Stamboll, 18 tetor- Qeveria e Arabisë Saudite ka dështuar të ofrojë fakte të kënaqshme në lidhje me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, ndërsa në të njëjtën kohë ka shkaktuar huti me qëndrimet e saj kontradiktore, shkruan Anadolu Agency (AA).
Gazetari saudit Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ndërkohë që ende nuk dihet fati i tij.
Konsullata Saudite në Stamboll kishte deklaruar se “Khashoggi ka dalë nga konsullata dhe janë në kontakt me zyrtarët turq për zbardhjen e të vërtetave”. Paralelisht me këtë, Riadi zyrtar, i akuzuar për vrasjen e Khashoggit, nuk ka ofruar asnjë provë që do të dëshmonte daljen e tij nga konsullata. Po ashtu, zyrtarët sauditë u përpoqën ta vononin hetimin në lidhje me rastin.
– Mungesa e xhirimeve të kamerave
Prokuroria Publike e Stambollit më 2 tetor nisi një hetim në lidhje me pretendimet se Khashoggi është ndaluar në konsullatë, ku kishte arritur në orën 13:00 sipas kohës lokale.
Pretendimet për vrasjen e gazetarit, i cili banonte në SHBA, u përhapën në masë të madhe në mediume më 7 tetor. Konsullata Saudite, e cila pretendoi se Khashoggi ka dalë i gjallë, nuk dha asnjë dëshmi për këtë, madje as xhirime të kamerave.
Ata pohuan se “kamerat kanë qenë të prishura në atë kohë”, gjë që rriti dyshimet se Khashoggi mund të jetë vrarë në ndërtesën e konsullatës. Ndërkaq, videoja e hyrjes së tij në konsullatë u shfaq dy ditë më pas….