Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor- Ligji i ri i energjetikës që pritet të miratohet në fund të muajit mars të vitit 2018, do të sjellë edhe konkurrencë më të madhe në furnizimin me rrymë, shkruan gazeta KOHA. Me liberalizimin e tregut energjetik parashikohet që deri në fund të vitit të ardhshëm, qytetarët do të mund të blejnë rrymë nga më shumë kompani, ngjashëm siç janë me ofertat në tregun e telekomunikacionit. Gjithashtu ligji parashikon që për ata qytetarë që nuk do të zgjedhin furnizuesin, me energji elektrike do t’i furnizojë i ashtuquajturi “furnizues universal”, si firmë që do të zgjidhet në ankand publik në çdo pesë vite. Në këtë mënyrë garantohet se asnjë konsumator nuk do të mbetet pa rrymë. Njëherazi, furnizuesit me rrymë do të obligohen që të ofrojnë që në ofertat e tyre të përfshijnë edhe tarifat e ndryshme të lira, ngjashëm me përvojën e deritanishme të shfrytëzimit të energjisë elektrike.
Nga Ministria e Ekonomisë, si propozuese e Ligjit të ri për energjetikë, thonë se tarifa e lirë e rrymës garantohet si kusht minimal në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ndërsa forma do të vret nga oferta e furnizuesit, të cilin qytetarët do të mund të zgjedhin në tregun e lirë. “Me Liberalizimin e tregut do të rritet edhe konkurrenca dhe cilësia e shërbimeve, ndërsa praktika evropiane ka treguar se kur ekziston konkurrencë në treg, ofrohen edhe lehtësi shtesë për qytetarët nga ana e furnizuesve. Gjithashtu, me qëllim të mbrojtjes më të madhe të qytetarëve në Propozim ligjin e ri për energjetikë, do të vendoset edhe furnizuesi universal që do të duhet të sigurojë shërbim cilësor, me çmime më të lira për shfrytëzuesit, përfshi edhe tarifën e lirë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.
Nga ana tjetër, në nenin 27, përcaktohet që me Ligjin e ri për energjetikë do të balancohen interesat e furnizuesve dhe konsumatorëve si dhe parashikohet mbrojta e konsumatorëve dhe shfrytëzuesve të sistemit nga çfarëdo keqpërdorimi të pozitës dominante në treg.
Në ndërkohë, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, thotë se konkurrenca më e madhe do të sjellë edhe çmime më të volitshme.
“ Propozim ligji për energjetikë shkon në favor të qytetarëve të Maqedonisë, ndërsa do të mundësojë konkurrencë më të madhe lidhur me furnizimin me të gjitha energjenset. Atje ku ekziston konkurrenca, ka edhe ulje të harxhimeve, nuk ka biznese të rregulluara, nuk ka harxhime të paarsyeshme dhe nuk ekziston komoditet i kompanive energjetike që të paraqesin harxhime që nuk arsyetohen, të cilat duhet t’i paguajnë të gjitha qytetarët”, thekson Angjushev.
Pritet që në vitet e ardhshme me çmimin më konkurruese të rrymës që do ta prodhojnë Elektranat e Maqedonisë, përdorimin më të madh të gazit në amvisëri dhe industri, paraqitjen e kompanive të reja që do të ofrojnë rrymë për shitje, që të gjithë lojtarët në tregun energjetik të garojnë me oferta më të mira për konsumatorin.
Ndryshe, përvojat kroate që liberalizoi tregun energjetik para pesë vitesh, tregojnë se çmimi fiks i kompanisë shtetërore të rrymës HEP apo Elektro-ekonomisë kroate është 0.3495 kuna për kilovat orë, në kushte kur për një euro paguhen shtatë kuna. Kjo kompani mban 91 për qind të tregut. Kompania RVE energji, që mban 5 për qind të tregut, ofron çmim prej 0.3803 kuna për kilovat orë, ndërsa në treg ekzistojnë edhe tre ofertues të tjerë më të vegjël.
Ofertat në treg të HEP janë çmimi fiks për tërë kohën e furnizimit, ndërsa RVE energji ofron çmime në varësi prej gjatësisë së kontratës. HEP ofron që vetë konsumatorët ta lexojnë konsumin e rrymë, duke i liruar prej çmimit prej afër 1 euro plus TVSH, ndërsa ofron edhe kursime shtesë prej 2.7 për qind përmes klubit të tyre. RVE energji ofron lirim prej 10 për qind në tre vitet e para dhe lirim prej 7 për qind në dy vitet e para për ofruesin universal, 2 për qind shtesë për marrëveshjen onlajn, një muaj gratis në 12 muaj për çdo konsumator të ri që ju e sillni në rrjet dhe konsultime falas për kursimet në amvisëri. Gjithashtu, nga një janari 2017 në Kroaci për qytetarët që blejnë rrymë është zvogëluar TVSH-ja për shpërndarjen e rrymës prej 25 në 13 për qind. (koha.mk)