Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 qershor – Rritja e madhe e borxhit publik, deficiti i lartë buxhetor apo harxhim më i madh se të ardhurat në buxhet, vonesa e pagesa të shtetit ndaj biznesit si dhe mungesa e parave të gatshme nga ana e afaristëve, pritet të jenë sfidat kryesore të procesit të stabilizimit të financave publike për kabinetin e ri qeveritar, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, në vitet e kaluara edhe institucionet ndërkombëtare financiare, si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë sugjeruar ulje të deficitit buxhetor në nivel që do të stabilizojë borxhin publik, gjegjësisht që nuk do të rrisë borxhin publik. Problem është edhe përcaktimi i vlerës së vërtetë të borxhit publik që përflitet se është edhe më i madh se 5 miliardë euro. Vlera e tij lëviz ndërmjet 47.8 për qind, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në largim dhe 54 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas Numratorit apo Uebfaqes që mat borxhin publik të Maqedonisë. Problem shtesë janë edhe borxhet jo të faturuara, borxhet e komunave, ndërmarrjeve publike si dhe borxhit jozyrtar ndaj biznesit prej së paku një miliardë euro. Këto të dhëna tregojnë qartë se ekzekutivi ri gjendet para sfidave të mëdha, por jo edhe problemeve që nuk mund të tejkalohen, shpjegojnë ekspertët ekonomik. Nga Instituti ekonomik, Finance Think, sugjerojnë që harxhimet joproduktive rrjedhëse të eliminohen tërësisht, ndërsa rritja e harxhimeve rrjedhëse për paga në administratën publike, pensione dhe transfere sociale të harmonizohet me rritjen ekonomike. Nevojitet edhe stabilizimi i ambientit afarist, institucional dhe juridik që do të sjellë tek përmirësimi i rejtingut kreditor, që do të sjellë shkallë më të ulëta të kamatave për huazimet e reja në të ardhmen, tregojnë më tej analizat e Finance Think. Ekspertët thonë se stabilizimi i financave publike me përjashtimin e masave të mëdha të kursimit dhe shtrëngimit të rripit është detyrë jo aq e lehtë por jo edhe e paarritshme për një pushtet të përgjegjshëm që do të ketë kujdes për prioritetet, si dhe për atë se ku mundet dhe ku jo të harxhohen të hollat.
Nga ekzekutivi i ri paralajmërohet së pari analizë të thellë të të gjitha borxheve të shtetit, si dhe ndihmë nga Fondin Monetar Ndërkombëtar, por vetëm në rast se nuk është i kushtëzuar me masa që nënkuptojnë politikë restriktive ekstreme që do të rrezikojë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Nga radhët e LSDM-së konfirmojnë se tashmë janë në negociata me faktorët e jashtëm që do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve.
“ Është shumë e rëndësishme që në një afat së më të shkurtër të realizohet incizimi gjegjësisht skenimi i tërësishëm i gjendjes së vërtetë të financave publike. Qeveria e re duhet sa më shpejt të ketë pasqyrën e vërtetë të ekonomisë së Maqedonisë , për shkak se nëse nuk keni diagnozën e saktë , masat e mëtejshme nuk mund të japin efektin e dëshiruar. Pikërisht për këtë bisedohet me institucionet ndërkombëtare financiare dhe BE-në për përkrahje dhe ndihmë për realizimin e një analize të thellë të financave publike, si në aspektin financiar ashtu edhe juridik“, deklaroi para një jave për Radio Dojçe Vele, Kire Naumov, kryetar i Komisionit të financave të LSDM-së. Sipas tij, bashkëpunimi dhe ndihma nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të jenë të mirëseardhura, vetëm në rast se nuk janë të kushtëzuara me masa që nënkuptojnë politikë restriktive ekstreme që do të rrezikojë rritjen ekonomike.
“Nëse flasim konkretisht për FMN, unë ju kam theksuar atyre, se 2020, 2021 dhe 2023 janë mjaft vite kritike për Maqedoninë, si vite kur pushteti në largim në mënyrë të pamenduar mirë ka ngjeshur arritjen e pagesës së tre eurobondeve. Si do që të jetë edhe për këto vite, ne duhet të kemi parasysh kushtin se duhet të kemi rritje ekonomike të larta prej së paku 5 për qind në një periudhë prej 6-8 vjet përmes stimulimit të investimeve dhe eksportit. Nëse me këto shkallë të rritjes ekonomike sigurohen edhe mjete me shkallë të kamatave deri në 3 për qind, atëherë jemi në rrugë të mbarë”, thekson Naumov. Sipas tij, mbeten edhe tregjet ndërkombëtare financiare si mundësi që hapet për të ardhur deri tek mjetet e domosdoshme financiare.
Sipas ish ministrit të Financave, Petar Goshev, krahas analizës së situatës do të duhet edhe të merren kredi për të kthyer kredi, por, sipas tij, një pushtet i përgjegjshëm do të mund të menaxhojë situatën. E njëjta nuk do të jetë ndonjë problem nëse kemi kujdes me deficitin buxhetor që duhet të jetët nën nivelin e pritshëm të rritjes ekonomike, shton më tej Goshev.
“Gjithashtu, duhet pasur kujdes gjatë stabilizimit të financave publike, edhe me kthimin dhe marrjen e borxheve, si dhe me mos-rritjen e deficitit buxhetor, si përqindje e borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Njëherazi duhet pasur kujdes se cilat janë prioritet, ku nuk duhet dhe ku mundet të harxhohen të hollat, por e gjithë kjo të mos ndikojë në konsumin që indirekt të mos ngadalësojë rritjen ekonomike”, shpjegon Goshev.
Në ndërkohë, analizat e Insitutit Finance Think, tregojnë se huazimet e mëtejshme qeveritare duhet të orientohen vetëm në financimin e investimeve produktive që do të tregojnë efekt të lartë fiskal multitplikuese apo të shumëllojshme për ekonominë dhe biznesin , si dhe do të mundësojnë të rritet kufiri i qëndrueshmërisë së borxhit publik, që është ndërmjet 51 dhe 59.2 për qind si pjesë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Harxhimet joproduktive rrjedhëse nevojitet të eliminohen tërësisht, ndërsa rritja e harxhimeve rrjedhëse për paga në administratën publike, pensione dhe transfere sociale duhet të harmonizohet me rritjen ekonomike. Nevojitet edhe stabilizimi i ambientit afarist, institucional dhe juridik, që do të sjellë te përmirësimi i rejtingut kreditor, që do të ulë edhe preminë e rrezikut të shtetit, gjegjësisht do të sjellë shkallë më të ulëta të kamatave për huazimet e reja në të ardhmen”, tregojnë analizat e këtij instituti financiar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara