Konstituimi i organit më të lartë universitar, Senatit të UNT-së, sipas anëtarit të parë të Komisionit Verifikues të Mandateve, Lutfi Bina, është shenjë të qartë se Universiteti i ri po vendoset në shtylla të forta. Ndërkaq, për rektorin Aziz Pollzohani, me këtë po hapet një faqe të re në historinë e funksionimit të Universitetit
Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 prill – Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ka konstituar të premten organin më të lartë të tij Senatin, në përbërjen e parë të anëtarëve me mandate katër vjeçare (2018-2022). Ky akt, i cili shënon hapin definitiv drejt themelimit të organeve bazuar në Statutin e Universitetit, pasoi dhjetë ditë pasi Parlamenti miratoi Statutin e UNT-së, ndërsa është në rrjedhë e sipër procedura për zgjedhjen e Rektorit të këtij institucioni, shkruan gazeta KOHA. Prof.dr.Lutfi Bina anëtari i parë i Komisionit Verifikues të Mandateve të anëtarëve të Senatit propozuar nga Këshillat Shkencore-Mësimore të pesë fakulteteve, e konsideron konstituimin e Senatit si “shenjë të qartë se Universiteti i ri po vendoset në shtylla të forta”. Ndërkaq, për ushtruesin e detyrës së rektorit të UNT-së, prof.dr. Aziz Pollozhani, Universiteti po hap një faqe të re në historinë e funksionimit të tij.
UNT nisi me punë në vitin akademik 2016/2017 dhe gjithë këtë kohë funksiononte me organe të përkohshme.
“Konstituimi i Senatit, është shenjë se universiteti po vendoset në shtylla të forta. Pra plotësohet pjesa ligjore e themelimit të organeve, të cilat deri dje ishin të përkohshme, pasi edhe vetë UNT-ja ka qenë në fazën e themelimit. Falë punës dhe përkushtimit që është bërë nga të gjithë, sidomos nga ushtruesi i detyrës rektori Aziz Pollozhani, po tejkalojmë edhe procedurat formale të konstituimit të këtij Universiteti, i cili premton që në të ardhmen të jetë një institucion tepër serioz”, thotë Bina. Natyrisht, plotëson më tej ai, jam i lumtur me arritjen deri në këtë fazë të themelimit të një Senat i ri, bazuar në Statutin e Universitetit dhe Ligjin aktual të arsimit të lartë.
“Besoj se tani e tutje të gjitha vendimet do të merren në baza demokratike dhe ligjore. Do të punojmë që këtij Universiteti ti jepim ngjyrat e një institucioni evropian, pse jo edhe i niveleve botërore. Ky nuk do të jete një universitet i mëhallës por i niveleve botërore”, shprehet Bina, anëtari më i vjetër i Senatit të UNT-së dhe profesor nga Fakulteti i Ndërtimtarisë.
Në përbërjen e re të Senatit, sikurse kërkohet me Ligj, të gjithë anëtarët janë me titujt profesor ordinar dhe profesor inordinar, për dallim prej përbërjes së Senatit të përkohshëm ku kishte edhe profesorë me thirrjet docent. Në Senatin e themeluar mbi Statutin e UNT-së, krahas profesorëve ka edhe përfaqësues të studentëve. Ushtruesi i detyrës të rektorit, Azizi Pollozhani, i cili sipas Ligjit në fuqi të arsimit të lartë është edhe kryesuesi i Senatit, thotë se me konstituimin e këtij organi madhor, UNT hap faktikisht një faqe të re.
“Konsolidimi i Universitetit fillon me Senatin, si organ madhor ku sillen vendimet në përputhje me Ligjin dhe në vijim të kësaj edhe themelimi i të gjitha organeve tjera të Universitetit. Në bashkëpunim me Këshillat mësimore të fakulteteve jemi në procedurë për të realizuar gjithçka është në përputhje me Ligjin, sa i takon konsolidimit të plotë ligjor dhe statutor të këtij universiteti”, shprehet Pollozhani.
UNT u themelua më 24 dhjetor 2015, kur Parlamenti i Maqedonisë miratoi Ligjin për themelimin e këtij universiteti, ndërsa nisi me punë më 27 tetor të vitit pasardhës (2016). Deri më 3 prill të këtij viti, Universiteti funksiononte me organe dhe Statut të përkohshëm, ndërsa pas miratimit të Statutit më 3 prill 2018 dhe konsolidimit të Senatit më 13 prill, faktikisht hapet një faqe e re e funksionimit të tij, tanimë jo me organe dhe Statut të përkohshëm, por me organe dhe Statut fuqiplotë.
Në pesë fakultetet e saj janë të punësuar deri tani 72 profesorë me të gjitha thirrjet shkencore, ndërsa UNT është në prite të marrjes së lejes për shpalljen edhe të 11 vendeve tjera të punës për kuadrot që për afatet kohore nuk mundën të pranohen në punë gjatë konkursit të rregullt që u shpall vitin e kaluar. (koha.mk)