Nëse i kthehemi realitetin tonë, nuk është pyetja a të eksportojmë apo ajo, por çka do të eksportojmë !. Apo cilat janë mundësitë dhe potencialet që ekonomia e jonë në aspekt strukturor të prodhojë që të tjerët nuk e prodhojnë, nuk munden apo nuk dëshirojnë ta prodhojnë
Nga Fisnik PASHOLLI
Katër janë faktorët kryesor të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ata janë konsumi personal, investimi i biznesit, shpenzimet qeveritare dhe eksportet neto.
Nëse e kemi parasysh se vështirë mund të realizohet kërkesa e biznesit që së paku 25 për qind e buxhetit të shkojë për investime kapitale për të mbështetur më shumë zhvillimin ekonomik të shtetit, se fitimi neto apo dallimi midis importit dhe eksportit është diku afër 280 milion euro nga puna e kompanive të huaja në zonat ekonomike, se pak kemi investime më serioze të kompanive vendore si rrjedhojë e mungesës së akumulimit të kapitalit dhe vështirësive të mëdha që të fitojnë kredi nga bankat vendore , dhe në fund dhe jo më e pak e rëndësishme se nga muaji në muaj, nga viti në vit po na ikën popullata , andaj edhe konsumi si një tregues mjaft i rëndësishëm i PPB, mbetet problematik në periudhën e ardhme, për shkak se konsumatorët që blejnë ushqime, bisedojnë në telefon, ndërtojnë shtëpia, apo harxhojnë në mënyra të tjera duke mbushur arkën e shtetit me TVSH, si kontribuesin kryesor, nuk i kemi dhe nuk do ti kemi këtu , por ato me punë, mundin dhe djersën e tyre do të kontribuojnë për zhvillimin e shteteve perëndimore. Njëherazi në një periudhë afatmesme do të ulen edhe remitancat e tyre, ku për shkak të bashkimit familjar ata nuk kenë se kujt ti dërgojnë para në vendlindje.
Ti kthehemi tani realitetin tonë ekonomik që udhëzon se vetëm pesë për qind e kompanive që punojnë dhe veprojnë jashtë zonave të lira ekonomike, edhe eksportojnë jashtë shtetit.
Analisti ekonomik Rudi Llazarevski rekomandon një mbështetje më të madhe dhe më serioze për kompanitë vendore që duhet të orientohen ndaj eksportit. Bile shton ai se Edhe Bullgaria fqinje ka një deficit apo plus në këmbimin tregtar me Gjermaninë prej 320 milion euro pa pjesëmarrjen e kompanive nga zonat eksterritoriale.
“ Në tërë jetën time profesionale e kam përsëritur si papagaj një fjali e që thotë: Shtetet e vogla e kanë patjetër të prodhojnë dhe eksportojnë, nëse dëshirojnë të ushqehen. Disa firma e kanë dëgjuar këshillën time dhe sot dallohen shumë lehtë”, vlerëson Llazarevski.
Edhe konkurrenca e ekonomisë vendore më së miri pasqyrohet në eksportin e prodhimeve vendore që lë për të dëshiruar.
Nënkryetarja e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë Gabriela Kulebanova thotë se nga njëra anë vetëm 3500 kompani vendore eksportojnë, ndërsa nga ana tjetër mbi 80 të për qind të totalit të eksportit të shtetit e realizojnë kompanitë e mëdha. Andaj edhe janë të kuptueshme problemet e kompanive të vogla dhe të mesme në vend si pamundësia të investojnë në inovacione dhe teknologji, apo përkufizimi financiar, kadrovik dhe teknik për të realizuar eksportin. Andaj ajo kërkon në mënyrë më agresive stimulimin e vendosjes dhe zbatimit të teknologjisë së re, por edhe stimulimin e inovatorëve vendorë.
Në këtë drejtim mbetet sfida e shfrytëzimit më të madh të lehtësimeve ekzistuese fiskale për modernizimit e procesit prodhues, shfrytëzimin e fondeve të ndryshme për blerjen e pajisjeve të reja apo mbështetjen më të madhe të partneritetit me kompanitë e huaja.
Sfidë në të ardhmen mbetet edhe rritja e konkurrencës së ekonomisë vendore , ku Maqedonia e Veriut renditet ndër ekonomitë më të dobëta në Evropë lidhur me konkurrencën , për shkak se raporti i Forumit Global Ekonomik tregon se ekonomitë më konkurruese janë ato të orientuara në eksport , që kanë edhe nivel të lartë teknologjik dhe të inovacionit. Maqedonia në këtë vlerësim , notat më të mira i ka shënuar në fushën e shëndetësisë me 80 pikë nga 100 të mundshme, stabilitetin makroekonomik ku ka fituar 74.6 pikë dhe dinamizmin në biznes ku ka fituar 61.2 pikë.
Notat më të dobëta janë fituar në kapacitetin e inovacioneve me 31.1 për qind, madhësinë e tregut me 39.2 për qind, dhe funksionimin e institucioneve me 50.6 për qind . Më dobët si shtet në suaza globale jemi të renditur në pjesën e gjyqësorit, tregjet ku bizneset pak kanë qasje dhe në infrastrukturë.
Nëse i kthehemi realitetin tonë, nuk është pyetja a të eksportojmë apo ajo, por çka do të eksportojmë !. Apo cilat janë mundësitë dhe potencialet që ekonomia e jonë në aspekt strukturor të prodhojë që të tjerët nuk e prodhojnë, nuk munden apo nuk dëshirojnë ta prodhojnë. Përgjigjen në këtë duhet të ofrojnë më shumë faktorë të bazuar në një strategji afatgjate të zhvillimit që nuk do të ndryshojë, pa marrë parasysh se cila parti merr timonin e pushtetit. Në aspekt afatshkurtër, eksporti mund të rritet me lehtësimin e financimit ku firmat nuk do të duhet të ofrojnë 100 banesa për një makineri për të fituar kredi si garanci , menaxhimin më të mirë të harxhimeve, realizimin më thelbësor dhe konkret të reformave strukturore që përmirësojnë punën e biznesit ku shteti hiqet nga rruga me qëllim që biznesi të sjellë punësime dhe rezultate pozitive financiare, shkurton afatit e pagesës së borxheve , anulimin e procedurave të ndryshme të panevojshme, lidhjen më të fuqishme në klasterë. Në suaza afatgjate nevojitet një riorientim serioz i shtetit ndaj eksportit dhe realizimi i reformave në arsim, industri, zhvillimin e barabartë rajonal, përkujdesjen më të madhe për diasporën… (koha.mk)