Blerësit duhet të kontrollojnë etiketën e ushqimit para se ta blejnë, ndonëse Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve konfirmon se manipulohen me deklaratat dhe afatin e ruajtjes së produktit
Delvina KËRLUKU
Shkup, 29 dhjetor – Ushqimet me afat të kaluar vërehen në shitoret e vendit. Dhe ajo që është më shqetësuese, këto ushqime, hiqen nga raftet e dyqaneve ushqimore të mëdha dhe shiten në dyqanet brenda qyteteve edhe fshatrave, ku edhe blihen nga konsumatorët. Ndodh, rrallë që ushqimi i skaduar të jepet me një çmim më të lirë. Edhe kur janë me afat të kaluar, disa i blejnë për shkak të çmimit më të volitshëm dhe për arsye të kushteve të rënda ekonomike, ndërsa, disa të tjerë prej mungesës së informacionit, shkruan gazeta KOHA.
Mirëpo, pasojat më të rënda nga përdorimi i këtyre ushqimeve reflektohen në shëndetin e konsumatorëve.
“Për fat të keq drejtoria e ushqimit në përgjithësi nuk është në funksion të duhur. Nëpër markete hasim shpesh herë etiketa të ngjitura, të stërngjitura, kjo do të thotë se sa herë që një produkti i skadon afati, ata vendosin një etiketë më afatgjate. Nëse flasim gjithnjë për ushqimet e konservuara ata përmbajnë konservansa, të cilat mbajnë ushqimin që të mos të prishet, por kanë afat të caktuar. Në përgjithësi këta kanë elemente të dëmshme për organizmin siç janë nitratet, ushqimet prej etiologjisë shtazore ose bimore, të gjitha përmbajnë afatin, si çdo ushqim. Dhe përdorimi me afat të skaduar, mund të shkaktojnë sëmundje shumë të llojllojshme, por më së tepërmi te sistemi gastrointestinal. Pra, duhet të ketë parasysh blerësi kontrollin e etiketave”, thotë dr.Sedat Limani, për gazetën KOHA.
Qytetarët thonë se ka pasur raste kur prodhuesi i paketës ka vënë një datë dhe deklaratë dhe distributori ose shitësi paraqet një deklaratë të re dhe të papërshtatshme dhe datën e skadimit. “Ka probleme të mëdha me deklaratat e produktit. Tregtarët në çdo mënyrë përpiqen të fshehin afatin kur produkti është në përdorim dhe në këtë mënyrë e rrezikojë shëndetin e qytetarëve”, thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve konfirmon se manipulohen me deklaratat dhe afatin e ruajtjes së produktit. Ka ankesa për ushqimin, por më shumë për aparatet teknologjike.
“Pjesa më e madhe e ankesave ka të bëjë me probleme të prodhimeve teknologjike në lidhje me atë se janë të riparuara tri herë që është maksimumi ligjor pas të cilit konsumatorit i takon të marrë produkt të ri”, thotë Pavle Kostovski, këshilltar juridik në Organizatën e konsumatorëve të Maqedonisë. Nga atje thonë se qytetarët në Maqedoni nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre si konsumatorë.
Për përmirësim të kësaj gjendje, në kuadër të programit për mbrojtjen e konsumatorëve, organizohen konferenca dhe përgatiten broshura në formë elektronike dhe të shtypur, ku konsumatorët mund të informohen më tepër për të drejtat e tyre. Të drejtat e konsumatorëve në Republikën e Maqedonisë, duhet të përgatitet përmes njohjes së të drejtave themelore të konsumatorëve, të cilat janë caktuar me Ligjin e mbrojtjes së konsumatorëve. Njëherësh, me këtë ligj rregullohen kushtet dhe mënyra e mbrojtjes së konsumatorëve, kushtet për punë tregtare, të drejtat dhe obligimet e shoqatës së konsumatorëve dhe kompetenca e organeve të drejtorisë shtetërore në raport me mbrojtjen e konsumatorëve. (koha.mk)