Shkencëtarët kanë përpiluar hartën e “fillimit të një ekosistemi të ri” në gadishullin Antarktik, pasi që algat mikroskopike kanë behur në të gjithë sipërfaqen ku bora ka shkrirë, duke gjelbëruar sipërfaqen dhe duke krijuar potencialisht një burim ushqimi për speciet e tjera. Ekipi britanik që qëndron pas këtij hulumtimi beson se këto alga do të zgjerojnë shtrirjen e tyre në të ardhmen, ngase ngrohja globale është duke krijuar kushte më të volitshme për përhapjen e tyre.
Në disa pjesë, format njëqelizore të jetës janë aq të dendura saqë e mbulojnë borën me ngjyrë të gjelbër dhe mund të shihet nga hapësira, thuhet në studimin e botuar të mërkurën në revistën shkencore “Nature Communications”. Biologë të Universitetit të Cambridges dhe British Antarctic Survey kanë kaluar plot gjashtë vjet në detektimin dhe matjen e algave të gjelbra në borë, duke e përdorur një kombinim të të dhënave satelitore dhe observimeve tokësore. Rezultatet përbëjnë hartën e parë të plotë të shtrirjes së algave në gadishull, të cilat do të përdoren si pikë reference për vlerësimin e shpejtësisë së shndërrimit të kontinentit të bardhë në zonë të gjelbër shkaku i krizës klimatike dhe potencialisht të ofrojë ushqim për speciet e tjera. Studiuesit tashmë kanë gjetur se algat veç kanë formuar lidhje të ngushta me sporet e imëta kërpudhore dhe bakteret.
“Është ky një komunitet. Kjo gjë mund potencialisht të krijojë habitate të reja. Është fillimi i një ekosistemi të ri”, ka thënë Matt Davey nga Universiteti i Cambridges, njëri nga shkencëtarët që udhëhoqi studimin. Ai e përshkroi hartën e algave si copëzën e munguar të mozaikut të ciklit të karbonit në Antarktik. Harta identifikon 1.679 vatra të ndara të borës së gjelbër algore, të cilat bashkërisht mbulojnë një sipërfaqe prej 1.9 kilometrash katrorë, ekuivalente me uljen prej rreth 479 tonë të karbonit në vit. Kjo shifër është e barabartë me emetimin e gazrave serrë nga 875.000 udhëtime me vetura në Mbretërinë e Bashkuar, meqenëse në terma globalë është shumë e ulët sa për ta bërë një ndryshim në sasinë e karbonit të planetit.