Vlerësohet se në nivelin e ulët të produktivitetit të punës në vend, apo vlerës që mat sasinë e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara për një orë pune, ndikojnë makineritë apo teknologjia relativisht e vjetër që përdoret në prodhimtari si mungesa e shkathtësive të punëtorëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 mars – Ulje e produktivitetit të punës shënohet në Maqedoninë e Veriut në dy vitet e fundit. Analizat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se në vitin 2017, është ulur produktiviteti i punës për 3.2 për qind, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar ai është ulur për 2.4 për qind. Vlerësohet se në nivelin e ulët të produktivitetit të punës në vend, apo vlerës që mat sasinë e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara për një orë pune, ndikojnë makineritë apo teknologjia relativisht e vjetër që përdoret në prodhimtari, mungesa e shkathtësive të punëtorëve, shkruan gazeta KOHA.
Ekonomistët thonë se një nga dobësitë strukturore të ekonomisë vendore është orientimi jo i madh i kompanive ndaj eksportit, pasi vlerësohet se një vend është i pasur aq sa mundet të prodhojë produkte të ndryshme që do eksportohen me qëllim që të ketë edhe sa më të lartë ekonomike, që në fund do të sjellë edhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Për nivelin e ulët të produktivitetit tonë, udhëzojnë edhe të dhënat e zyrës evropiane të statistikave “Eurostat”, sipas të cilave një punëtor në Maqedoni për një orë pune krijon vetëm afër 43 për qind të vlerës së shtuar që e krijojnë punëtorët në Bashkimin Evropian . Banka Popullore e Maqedonisë e mat produktivitetin si raport midis Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe numrit të punësuarve. Në vitin e kaluar në vend kemi rritje të numrit të punëtorëve, stagnim të ekonomisë dhe rritje të pagës mesatare që ka rritur edhe koston e punës së bizneseve.
“Ndër faktorët që përcaktojnë dhe ndikojnë në produktivitetin e punës në vend janë edhe madhësia e firmave, treguesit për cilësinë e kapitalit njerëzor apo shkallën e arsimimit të tyre si dhe treguesit për problemet financiare të firmave”, thotë ekonomistja Biljana Jovanoviq. Në ndërkohë, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar thonë se vendi nevojitet të ndërmarrë politika të shumë anshme me qëllim që të zbusë dobësitë në tregun e punës dhe të rrisë produktivitetin.
Në fushën e shkathtësive, kryesorja është rritja e nivelit të përfundimit të arsimit të mesëm, rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe modernizimi i sistemit të arsimit profesional , thonë nga FMN. Masat njëherazi duhet të përcillen edhe me planifikim strategjik dhe afatgjatë në nivel kombëtar , me qëllim që të sigurohet koordinim midis ministrive përkatëse, institucioneve arsimore dhe punëdhënësve. Politikat aktive në tregun e punës , duhet të vazhdojnë të targetojnë të punësuarit afatgjatë, prej të cilëve shumica janë të rinj. Nevojitet edhe fokus më i madh në ndërtimin e shkathtësive dhe lehtësimin e tranzicionit prej arsimit deri tek punësimi përmes praktikës dhe kohës së stazhit”, rekomandojnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ekonomistët në Maqedoni, vite me radhe alarmojnë se produktiviteti i ulët i ekonomisë vendore ndërlidhet krahas pajisjes së e dobët teknike-teknologjike të kapaciteteve prodhuese, edhe me mungesën e masave më të mëdha dhe politikave zhvillimore të orientuara në eksport, investimit më të madh në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe modernizimin e të vjetrave.
Sfidë në të ardhmen për politik bërësit dhe ekzekutivin në Maqedoninë veriore janë hapat më të guximshëm , më gjithëpërfshirës dhe më këmbëngulës që të përmirësojnë faktorët kryesor të produktivitetit të punës , e që janë investimet në teknologji, kapitali human, por edhe zbutja e problemit të inovacionit në prodhimtari. Edhe pagat më të larta në sektorin privat së pari,e pastaj edhe në sektorin publik në vitet e ardhshme do të vijnë si rrjedhojë e nxitjes , përkrahjes, dhe mbështetjes më të madhe të bizneseve që të investojnë në zbatimin e teknologjisë së re dhe në trajnimin e punëtorëve të tyre, që do të sjellë edhe rritjen e produktivitetit të punës. Kjo rritje do të përkthehej në prodhim më të madh dhe me kosto më të ulët, çka përkthehet në çmime më konkurruese në treg dhe rritje të eksporteve dhe shitjeve brenda vendit. Rritja e shitjeve rrit të ardhurat për firmat dhe normalisht fitimet e tyre. Rritja e të ardhurave rrit investimet e firmave në kërkime, teknologji të reja dhe trajnime për rritjen e aftësive të punonjësve. Kjo gjë do të bëjë që produktiviteti të vazhdojë të rritet. Kjo rritje do të përkthehet në rritje të pagave të punonjësve, rritje të kërkesës së përgjithshme të ekonomisë, rritje të investimeve, pra, rritje të ekonomisë në tërësi. Nëse investojmë në përmirësimin e teknologjisë dhe trajnimin e punëtorëve , do të mund të prodhojmë të njëjtën sasi me më pak orë pune. (koha.mk)