Kurrë nuk ka qenë një sekret, që merkato e Çellsit verën e kaluar nuk i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë dhe kërkesat e Antonio Kontes, i cili do të pëlqente më shumë përforcime, sidomos në mesfushë dhe sulm. Deri tani, në funksion të sesionit të dimrit, që po afrohet, tekniku i “Blues” pret nënshkrime të reja për gjysmën e dytë të sezonit dhe nuk e “kafshon gjuhën” për të thirrur Arturo Vidal.
“Do ta doja gjithmonë me mua”, një frazë ajo e Kontes, i cili është dorëzuar pas fitores së fundit të Çellsit të tij në Brajton 2-0, çka i çoi kampionët në fuqi -1 pikë nga Mançester Junajtedi, në vendin e dytë. Ish-trajneri i kombëtares italiane iu rikthye dëshirës së tij për të pasur nën urdhra Arturo Vidalin, me të cilin te Juventusi fitoi tri kampionate radhazi. Kiliani, bashkë me Pirlon, ishte njeriu kryesor i asaj skuadre, teksa ofroi një punë të pashtershme në të dyja fazat, defensive dhe ofensive. Kontrata e Vidal me Bajern Munih skadon në vitin 2019 dhe gjendja e tij, për disa kohë, nuk është më si më parë, e blinduar. Mesfushori nuk është një lojtar i patundur në formacionin bavarez dhe tashmë, Interi është përpjekur që në verë që ta marrë nga klubi gjerman. Gjashtë muaj më vonë, situata nuk ka ndryshuar shumë, në kuptimin që alternativat për Hejnkes (dhe më përpara Ançeloti) nuk mungojnë dhe për këtë arsye kiliani mund të jetë i sakrifikuar. Çellsi do të ishte një zgjidhje ideale për të, sidomos për Konte, i cili është i etur për ta “përqafuar” nxënësin e tij.