Shkup, 16 shtator – Këshilli i Prokurorëve Publikë sot e konstatoi ndërprerjen e mandatit të prokurorëve të Prokurorisë Speciale Publike, pasi të shtunën ishte shkarkuar shefja e tyre Katica Janeva.
Kryetari i Këshillit, Aco Kolevski, pas seancës deklaroi se prokurorët e deritanishëm të PSP-së duhet të kthehen në prokuroritë e tyre publike amë.
Ekipi i Janevës, i zgjedhur në tetor të vitit 2015 e përbëjnë prokurorët Lile Stefanova, Fatmie Fetai, Lençe Ristovska, Artan Ajro, Burim Rustemi, Gavriel Bubevski, Lubomir Lale, Stevço Donev, Trajçe Pelivanov dhe Elizabeta Josifovska. Në fillim të vitit 2016, edhe pse u zgjodhën fillimisht, Janeva kërkoi të largohen prokuroret Marija Gjrgeva dhe Lejla Kadriu.
Të shtunën, pas vendimit unanim të Kuvendit, Këshilli e shkarkoi prokuroren speciale publike e cila është në paraburgim për rastin “Reket”.
Lëndët e PSP-së i ndërmori Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prokurori publik shtetëror Lubomir Joveski paralajmëroi se trajtimi i lëndëve të PSP-së do të vazhdojë, por se ende nuk është caktuar kush do t’i përfaqësojë.
Joveski mundet t’ua ndajë lëndët edhe prokurorëve të PSP-së të cilat deri më tani i kanë udhëhequr.
Nga lëndët për të cilat PSP-ja ka ngritur mbi 20 akuza, vetëm tre plotësisht janë mbyllur, disa janë kthyer në gjykim të sërishëm apo pritet prononcim të Gjykatës së Apelit.