Edmund Dantes (Jim Caviezel), të cilin e tradhton miku i tij më i ngushtë Fernand Mondego (Guy Pearce), vuan në skaj të botës dinakërinë e skemave dhe intrigave në shoqëri. Në burg, Dantes, përmes gërmimeve të tuneleve nëntokësore, takon Faria-n (Richard Harris)
Drejtësia njerëzore dhe ajo institucionale e shoqërore, jo rrallëherë përgjatë historisë, kanë qenë në antagonizëm të plotë. Për shkak të padrejtësive shoqërore, njerëzit shpesh e kanë marrë drejtësinë në duart e tyre, duke e ekzekutuar atë sipas vullnetit personal, në shlyerjen e dëmeve që u janë bërë prej atyre padrejtësive. Edmond Dantes, në filmin “The Count of Monte Cristo” (2002), pikërisht për të njëjtën arsye, e merr “të drejtën” në dorën e tij. Armiqtë e tij ia kanë dalë ta shkatërrojnë jetën e tij. Ata kanë fituar pozitë mbi pozitë në shoqëri, gjersa ai vuan një dënim me burgim të përjetshëm në burgun-ishull “Chateau d’if”. Edmund Dantes (Jim Caviezel), të cilin e tradhton miku i tij më i ngushtë Fernand Mondego (Guy Pearce), vuan në skaj të botës dinakërinë e skemave dhe intrigave në shoqëri. Në burg, Dantes, përmes gërmimeve të tuneleve nëntokësore, takon Faria-n (Richard Harris).
Faria, një njeri i mençur, por në fund të viteve të tij, i mëson Dantes-it filozofi, ekonomi, matematikë, dyluftim me shpatë dhe me duar. Po ashtu, i mëson strategji ushtarake dhe të gjitha artet mendore, por, në veçanti, i kallëzon për veprën e Adam Smith-it, “Pasuria e Kombeve”, dhe “Princin” e Machiavelli-t. Mendjendrituri Faria i jep Dantes edhe një hartë-thesari të Spada-s. Pasi e gjen, ai bëhet një njeri i pasur. Me këtë pasuri, statusi i tij shoqëror ndryshon. Ai shndërrohet në personalitet të lartë dhe misterioz në shoqërinë, e cila e kishte dënuar në mënyrë tinëzare. Prej Edmund Dantes, ai tanimë bëhet Konti misterioz i Monte Kristos.
Ai kthehet në epiqendrën e shoqërisë, pasi është njeri i pasur, misterioz, që ngjall interesim të madh në shoqëri. Të gjithë aristokracinë ai e lë në hije me gostitë që i organizon dhe njerëzit që i fton bien nën magjinë mistike të tij. Ai pothuajse bëhet protagonist i Providencës, që shpërblen ata që kanë qenë të drejtë e të mirë me të, kurse shkaktarët e agonisë së tij i përndjek hap pas hapi, duke ua shkatërruar jetën, bizneset, pozitat e tyre në shoqëri etj. Ar (mik) un e tij jetësor, Mondegon, arrin ta falimentojë deri në qindarkën e fundit. Ai fiton sërish ish-gruan dhe djalin e tij, të cilin Mondego e kishte mashtruar për t’u martuar si shoku më i ngushtë i Dantes-it. Në fund, në mënyrë epike, i jep fund jetës së tij, me ngjyrat më letrare dhe morale të fundit të një tregimi epik-historik.