Hedhja në pazare xhambazësh e çështjeve delikate politike, duke dashur që ta prezantojnë peshën politike të tetë deputetëve të përjashtuar të VMRO-së si përcaktuese e finales së këtij procesi në dëm të kërkesave minimaliste të shqiptarëve, është një manovër politike që nuk i kontribuon frymës së harmonisë ndëretnike dhe mirëkuptimit politik të të gjithë faktorëve që determinojnë një përfundim fatlum të një procesi që është i dobishëm për të gjithë
Nga Emin AZEMI
Përcaktim strategjik i shqiptarëve të Maqedonisë është NATO dhe BE. Këtë përcaktim ata nuk e ndërtuan për t’u dukur më simpatik karshi të tjerëve, por pse mendojnë se si të tillë mund të jenë më të mbrojtur nga çfarëdo lloj tendence retrograde që mund të vijnë nga politikat rigjide maqedonase. Madje një përcaktim i tillë është edhe mbi interesat e ngushta partiake, kështu që të kota tingëllojnë thirrjet për pjekuri politike, kur në të kaluarën kjo pjekuri e shqiptarëve doli të jetë shtylla mbi të cilën u vendos stabiliteti dhe ardhmëria europiane e vendit. Sa i përket pjekurisë, shqiptarët dëshmuan përgjegjësi shtetërore më të lartë se vetë maqedonasit.
Amendamentet shtesë të opozitës shqiptare nuk e rrezikojnë procesin final të Prespës. Këtë proces mund ta rrezikojnë obstruksionet neglizhuese ndaj këtyre amendamenteve, që në instancë të fundit me asgjë nuk po e mohojnë identitetin e maqedonasve. Nëse kërkohen garanci (kushtetuese) shtesë me të cilat do të sigurohet një ardhmëri edhe për shqiptarët, kjo nuk e relativizon peshën dhe rëndësinë që ka thelbi i Marrëveshjes së Prespës, e që është ridefinimi terminologjik i identitetit maqedonas. Të kota janë kukurisjet e disa profesorëve maqedonas për gjoja “paturpësinë e partive opozitare shqiptare”, të cilat, sipas tyre, po e prishkan frymën e marrëveshjes përfundimtare me Greqinë. Ata janë të zbehtë në argumentime kur thonë se kërkesat e shqiptarëve godasin drejtpërdrejt identitetin nacional të maqedonasve që u arrit me shumë mundi në bisedimet me palën greke. Kjo zbehtësi vjen duke mbetur pa pupla në momentin kur nxjerr në sipërfaqe një ekuivalencë false midis identitetit maqedonas kërkesave të shqiptarëve për një ridefinim gjuhësor të shtetësisë, që në instance të fundit është betonim i vetë emrit të ri të shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut.
Partitë politike shqiptare, si ato në pushtet, edhe ato në opozitë, u treguan mjaft konstruktive në raport me temat sensitive maqedonase. Ky konstruktivitet po vazhdon edhe tani në fazën finale të miratimit të ndryshimeve kushtetuese, si parakusht i miratimit përfundimtar të Marrëveshje së Prespës.
Por, nëse dikush ka pritur që shqiptarët në Maqedoni do të jenë skajshmërisht naiv në qëndrimet e tyre kundrejt dilemave e paqartësive që ndërlidhen me statusin e tyre shtetformues, kjo mund të jetë lajthitja më e madhe. Jo vetëm për shkakun se shqiptarët dhe maqedonasit kaluan nëpër nivele të ndryshme të shtetndërtimit, por edhe për faktin se me lojalitetin dhe përcaktimin properëndimor të shqiptarëve, është abuzuar aq shumë, sa që çdo kërkesë minimaliste me automatizëm përkthehet si tendenciozitet që gjoja po rrezikoka proceset euro-integruese.
Askush nuk do të donte të ishte në lëkurën e kryeministrit Zaev në këto moment dramatike, por ai dhe partia e tij do të duhej të jenë më koshientë në raport me shqiptarët, sepse vetëm me mbështetjen e këtyre të fundit ai arriti të mposhtë kundërshtarin tradicional politik , VMRO-në e Gruevskit. Tani hedhja në pazare xhambazësh e çështjeve delikate politike, duke dashur që ta prezantojnë peshën politike të tetë deputetëve të përjashtuar të VMRO-së si përcaktuese e finales së këtij procesi në dëm të kërkesave minimaliste të shqiptarëve, është një manovër politike që nuk i kontribuon frymës së harmonisë ndëretnike dhe mirëkuptimit politik të të gjithë faktorëve që determinojnë një përfundim fatlum të një procesi që është i dobishëm për të gjithë. (koha.mk)