Po të analizojmë memorandumin për prioritetet e Portugalisë gjatë udhëheqjes së tyre me BE-në, menjëherë do të vërejmë se nga dhjetë pikat, tetë kanë të bëjnë me çështjet ekologjike, një me bujqësinë dhe një me sundimin e së drejtës. Domethënë, Ballkani Perëndimor nuk figuron si çështje me interes për ata, thonë analistët
Xhenur ISENI
Shkup, 20 janar – Portugalia, e cila është kryesuese aktuale me Bashkimin Evropian, shpreson se në gjysmën e parë të vitit, do ta debllokojë kontestin me Sofjen dhe do të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Sekretarja shtetërore portugeze – përgjegjëse për BE-në, Ana Paulla Zakariash ka porositur se zgjerimi i BE-së është prioritet për presidencën portugeze që ka filluar më 1 janar dhe zgjat deri më 30 qershor këtë vit. Ajo ka shtuar se në vijim janë kontaktet me dy palët, Shkupin dhe Sofjen për gjetjen e zgjidhjes së kontestit dypalësh që e bllokon hapjen e negociatave me BE-në. Por për dallim nga kryesimi i Gjermanisë, kryesimi i Portugalisë është më i kujdesshëm në dokumentet zyrtare. Ata nuk e përmendin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ne do ta mbështesim procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në bazë të metodologjisë së re, më kredibile dhe më efikase, si dhe përpjekjet për stabilizim dhe integrim në rajon dhe do ta mbështesim Komisionin Evropian në lidhje me proceset rrjedhëse të reformave në ato vende”, thuhet në tekstin për rajonin. “Po të analizojmë bile edhe tërthorazi memorandumin për prioritetet e Portugalisë gjatë udhëheqjes së tyre me BE-në, menjëherë do të vërejmë se nga dhjetë pikat, tetë kanë të bëjnë me çështjet ekologjike, një me bujqësinë dhe një me sundimin e së drejtës. Domethënë, Ballkani Perëndimor nuk figuron si çështje me interes për ata”, thotë Faton Aliti, analist. Sipas tij nga kjo, mund të përfundojmë se kryesimi i Portugalisë nuk do të ketë ndonjë ndikim në kontestin bullgaro-maqedonas. “Por, shtetet kryesore të BE-së, si Gjermania dhe Franca sigurisht se e kanë në fokus këtë çështje. Edhe pse duket sikur ka një konsensus reth kontestit me Maqedoninë mes të gjitha partive politike në Bullgari, përsëri mendoj se gjërat do të lëvizin pas zgjedhjeve parlamentare atje, dhe se Sofja zyrtare do të ballafaqohet me një presion më të madh nga Brukseli dhe Uashingtoni”, ka deklaruar për KOHA, Faton Aliti, analist.
Nga ana tjetër, edhe politologu Marjan Vuçkoviq nuk mendon se do të kemi debllokim të kontestit mes Sojfes dhe Shkupit gjatë kryesimit portugez me BE-në. Sipas tij ky kryesim mund të kontribuon vetëm në stabilizimin e gjendjes (bisedimeve maqedono-bullgare), por assesi në zgjidhjen e saj. “Thellimi i problemit rreth kontestit mes dy vendeve është shumë më i madh seç parashikohet. Kryesimi i Portugalisë dhe më pas i Portugalisë në vitin 2021 pritet të kontribuon në stabilizimin e gjendjes por asessi nuk pritet zgjidhje e kontestit këtë vit. Presioni diplomatik mund të kontribuon drejt stabilizimit të komisioneve dhe intensifikimit të bisedimeve, por jemi larg nga zgjidhja e problemit”, ka deklaruar për KOHA, Marjan Vuçkoviq, politolog.
Ndërkohë presidenti Stevo Pendarovski porositi se asnjë vend anëtarë e Unionit nuk guxon që përmes vendosjes së kërkesave irracionale ta vë në pikëpyetje ardhmërinë evropiane të popullit tonë. Kryeministri Zoran Zaev porositi se fokusi i bisedimeve me Bullgarinë deri në zgjedhjet atje, do të jetë në planin aksionar, pas së cilës do të pasojë zhvillimi i bisedimeve në nivel politik. Për detajet e shkëmbimit të ideve midis grupeve të punës dhe ministrave të punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për nonpejperin, Zaev tha se mendimi ynë i fundit ndaj vendit fqinj, por edhe reagimi i tyre i cili pasoi si përgjigje e Planit tonë veprues me siguri do të informohen deputetët në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme. Kryeministri përmendi se në koordinim me kryetarin e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme do të dakordohet termin i saktë për mbajtjen e seancës në të cilën deputetët nga ky Komision do të informohen për zhvillimet aktuale me Bullgarinë, ku do të merret parasysh që ata të mos kenë detyrime të tjera pune në Parlament. (koha.mk)