Romë, 29 korrik – Kryeministri italian Xhuzepe Konte, duke iu drejtuar anëtarëve të dhomës së ulët të Parlamentit italian, sot tha se janë të pavërteta lajmet se zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme nga 31 korriku deri në 15 tetor do të thotë karantinë.
Ai u bëri thirrje atyre që kundërshtojnë propozimin e qeverisë të prononcohen qartë, për të mos u ankuar për qeverinë për një qëllim që nuk ekziston.
“Propozimi i Qeverisë për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në kërkesa organizuese dhe operuese, e jo se dikush dëshiron ta shfrytëzojë apo instrumentalizojë situatën”, tha Konte.
Ai në mënyrën indirekte i akuzoi partitë opozitare se “krijojnë konfuzion mes qytetarëve dhe dëmtojnë prestigjin e Italisë në botë”.
“Nuk është e saktë se vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme do të thotë vazhdim i karantinës”, theksoi Konte.