Konkursi i ri vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë do të duhet të shpallet këto ditë, madje me disa kritere dhe kushte të reja konkurrimi, të cilat gjithashtu Ministria e Kulturës ende nuk i ka përfunduar
Evis HALILI
Shkup, 25 shtator – Edhe pse po afrohet fundi i vitit, Programi vjetor i kulturës akoma nuk është përmbyllur. Në Ministrinë e Kulturës ende nuk kanë përfunduar me ankesat për projektet e refuzuara e të cilat janë ende në shkallën e dytë, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, vonesa ka edhe në likuidimin e shumave të akorduara, madje edhe për projekte që janë realizuar në fillim të vitit.
Në ndërkohë, Konkursi i ri vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë do të duhet të shpallet këto ditë, madje me disa kritere dhe kushte të reja konkurrimi, të cilat gjithashtu Ministria e Kulturës ende nuk i ka përfunduar. Nga ky institucion pohojnë se nuk do të ketë ndryshime të mëdha, krahasuar me versionin e vitit të kaluar, me përjashtim të disa veprimtarive.
Këtë vit pritet të ketë ndryshime edhe sa i takon komisioneve që do të vlerësojnë projektet, kryetarëve dhe anëtarëve të saj, pas skandalit të këtij viti ku për shumë projekte mungoi transparenca në përzgjedhje dhe favorizimi i një grupi të ngushtë shoqatash dhe individësh.
“Nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me ndryshime thelbësore, por disa kushte dhe kritere do të ndryshojnë në disa veprimtari. Këto ditë do të shpallet konkursi, data për të cilin u shty pikërisht për këto arsye”, thonë në kabinetin e ministrit të Kulturës.
Afati ligjor për shpalljen e konkursit është fundit i këtij muaji dhe kohëzgjatja e tij është gati dy muaj, periudhë kjo kur aplikantët dorëzojnë projektet me të cilat do të konkurrojnë. Konkurrimi zhvillohet në shtatë kategori, artet vizuale, arkitekturë dhe dizajn; folklor muzikë dhe aktivitet skenik-muzikor; veprimtaria dramatike; literatura dhe veprimtaria botuese; mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe veprimtaria ndërkombëtare, si edhe kategoria më e re për projekte interdisiplinare.
Ministria e Kulturës vjet bëri ndryshimet e para, edhe pse kushtet dhe kriteret e konkurrimit kanë ndryshuar në vite. Si pjesë e ndryshimeve që janë trashëguar nga viti i kaluar janë përjashtimi nga konkurrimi i institucioneve që financohen nga shteti për programin e tyre vjetor, duke i dhënë mundësi vetëm personave fizikë dhe juridikë nga kultura për të aplikuar. Po ashtu edhe dokumentet e aplikimit janë unifikuar për të gjithë sektorët, në mënyrë të atillë që janë eliminuar nënkategoritë, duke thjeshtëzuar formën e konkurrimit, që do të thotë se për çdo veprimtari me konkursin e ri do të ketë vetëm një aplikim, dhe jo më shumë.
Konkursi i vitit 2018 u cilësua si i unifikuar dhe i thjeshtëzuar, i formatuar në një mënyrë të atillë që i përshtatej nevojave dhe kërkesave të atyre që merren me kulturë. Si risi ishte edhe publikimi i shumave të akorduara, krahas projekteve fituese.
Ky vit mund të jetë edhe viti i fundit për termin “interes nacional”, i cili do të zëvendësohet me interes publik. Me Ligjin e ri të kulturës nuk do të miratohen më projekte me interes nacional në kulturë, që do të thotë se mënyra e financimit të projekteve do të bëhet ndryshe. Projekt-ligji për kulturën, që konsiderohet si dokumenti më i rëndësishëm i miratuar në sferën e kulturës, pas Strategjisë nacionale, që prej muajit korrik është në fazën e debatit publik. (koha.mk)