Romë, 3 prill – Kryeministri italian Xhuzepe Konte sot e ashpërsoi retorikën e tij dhe kontestin për paratë për shkak të pandemisë me shefen e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen përmes faqeve të gazetës së përditshmes “La Republika”.
Konte për gazetën shkroi letër si përgjigje të kërkim-faljes, të cilën Ursula fon der Lajen dje e publikoi në të njëjtën gazetë.
“Më vjen keq”, u shkroi Ursula fon der Lajen, italianëve. “BE tani është me ju”, shtoi ajo.
Në letrën e Kontes nuk ka ndjenjë se teksti i kryetares së KE-së i ka lënë ndonjë përshtypje.
“E dashura Ursula”, shkroi ai, “dëgjoj ide (nga ju) që nuk janë të denja për Evropën”.
Ai gjithashtu tha se ishte koha që BE “të tregojë më shumë ambicie, më shumë unitet dhe më shumë guxim”.
Kontesti është për miliarda euro, me të cilat Italia kërkon nga Bashkimi Evropian t’i ndihmojë në luftimin me pandeminë të koronavirusit të ri, e cila deri më tani në këtë vend ka vrarë pothuajse 14.000 persona dhe ka shkatërruar ekonominë.
Konte kërkoi nga BE që të fillonte me lëshimin e së ashtuquajturës “koronaobligacion”, që u mundëson vendeve, si Italia, më lehtë dhe më lirë të menaxhojnë me krizën.
Ursula fon der Lajen, nga ana tjetër, ka qenë në anën e Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera të Evropës Veriore, të cilat kanë dyshime për unifikimin e rreziqeve financiare, pasi kjo mund të rrisë shpenzimet e tyre për hua në kurriz të vendeve më të huazuara.
Ursula fon der Lajen mbështet garanci për të gjithë BE-në, të cilat mund të mbledhin 100 miliardë euro për të ndihmuar planet kombëtare të papunësisë në vendet me probleme.
Ajo u tregoi italianëve se me këtë mbështetje me kredi, BE “demonstron solidaritetin evropian”.
Konte deklaroi se e mirëpret nismën e BE-së për papunësinë. Por, ai, gjithashtu, shtoi se dëshiron të bëjë të qartë se dëshiron edhe “koronaobligacion”.