Stërvitja nga shtëpia sipas Antonio Kontes është një orë e mirë vrapim në tapetin rrotullues pasdite. Një aktivitet fizik që zgjon endorfinat, çliron mendjen dhe largon stresin. Por, njëfarë “stërvitje” për Konten është edhe disa orë përpara kompjuterit për të zbërthyer Interin, një televizor për t’u azhurnuar, të dhënat fizike në duar dhe mendimet për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes.
STUDIMI – Ja, ky është qëndrimi në shtëpi i trajnerit zikaltër. Konte nuk ka qenë kurrë një menaxhues lojtarësh, ka refuzuar gjithmonë atë ide e të qenit teknik jo në lartësi edhe përballë një skuadre të ndërtuar ekskluzivisht nga kampionë. Atëherë ai studion. Drejton kampionët e tij nga distanca, duke mos bërë të mungojë mbështetja dhe duke i drejtuar përmes stafit të tij për aktivitetet fizike që duhet të kryejnë.
E lehtë për dikë ta mbyllte këtu. Por, Konte di të shndërrojë limitimet në mundësi. Po shfrytëzon këto ditë për të bërë atë që në kushte normale do të kishte bërë vetëm në fund të sezonit. Duke analizuar çdo detajr të skuadrës pjesë-pjesë, në mënyrë që të ketë një ide të përgjithshme më të mirë. E atëherë falë stafit, me ndihmën e vëllait Xhanluka, Konte ka tani në kompjuterin e tij gjithë ndeshjet sezonale të Interit.
Diçka që një trajner nuk arrin kurrë të bëjë gjatë vitit, veçanërisht në javë me më shumë angazhime: maksimumi limitohet me 10-15 minuta analiza videosh, por duke parë 90 minutat e plota arrin të ketë një ide më të thelluar. Konte po studion edhe të dhënat fizike të secilit prej lojtarëve, parabola e rendimentit, parametrat që do të mund të rezultojnë thelbësore në të ardhmen. Është një punë e dobishme edhe, për shembull, për momentin kur trajneri do të ulet me drejtuesit për të diskutuar merkaton.
REZULTATET – Interi është me siguri i përmirësueshëm, teknikisht dhe në karakter. Gjithë herët që skuadra ka hasur vështirësi, ka qenë gjithmonë për skak të një rënie rendimenti gjatë ndeshjes. Aspekti pozitiv është që Konte tani ka gjetur siguritë mbi të cilat të ndërtojë Interin e së nesërmes.
Ka baza solide ku të mbështetet: Shkriniar, De Vraj, Bastoni, Barela, Sensi, Brozoviç, Lukaku dhe Lautaro. Tetë lojtarë me moshë mesatare të ulët, ku më i vjetri është De Vraj, 28 vjeç. Pra, ka një “shtyllë kurrizore”, tani Interi mund t’i dedikohet modifikimeve.
BINDJET – Përmendëm edhe Sensin. Dhe jo më kot, sepse Interi më i mirë është parë me ish-mesfushorin e Sasuolos në fushë. E kanë përndjekur dëmtimet, por besimi i Kontes mbetet i paprekur. Po ashtu siç mbeten edhe bindjet taktike të trajnerit. Moduli 3-5-2 është një rrugë që nuk ia vlen të braktiset.
Dhe është pikërisht ky konteksti ku duhet të gjejë veten edhe Kristian Eriksen, duke u ndihmuar nga “shkëndijat” që tregonte te Totenhemi: kështu do mund t’i japë një dorë skuadrës dhe trajnerit të tij.