Kito, 12 prill – Bankieri konservator Gilermo Laso fitoi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ekuador, duke fituar 52,52 për qind të votave, përderisa kandidati majtist Andres Arauz fitoi 47,48 për qind, njoftoi mbrëmë komisioni zgjedhor, informon DPA.
Dy kandidatët gjenden në anët diametralisht të kundërta të spektrit politik në Ekuador.
Arauz shihet si mbrojtës i politikës së ish-presidentit Rafael Korea dhe fitorja sipas gjitha gjasave do të përjetohej si vazhdimësi e politikës së Koresë për “socializëm në shekullin 21”, rritje të subvencioneve dhe kundërshtim të programit për kursim të cilin e kërkon Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Laso, nga tjetër, shton DPA, si anëtar i asociacionit ultra konservator “Opus Dei” dhe kritikues i ashpër i martesave të së njëjtës gjini dhe të abortit, bënte fushatë të bazuar në platformën liberale ekonomike, me të cilën dëshiron të krijojë vende të punës dhe të tërheqë investime të huaja.
Kjo ishte kandidatura e tretë presidenciale e Lasos.
“Me vite ëndërroja që të më lejojnë t’iu shërbej banorëve të Ekuadorit që të mundet vendi të përparojë dhe të gjithë të kemi jetë më të mirë”, u tha ai simpatizantëve në qytetin Gvajakill, transmeton gazeta “El Universo”.
“Sot atë që e dëshiroja ju e bëtë të mundshme. Ky është fillim i erës së re të shoqërimit”, shtoi ai.
Arauz e pranoi humbjen dhe tha se do ta telefonojë rivalin e tij që t’ia urojë fitoren.
“Ky ishte mossukses zgjedhor, por jo edhe humbje morale”, tha ai para ithtarëve që mbrëmë u mblodhën para shtëpisë së tij, transmetoi DPA.
Ky vend i Afrikës Jugore është në krizë të thellë ekonomike për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe pandemisë së koronavirusit.