Vetëdija e ulët qytetare para se gjithash dhe mungesa e hapësirave të përshtatshme për hedhjen e mbetjeve të kurbaneve, ka ndikuar që pas çdo feste të Kurban Bajramit, në Shkup dhe më gjerë të kundërmon erë e rëndë. Për këtë arsye Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, ka paraparë vendosjen e kontejnerëve në disa pika
Omer XHAFERI
Shkup, 8 korrik – Mbetjet e kurbaneve dhe lëkurat e tyre po ndodhë të hidhen kudo. Higjiena Komunale – Shkup, për këtë arsye të enjten njoftoi se me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ka ndërmarrë masa që në Shkup e rrethinë mos të përsëritet situata e njëjtë si e viteve të kaluar, ku mbetjet organike të kurbaneve hidheshin në vend e pa vend. Drejtori Abdusamed Shabani, para mediave theksoi se paralelisht me këtë aksion, po bëhet pastrimi dhe larje e lagjeve dhe xhamive, shkruan gazeta KOHA.
“Meqë jemi në prag të Festës së Kurban Bajramit, ne si Higjienë Komunale, ashtu si për çdo festë fetare edhe këtë herë bëjmë aksione për pastrimin e gjithë qytetit të Shkupit. Kësaj radhe aksioni do të përqendrohet në lagjet me shumicë të komunitetit mysliman. Kësisoj ne apelojmë deri te qytetarët që mbetjet e kurbanit dhe lëkurat e tyre mos të hidhen kudo. Për këtë arsye do të vendosen kontejner të posaçëm, me madhësi prej 5m3, ku qytetarët do të kenë mundësi ti hedhin mbetjet organik. Ndryshe, nëse këto mbetje hidhen në vende të papërshtatshme ndodh që të kalben shpejtë dhe të vijmë në një situatë ku mund të përhapen sëmundje”, tha drejtori Shabani.
Vetëdija e ulët qytetare para se gjithash dhe mungesa e hapësirave të përshtatshme për hedhjen e mbetjeve të kurbaneve, ka ndikuar që pas çdo Feste të Kurban Bajramit, në Shkup dhe më gjerë të kundërmon erë e rëndë. Për këtë arsye Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale”, ka paraparë vendosjen e kontejnerëve në disa pika në Çair, Saraj dhe komunat tjera ku jetojnë pjesëtar të komuniteti mysliman. Përvojë të hidhur me mbetjet organike të kurbaneve viteve të kaluara kanë pasur edhe nëpunësit që kujdesen për rrjetin e kanalizimit, sipas të cilëve shumë mbetje të kurbaneve hidhen në puset e kanalizimeve të lagjeve.
Myftiu i Qytetit të Shkupit, Mr. Qenan ef. Ismaili, i cili me nëpunësit e tij dhe hoxhallarët i është bashkangjitur këtij aksioni, tha se kurbani si adhurim në vetë ngërthen edhe etikën e therjes dhe mënyrës së shpërndarjes së mishit, lëkurës dhe mbeturinave.
“Përmes 136 xhamive në Shkup e rrethinë u kemi sugjeruar besimtarëve mënyrën se si duhet të theret kurbani dhe çka duhet bërë me mbeturinat. Po ashtu ne si Myftini këtë vit i kemi zgjeruar pikat (dy në Saraj, Haraçinë, Hasanbeg, Studeniçan, Batincë dhe te Myftinia në Kala) ku do të bëhet grumbullimi i lëkurave të kurbanit dhe njëkohësisht i kemi motivuar qytetarët që ato të kripësen dhe ashtu të dorëzohen me qëllim që mos të kundërmon erë e keqe”, tha myftiu Ismaili.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu shprehi mirënjohje për traditën e krijuara nga Higjiena e Komunale, e cila para çdo feste, në këtë rast para çdo Bajrami, bëjnë pastrimin gjeneral të rrugëve dhe objekteve fetare dhe Çarshisë së Shkupit. “Për pikat e grumbullimit të mbetjeve organike nga kurbanet qytetarët do të informohen në mënyrë shtesë, si nga ana e komunës, ashtu edhe nga Higjiena Komunale dhe Myftinia e Shkupit. Çdo lagje në Komunën e Çairit, për shkak dendësisë së popullatës do të ketë pika grumbullimi. Kështu që kemi pasur kujdes në përzgjedhjen e pikave të grumbullimit, me qëllim që ato mos të jenë afër vendbanimeve”, tha Ganiu. (koha.mk)