KONKURRENCA GLOBALE. Ekonomia vendore, e paaftë për garë

Të dhënat e raportit për konkurrencë globale, udhëzojnë se përkundër përmirësimit për dy vende në renditje në raport me një vit më parë, megjithatë në aspekt të përgjithshëm kemi shumë pak lëvizje pozitive

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 9 tetor – Raporti i fundit për konkurrencë globale, ku Maqedonia e Veriut renditet në vendin e 82-të tregon se përkundër përmirësimeve të caktuara, megjithatë si shtet kemi akoma shumë punë të bërë në aftësimin e ekonomisë vendore të jetë e aftë dhe e gatshme që të garojë në ekonominë globale. Sipas drejtorit të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Drilon Iseni , të dhënat e raportit udhëzojnë se përkundër përmirësimit për dy vende në renditje në raport me një vit më parë, megjithatë në aspekt të përgjithshëm kemi shumë pak lëvizje pozitive, apo nëse shikohen pikët në fusha të caktuara në pjesën më të madhe mbetemi në pozitat e njejta.

“Raporti është voluminoz dhe përfshin më shumë se 100 indikatorë ku nevojitet të analizohet çdo detaj për të dhënë në analizë më të detajuar. Por ndër dobësitë kryesore që theksohen atje janë stagnimi i punës së institucioneve, ngecjes në zgjidhjen efikase të kontesteve juridike në raport me biznesin etj”, thekson Iseni. Sipas tij, problem në vete është edhe ai fuqisë punëtorë që prodhojnë universitetet vendore që nuk përkon me kërkesat e biznesit.

“Lidhur me cilësinë e fuqisë punëtore qëndrojmë mjaft keq në pjesën e arsimit profesional ku renditemi në vendin e 131-të, si dhe në pjesën e aftësive të personave të diplomuar. Ky fakt shikohet edhe tek punësimi i kuadrove të reja që nuk plotësojnë nevojat e biznesit. Njëherazi në gjetjen e fuqisë cilësore punëtore mbetemi në vendin e 125-të në nivel botëror që paraqet një renditje mjaft të ulët”, shton ai. Lidhur me raportin nga Lidhja e Odave ekonomike thonë se nevojitet një reflektim i institucioneve lidhur me këto rezultate.

“Siç u theksua edhe në prezantimin e raportit, kjo në të vërtetë paraqet edhe skenerin e ekonomisë vendore, andaj mbetet që për të gjitha mangësitë dhe sfida të kemi edhe përgjigje adekuate nga ana e institucioneve”, thotë Aleksandar Zarkov, drejtor i Lidhjes së Odave ekonomike. Nga ana tjetër pavarësia e gjyqësorit mbetet në nivel të ulët me vendin e 127 në botë, ndërsa renditje e njëjtë ka edhe aftësia e institucioneve që të menaxhojnë rregullativën e ndërlikuar juridike. Tek infrastruktura kemi hap prapa në pjesën e cilësisë së rrugëve, ndërsa në Teknologjinë informatike kemi hap prapa në aspektin e shfrytëzimit të internetit celular, vaj faj dhe atij optik ku renditemi në vendet 102, 82 dhe 92. Mbetemi në vendin e 97-të në renditjen e kapaciteteve për inovacione ku shteti po përpiqet të investojë në pjesën e inovacioneve përmes Fondit për inovacione dhe zhvillim teknologjik mirëpo rezultatet akoma nuk janë të dukshme thonë nga OEMVP. (koha.mk)