Kthimi nuk arriti të sublimojë harmoninë sentimentale me atë psiko-sociale dhe për pasojë, syzheu filmik mbyllet në një rrugë që jo vetëm po linte pluhurin e makinës në ikje të Ilirit dhe Sabinës, por edhe zbrazëtinë prindërore pranë një lisi të prerë që po bëhej gati të luftonte me ftohtësinë e dimrit shpirtëror në skutat e një fshati të harruar malor
Nga Emin AZEMI
Shkup, 20 prill – Të mërkurën në Cineplexx (City Mail), në Shkup, u shfaq premiera e shumëpritur e filmit “Kthimi” me regji të Kastriot Abdylit, bashkëprodhim i parë në mes të ”Dardania Film” nga Kosova dhe ”Shkupi Film”nga Shkup.
Fabula e filmit sjell kontrastet sociale e psikologjike në një nga ambientet tona. Heronjtë e këtij rrëfimi ndërtojnë subjektin mbi ballafaqimin e të resë me të vjetrën, duke spikatur papajtueshmërinë e mendësive, traditave e kulturave brenda rrafshit të kontemplacionit narrativ-filmik. Drama e këtyre papajtueshmërive ndjek ritmin e lëkundjeve të “nëndheshme” emocionale, teksa herë-herë del mbi sipërfaqe pezmi i një dashurie të humbur në mes të së kaluarës dhe të tashmes, por edhe konflikti babë-djalë rreth një martese të kontestuar.
Zbërthimi i këtyre nyjeve etno-psikologjike nga ana e skenaristit dhe regjisorit Kastriot Abdyli ka ndjekur parimin e oscilimeve të lavjerrësit, duke na nxjerrë nga njëri stad shpirtëror tek tjetri, nga njëra situatë konfliktuoze tek tjera dhe krejt dinamika e këtyre oscilimeve sikur përcaktohet nga qëndrimi i një burri me emrin Ukë. Ky i fundit, me gjuhën e tij të heshtjes, por të poentimit shumë përmbajtjesor, bashkë me Sabinen franceze (me pamundësinë e shpjegimit se kush është dhe çka ndien), e cila me shumë vështirësi arriti të merr statusin e nuses së djalit, Ilirit, skicojnë arkitekturën e një keqkuptimi, që në thelb kishte (mos)pranimin e njëri tjetrit si fizionomi kontrastive kulturore-psikologjike.
Në anën tjetër kemi edhe relacionet e ngarkuara me llogari të pasqaruara emocionale në mes të Bardhës e Ilirit, një linjë kjo paralele e rrëfimit filmik që kuptimëson edhe esencën e konfliktit në mes të Ukës (babait) dhe Ilirit (djalit). Uka është personifikimi i një kodi të pashkruar në etikën e lashtë shqiptare që luftën e brendshme për të ruajtur të pacenuar fjalën e dhënë, e shndërron në konflikt të hapur me gjithë ata që rivalizojnë me këtë kod përmes praktikave të reja jetësore që sjell mërgimi. Martesa e Ilirit me francezen Sabina rivalizon dy koncepte sociale e kulturore, por edhe dy gjendje emocionale e shpirtërore, që përfundimisht nuk arrijnë të bashkëjetojnë dhe rrjedhimisht vjen largimi nga vendlindja, por kësaj radhe ky largim na paraqitet si antipod i një kthimi të keqkuptuar. Kthimi nuk arriti të sublimojë harmoninë sentimentale me atë psiko-sociale dhe për pasojë syzheu filmik mbyllet në një rrugë që jo vetëm po linte pluhurin e makinës në ikje të Ilirit dhe Sabinës, por edhe zbrazëtinë prindërore pranë një lisi të prerë që po bëhej gati të luftonte me ftohtësinë e dimrit shpirtëror në skutat e një fshati të harruar malor.
Dramaturgjia e kësaj fabule filmike ka mundur të jetë më e ngjeshur, kurse grafikoni i ecurisë narrative ka mundur të plotësohet me më shumë befasi e kthesa, por pa e lënduar logjikën kryesore të ndërtimit të ngjarjeve e situatave.
Rolet kryesore erdhën të realizuar nga: Selamn Lokaj (Uka),Delphin Depardieu (Sabina) , një aktore nga Franca (mbesa e aktorit të famshëm Xherard Depardeu), Hazir Sh. Haziri Iliri), Liridona Shehu (Bardha), Sefedin Nuredini (lisi), Safete Rugova (nëna) etj.
“Kthimi” mund të quhet një realizim i arrirë në pikëpamje të fotografisë së Vlatko Samoilovski, kostumografisë së Izet Curri, skenografsë së Zeni Ballazhit, muzikës së Memli Kelmendit, montazhit të Kastriot Saqipi dhe Blagoje Nedelkovski. Ndërkaq në cilësinë e producentit ekzekutiv vjen Simeon Damevski.
Filmi “Kthimi” i Kastriot Abdylit është një nismë e mbarë e nxitjes së kreativitetit artistik që po del edhe jashtë kallëpeve të ngushta që i imponon logjika administrative e shtetërore. (koha.mk)