Romë, 19 tetor – Kryeministri italian Xhuzepe Konte paralajmëroi se për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, orari i punës në kafene dhe restorante do të jetë i kufizuar, ndërsa kryetarët e komunave do të kenë autorizime të mbyllin sheshet dhe vendet publike pas orës 21:00.
Duke iu drejtuar kombit, ai sqaroi që objektet hotelierike pas orës 18:00 duhet të kufizojnë punën e tyre vetëm në shërbimet në tryezë dhe se orët e tyre të punës do të kufizohen në mesnatë, festivalet lokale u ndaluan, ndërsa palestrat dhe pishinat publike mbetën të hapura për momentin. megjithëse nuk e përjashtoi mundësinë që ato të mund të mbyllen për disa javë.
Konte shtoi se masat parandaluese mbeten në fuqi – mbajtja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjiena e duarve, njoftoi Bi-Bi-Si.
Ai gjithashtu tha se po ndërmerren masa për të shmangur karantinën, e cila mund të rrezikonte ekonominë e vendit.
Në Itali, dje u konfirmuan 11.705 raste të reja të koronavirusit, që është numri më i lartë që nga fillimi i pandemisë.
Deri tani, gjithsej 414.000 njerëz janë infektuar në vend, ndërsa 36.500 kanë vdekur, duke e bërë Italinë vendin e dytë në Evropë sipas rasteve të vdekjes nga virusi pas Britanisë së Madhe.