftën njëjtë si Turqia që ishte në anën e humbësve”, vlerëson Bislimi.
Ndryshe, në muajin gusht, Sofja u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE-së që ranë dakord mbi kornizën negociuese për vendin, duke kërkuar mbështetje për pozicionin e tyre mbi përparimin e Maqedonisë drejt BE-së. Në të, mes tjerash shkruan se populli maqedonas është projekt i ish-sistemit jugosllav dhe liderit komunist Josip Broz Tito, dhe se gjuha maqedonase nuk ka ekzistuar deri më 2 gusht të vitit 1944 dhe se është dialekt i gjuhës bullgare, dhe se mes vitit 1944 dhe 1946 në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë është kryer ekzekutimi i më shumë 20.000 njerëzve të cilët janë identifikuar si bullgarë, ndërsa më shumë se 100.000 janë vrarë, burgosur, dërguar në ekzil në kape përqendrimi. Ndryshe, Shkupi sipas pritshmërive deri në muajin dhjetor pret të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, nën presidencën gjermane, me çka do të shënojë edhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Kjo ende është pritshmëri edhe për vendin edhe për Berlinin zyrtar, madje lihet hapësirë edhe për dështim, nëse Sofja mbetet në qëndrimet dhe kërkesat e saj, një pjesë e së cilave nuk janë të pranueshme për Shkupin. (koha.mk)