Siç publikoi gazeta bullgare “Trud”, “Patriotët Bullgarë” e morën Deklaratën ditë më parë përmes postës elektronike të nënshkruar nga emra të shquar të sferës akademike .Në të ishin të ftuar gjitha partitë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 korrikut që qartë të thonë se nuk do të devijojnë nga pozicioni aktual i Bullgarisë në raport me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE
Xhenur ISENI
Shkup, 7 korrik – Derisa LSDM tha se do ta pranojë propozim-rezolutën e opozitës VMRO-DPMNE-së që i përcakton pozicionet shtetërore për eurointegrimet, po edhe pozicionet në lidhje me çdo mohim të identitetit gjuhësor, kulturor apo kombëtar maqedonas, të cilat do të ishin të detyrueshme për qeverinë aktual dhe çdo qeveri të ardhshme, në Bullgari u paraqit një iniciativë e re. Bëhet fjalë për Deklaratë me shtatë pika të cilat Maqedonia e Veriut duhet t’i përmbush që Bullgaria ta ndryshon pozicionin e tanishëm në raport me integrimet e vendit. Deklarata e propozuar u njoftua nga koalicioni parazgjedhor “Patriotët Bullgarë” të përbërë nga partitë e krahut të djathtë VMRO-BND, Volja dhe NFSB. Siç publikoi gazeta bullgare “Trud”, “Patriotët Bullgarë” e morën Deklaratën ditë më parë përmes postës elektronike të nënshkruar nga emra të shquar të sferës akademike. Në të ishin të ftuar gjitha partitë që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 korrikut, që qartë të thonë se nuk do të devijojnë nga pozicioni aktual i Bullgarisë në raport me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Në hyrje të Deklaratës theksohet rëndësia kryesore që Bullgaria i kushton marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe aspiratat e popullit Bullgar për të zhvilluar marrëdhënie vëllazërore me qytetarët e vendit fqinj në një kontekst të përbashkët evropian. Potencohen përpjekjet e Bullgarisë në kërkesat e saj që të respektohen kriteret e Kopenhagës për gjitha vendet të cilat dëshirojnë të fillojnë negociata me BE-në, por edhe “Shqetësimi i opinionit të gjerë bullgar se gjuha e urrejtjes dëgjohet ende në Maqedoninë e Veriut, po predikohen të pavërteta dhe po shkelen të drejtat e njerëzve që kanë pasur virtytin të respektojnë rrënjët e tyre Bullgare”. Iniciatorët kanë shprehur mbështetjen e tyre të “fuqishme për Deklaratën e Kuvendit Nacional nga nëntori i vitit 2019 që u soll njëzëri”, ndërsa përshëndesin pozicionin e presidenti bullgar dhe qeverisë së përkohshme në Bruksel që kanë shprehur në Bruksel muajin e kaluar.
SHTATË PIKA
Ata që do të nënshkruajnë Deklaratën zotohen të deklarojnë se Parlamenti dhe Qeveria e re bullgare do të vazhdojnë në të njëjtën frymë, duke respektuar vullnetin e popullit bullgar, pasi çdo devijim prej tij – do të barazohet me tradhti kombëtare. “Bullgaria duhet të merr garanca të qarta juridike se obligimet që ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut, ose do t’i merr, do të respektohen me mirëbesim. Për këtë qëllim, ato duhet të përfshihen në kornizën e negociatave”, thuhet në pikën e parë të Deklaratës. Në pikën e dytë thuhet se Maqedonia e Veriut definitivisht duhet të heq dorë nga çfarëdo pretendimi të pakicave ndaj Bullgarisë, e treta – të përjashtohet çdo mundësi pretendimesh territoriale ndaj Bullgarisë dhe për të konfirmuar përpara KB se emri i shkurtër dhe i gjatë i vendit i referohen vetëm subjektit politik “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe jo rajonit gjeografik të Maqedonisë së Veriut, një pjesë e së cilës ndodhet brenda kufijve të Bullgarisë.
Së katërti, të aktivizohet një proces për rehabilitimin e viktimave të komunizmit jugosllav, të shtypur në territorin e tyre për shkak të vetëdijes së tyre bullgare. E pesta, ta korrigjojë përmbajtjen e programeve arsimore maqedonase me qëllim pasqyrimin objektiv të historisë së përbashkët dhe largimin e përmbajtjeve që mbjellin urrejtje ndaj Bullgarisë. E gjashta, identifikimi dhe largimi i tabelave dhe mbishkrime që krijojnë urrejtje ndaj Bullgarisë dhe Bullgarëve dhe pika e fundit – Maqedonia Veriore t’i përmbahet me përpikmëri klauzolës së vendosur dhe ratifikuar nga parlamentet e të dy vendeve për gjuhën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila duhet të gjejë një shprehje të përshtatshme në dokumentet zyrtare të BE-së.
Siç është publikuar në mediat bullgare, në Komitetin inicues, i cili e propozon Deklaratën janë akademiku Georgi Markov, profesorët Krasimir Popkonstantinov, Plamen Pavlov, Hristo Prodanov, Hristo Smolenov, Trendafil Mitev, D-r Aleksandar Grebanov dhe D-r Gorgi Nikolov. Një pjesë janë historianë, ndërsa njëri prej tyre ka qenë edhe kryetarë i Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 2002.
MIDIS PROCESIT TË BERLINIT DHE MURIT FQINJ
Pikat ose kushtet që janë potencuar në këtë deklaratë, në fakt janë qëndrimet veçmë të njohura nga pala bullgare. Ajo që është e re është se riafirmimi i tyre kërkohet një javë para zgjedhjeve dhe vjen në një kohë kur “partitë patriotike” po shprehin gjithnjë e më shumë dyshime se disa nga partitë që kanë një shans për të hyrë në parlamentin e ri mund të devijojnë nga pozicioni nacional. Nga koalicioni “Patriotët Bullgarë”, dje paralajmëruan se publikisht do ta nënshkruajnë deklaratën, që të japin shembuj se si duhet të veprojnë edhe partitë tjera që janë në garë zgjedhore për parlamentin e 46 bullgar. Deri më tani nuk dihet nëse edhe partitë tjera do ta nënshkruajnë këtë deklaratë. Iniciativa ndodhi para Samitit të djeshëm virtuel të liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë në suaza të Procesit të Berlinit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel në këtë Samit ka folur për procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe punën që ato po bëjnë në këtë drejtim. Merkel ka potencuar se ka shumë punë për të bërë në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa ka bërë të ditur se më 3 tetor në Slloveni do të mbahet një takim për të biseduar për çështje teknike. Ajo ndërkaq ka përmendur problemet Kosovë-Serbi dhe Maqedoni Veriore-Bullgari. “E dimë që ekzistojnë një sërë problemesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi edhe një varg bisedimesh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore dhe na nevojitet shumë angazhim dhe durim. Është interesi i bashkësisë evropiane që bashkëpunimi me vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë i mundshëm, dhe natyrisht ka shumë për të bërë për anëtarësimin”, tha Merkel. (koha.mk)