Evis HALILI
Shkup, 6 qershor – Kontrata kolektive e punonjësve të Kulturës, dokument që pritet prej disa vitesh që të nënshkruhet, do të duhet sërish që të ndryshohet. Kjo ka qenë kërkesa e Sindikatës së Kulturës drejtuar ministrit të ri të Kulturës, shkruan gazeta KOHA. Përfaqësues të sindikalistëve kërkojnë që ky dokument, i cili u hartua nga Ministria e Kulturës dhe Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK ) dhe që nuk arrit të nënshkruhet nga Qeveria të anulohet, pasi që shumë prej pikave të tij janë zgjidhje të turpshme për problemet e artistëve. Kreu i kësaj sindikate e ka cilësuar këtë dokument madje si më të keq se atë ekzistues, e për rrjedhojë hyrja e tij në fuqi do të përkeqësonte kushtet në të cilat punojnë artistë, por edhe funksionojnë institucionet e kulturës.
“Ka më shumë se 11 vjet që punonjësit në kulturë veprojnë në një situatë të mjegullt kaotike. Pagat për shumë prej tyre janë nën nivelin e mesatares që është e turpshme po të bësh një paralele me paratë e shpenzuara deri tani. Kërkojmë nga ministri i ri i kulturës që të ndryshojë këtë dokument pasi propozimet e vëra në të janë të turpshme për artistët dhe kërkojmë që edhe në të përfshihemi në ndryshimet që duhen bërë, pasi që në mënyrë antiligjore jemi përjashtuar duke ia dhënë ekskluzivitetin vetëm SASHK. Kërkojmë që në krye të institucioneve të kulturës të mos emërohen militantë partie, drejtorë që t’i shërbejnë partisë siç ka ndodhur me shumë institucione të rëndësishme”, ka thënë për KOHA Viktor Ilievski nga SKAM.
Sindikalistët kanë akuzuar po ashtu edhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për pengimin e punës së tyre dhe shantazhimin që i është bërë përfaqësuesve të sindikatave të caktuara që të mos bashkohen me ta. Por në asnjë prej pikave të paketës sindikale nuk kërkohet trajtim jodiskrimues për artistët dhe institucionet, sidomos ato shqiptare. Hartimi i kontratës kolektive dhe ndryshimi i kushteve të punës për mbi tre mijë punonjës në të gjitha institucionet e kulturës supozohet që të përfshijë edhe trajtimin e barabartë për artistë dhe sidomos institucione, financimi i të cilave nuk bëhet ashtu si me pjesën më të madhe të institucioneve të ngjashme. Po ashtu në një numër të madh institucionesh elitare të kulturës punonjësit shqiptarë mungojnë, si në pjesën e stafit teknik, ashtu edhe në atë të ansamblit artistik. Kontrata kolektive e hartuar nga SASHK dhe Ministria e Kulturës u nënshkrua pak kohë më parë dhe supozon që të realizojë barazimin mes pagesave mujore të punonjësve në kulturë që punojnë në vende të njëjta pune, por në institucione të ndryshme. Po ashtu me anë të këtij dokumenti pritet që të zgjidhet edhe forma e financimit të institucioneve të kulturës, repertorit të tyre, turneve, e manifestimeve të tjera kanë qenë disa prej çështjeve që preokupojnë më shumë dhe që përfaqësuesit e sindikalistëve i kanë paraqitur në kryesinë e SASHK., si ato të Teatrit Shqiptar të Shkupit, Tetovës. Dallimet nuk janë kaq drastike mes disa institucioneve, si Teatri Popullor, i Dramës, Komedisë, ku aktorët, stafi drejtues dhe teknik, Opera e Baleti, e të tjera kanë paga shumë herë më të larta sesa ato të institucioneve të ngjashme. Po ashtu dallimet drastike janë edhe mes punonjësve në biblioteka, muze, qendra kulture, të cilët varësisht institucionit ku punonin, merrnin paga më të ulëta.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara