Përveç Flakronit, djalit të Haxhi Shalës, tre të shkarkuarit e tjerë janë: Blendi Kilaj (Lubjanë), Lindon Kqira (Shkup), Halim Krasniqi (Tiranë)
Katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë i ka shfuqizuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, pas raportimeve të KOHËS. Në mesin e tyre është edhe dekreti për emërimin e djalit të Haxhi Shalës, Flakronit – konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë. Tre të shkarkuarit e tjerë janë: Blendi Kilaj (Lubjanë), Lindon Kqira (Shkup), Halim Krasniqi (Tiranë). Dekretet i kishte firmosur ish-presidenti Hashim Thaçi, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Diasporës. Siç thuhet në komunikatën për media të Presidencës, “sa u përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada”. “Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. së presidentes, Osmani, ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak”, thuhet në njoftim.
Në ndërkohë, sipas Ligjit dhe rregulloret me të cilat funksionon Ministria e Jashtme, pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur. Derisa 50 për qind e ambasadorëve ose shefave të misioneve mund të emërohen me çelës politik vetëm për një mandat, kjo nuk vlen për konsujt e përgjithshëm. Po ashtu, janë tri grada nëpër të cilat duhet të kalojë një zyrtar në Komisionin përkatës, para se t’i jepet titulli konsull i përgjithshëm. MPJ-ja nuk ka dhënë sqarime nëse është ndjekur kjo procedurë. Vëzhgues të punës së shërbimit të jashtëm thonë se emërimi i Shalës është vazhdimësi e praktikës ku misionet vihen në shërbim të interesave partiake.
KOHA ka raportuar më herët edhe për tre të shkarkuarit e tjerë nga misionet konsullore. Në fillim të shtatorit, ish-presidenti në mënyrë të jashtëligjshme ka firmosur dekretin nëpërmjet të cilit iu vazhdua mandati edhe për katër vjet të tjerë konsullit të përgjithshëm në Tiranë, Halim Krasniqi. Sipas Ligjit për shërbimin e jashtëm, emërimi i konsujve të përgjithshëm bëhet me dekret të presidentit të Republikës së Kosovës, pas rekomandimit të ministrit të Punëve të Jashtme. Në rastin e Krasniqit, i cili është vëllai i sekretarit të Qeverisë, Fitim Krasniqi, ky rekomandim ka munguar. Derisa Thaçi nuk e ka sqaruar bazën ligjore të dekretit, Ministrinë e Jashtme, si rrallëherë kishte kërkuar tërheqjen e Krasniqit nga Konsullata. Vendimi për tërheqjen e Krasniqit ishte marrë më 30 mars të këtij viti nga ish-ministri Glauk Konjufca. Por presidenti ka refuzuar ta dekretojë tërheqjen gjatë kohës së Konjufcës, por edhe pas ardhjes së Meliza Haradinajt në krye të Ministrisë.
Mbështetur në ligj, të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të Shërbimit të Jashtëm, shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të tij Ministria nuk ka obligim ndaj tyre. Në përfundim të mandatit të parë, Krasniqi ishte denoncuar nga një zyrtare e Konsullatës me akuzën për sulm fizik, rast për të cilin kishte raportuar “Koha Ditore”. Një padi nga ish-zyrtarja e Konsullatës është ngritur edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës para pesë muajsh.
Halim Krasniqi ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Tiranë më 26 prill të vitit 2016, nëpërmjet një dekreti të firmosur nga presidenti Hashim Thaçi, të njëjtin muaj kur ky i fundit ishte inauguruar president i vendit. Dekreti kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit, pavarësisht faktit se atëkohë nuk kishte konsullatë të formuar, ndërsa Krasniqi vepronte në kuadër të Ambasadës. Kurse i shkarkuar tjetër, Blendi Kilaj më 21 shtator të 2019-s ishte propozuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, si konsull i përgjithshëm në Lubjanë. Emërimi kishte ndodhur pavarësisht faktit se Konsullata nuk ekzistonte. Në bazë të propozimit, presidenti Hashim Thaçi kishte nxjerrë dekret për emërim. Ai është djali i ish-kryetarit të Malishevës nga radhët e PDK-s, Isni Kilaj. E, Lindon Kqira ka qenë ndër njerëzit e fundit që ka marrë gradë diplomatike nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Nëpërmjet një vendimi të dyshimtë, zyrtari i Partisë Liberale (PLK) ishte dërguar në Ambasadën e Kosovës në Shkup, në krye të së cilës është kryetari i nderit i së njëjtës parti – Gjergj Dedaj. Nëpërmjet vendimit, Kqirës i ishte dhënë grada diplomatike “ministër këshilltar”, e treta për nga lartësia, pas gradës ambasador dhe ministër.