Edhe pse Kongresi i Manastirit nuk mori një vendim të prerë për një alfabet të vetëm, vendimet e tij janë shumë të rëndësishme për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe shënojnë një hap përpara në zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, për të cilën gjë albanologu i njohur Holger Pederseni shprehet kështu: “…këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele, dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet të vetëm. Ky është një përparim shumë i madh, për të cilin duhet uruar kombi shqiptar”.
Nga Zihni OSMANI
Nevoja e një alfabeti lind qysh kur fillon të shkruhet një gjuhë. Andaj edhe rruga e zhvillimit të gjuhës sonë fillon që me shkrimin e saj, d.m.th., me dokumentet e para të shkruara të saj ose edhe më herët duke përfshirë dëshmitë e para të vitit 1285 nga Shuflai “për një zë që fliste shqip” dhe tanimë edhe me dëshmitë vizuale të veprës pa titull të Teodor Shkodranit të vitit 1210, sipas thënies të zbuluesit të saj dr. M. Ahmedit. Përpjekje serioze për shkrimin e shqipes janë bërë gjatë shekujve XVI – XVII me veprat e para të gjuhës sonë, si: “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), me veprat e Budit, Bogdanit, Kazazit, të cilët kanë përdorur gjuhën e vendit dhe alfabetin latin, me shtesë shkronjash të alfabetit grek a cirilik – sllav për shkronjat që s’i kishte latinishtja. Alfabeti latin u përdor edhe nga L. Matrënga me disa shkronja greke.
Kjo traditë shkrimi vazhdoi deri në mesin e shekullit XVIII kur Voskopoja paraqitet si qendër kulturore e tregtare e njohur jo vetëm në trojet tona, por edhe në Ballkan edhe në Evropë. Atëherë gjuha shqipe filloi të shkruhet me alfabetin grek (me përjashtim të Perikopesë së Ungjillit që është shkruar më parë (në shekullin XV- XVI). Alfabetin grek e kanë përdorur në shkrimet e tyre: T. Kvalioti (1770), D. Haxhiu (1802), V. Dh. Ruso (1877), M. Boçari, A Kullurioti, P. Kupitori, Th. Mitko dhe J. Vreto. Po me këtë alfabet ka botuar vepra edhe K. Kristoforidhi për shqiptarët e jugut, ndërsa për ata të veriut përdori shkronjat latine. Mirëpo, në letrën që i dërgon Nikolla Naços shprehet kundër alfabetit grek dhe është për alfabetin latin. Të njëjtën gjë e bëri edhe Thimi Mitkoja, i cili “Bletën shqiptare” e botoi me alfabetin grek, por në shkrimet e tjera ka qenë për alfabetin latin. Vetëm Jani Vretoja mbetet ithtari i alfabetit grek. Nga arbëreshët e Italisë vetëm Dh. Kamarda ka qenë për alfabetin grek, ndërsa De Rada ka pasur luhatje ndërmjet atij grek e latin. Po ashtu si itharë të këtij alfabeti na paraqiten edhe disa albanologë të huaj si: Jani Vellerai, autor i një gramatike greqisht – shqip, F. Pukëvili, J. Ksilanderi dhe J. G. Hahn, njohës i alfabeteve të shqipes.
Gjatë shekullit XVIII alfabeti latin përdorej tek arbëreshët e Italisë me variantin latin – italian, me të cilin u shkruan veprat: e N. Brankatit, N. Filjes, J. Varibobës, Serembes, Z. Krispit, Santorit etj.; ndërsa lirindësit si: P. Vasa, P. Ndoçi, GJ. Fishta, N. Mjeda, F. Konica, L. Gurakuqi dhe albanologët e huaj: M. Brun, Hobhausen, Jung, O. Dozon, J. Jarnik, G. Majer, H. Pedersen janë për variantin latin; kurse për një variant të përzier me disa grafi greke ishte alfabeti i Stambollit. Nën ndikimin e lëvizjes kombëtare filluan të krijohen alfabete të ndryshme, ndonjëherë edhe sipas shijes vetjake të letrarëve, por ndonjëherë edhe duke bërë përpjekje për një punë kolektive, ashtu siç vepruan veprimtarët Pashko Vasa, Ismail Qemali, Jani Vreto, Hasan Tahsini, Koto Hoxhi, Sami Frashëri etj. për një alfabet të përbashkët për shkrimin e shqipe (Historia e letërsisë shqipe I-II, Prishtinë, 1975, f. 438).
Në Stamboll më 1878 dhe në Londër më 1887, Pashko Vasa, propagandoi alfabetin e vet. Në Rumani Nikolla Naço e Jovan Llazari krijuan alfabetet e tyre, po kështu veproi edhe Naum Veqilharxhi.
Më 1897 e përkohshmja “Albania” e Brukselit kishte alfabetin e vet. Më 1899 u krijua alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër, ndërsa në vitin 1901 po në Shkodër u krijua edhe alfabeti i shoqërisë “Agimi”; ndërsa më 1904 në Romë, ai i Gaspër Jakova Merturit. Në këtë kohë në Shqipëri si në veri e në jug përdoreshin një mozaik alfabetesh brenda dhe jashtë atdheut. Kjo gjë sillte përçarje, andaj edhe rilindësit tanë qenë mjaft të brengosur. Kërkesa për njësimin e alfabetit sa vjen e bëhet më e ngutshme sidomos nga fundi i shek. XIX e në fillim të shek. XX, sepse ndihej një mungesë e madhe për përhapjen e kulturës, të arsimit dhe të rritjes së mëtejme të ndërgjegjes kombëtare. Ata mendonin se shpëtimi i kombit mund të bëhet vetëm me bashkimin e shqiptarëve dhe këtë gjë e shihnin vetëm nëpërmjet të një alfabeti dhe të një gjuhe të përbashkët letrare shqipe për të gjithë. Kjo gjë i detyroi edhe më shumë atdhetarët e shoqërisë së Stambollit që të krijojnë alfabetin e Stambollit. Rreth autorësisë së tij janë shprehur mendime të ndryshme. Disa mendojnë se ai qe fryt i punës së përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve në takimet e Stambollit, si J. Rrota, Sh. Demiraj, K. Prifti, T. Osmani, A. Kostallari, M. Domi; ndërsa Faik Konica në “Kalendari Kombiar” të v. 1905, alfabetin e Stambollit e ka quajtur Alfabeti i Frashërit.
Edhe rreth strukturës së alfabetit të Stambollit janë shprehur mendime të ndryshme. Disa mendojnë se ka bazë latine të përzier me shkronja të alfabetit grek si: M. Domi, SH. Demiraj, A. Kostallari, kurse disa të tjerë theksojnë se krahas shkronjave të përziera latino – greke ai përmban edhe një numër shkronjash sllave si: J. Kastrati etj. Sidoqoftë, edhe pse ky alfabet shkencërisht nisej nga parimi një shkronjë një tingull, nuk mund të përdorej kudo, sepse me të nuk mund të shtypeshin libra, revista, gazeta etj. kudo, për shkak se duhej të bliheshin shkronja përkatëse që duhej paguar shumë shtrenjt. Nga ana tjetër, shoqëria e Stambollit e theu traditën e shkrimit shqip me bazë latine që e kishte zanafillën qysh në shek. XVI e para tij.
Alfabeti i Stambollit për shumë tinguj gjeti shenja grafike të gatshme në alfabetin e Veriut, në alfabetet arbëreshe dhe në alfabetet e përdorura më parë. Si për shembull për tingujt: c, ç, k, q, v, x y z që zunë vend edhe në alfabetin e Manastirit, ndërsa dallonte nga të tjerët në këto shkronja z=xh, η=nj, Ŋ=p, g=gj që mund të merren si adaptimesh shkronjash latine, ndërsa nga ai grek δ=dh, ε =e, λ =ll, σ =sh, υ= th; nga këto të fundit δ (dh) dhe λ (ll) dalin edhe në alfabetin cirilik -sllav. Në serinë e shkronjave të mëdha dalin edhe 7 shkronja greke Δ= DH, Г=GJ, Λ=LL, Ν =NJ, П=P, С=SH, θ=TH. Me të disa muaj pas Lidhjes së Prizrenit u botua abetarja e gjuhës shqipe, më 1879, në 20000 kopje dhe u shpërnda në të gjitha viset ku jetonin shqiptarët. U botuan edhe veprat e Naimit dhe të Samiut etj, një pjesë e madhe e letërsisë sonë laike dhe didaktike mësimore, revista dhe gazeta të kohës.
Me gjithë të metat që pat ai bëri jehonë të madhe te shqiptarët, gjë që mund të shihet edhe nga fjalët e poetit tonë të shquar Asdreni, i cili thotë: “Ai ishte një agim për tërë shqiptarët7”. U krijua me qëllime të mira të larta dhe fisnike (Adreni: Çështja e alfabetit në revistën “Albania”, v.9, nr.4, f.76-80, London, 1905). Shoqëria e Stambollit me alfabetin e saj edhe pse bëri një luftë të madhe për një alfabet të njësuar për të gjithë shqiptarët nuk ia arriti qëllimit që të krijonte variantin më të përshtatshëm, më praktik e më të pranueshëm. Ithtarët e saj e luftuan variantin grek të Vretos, atë arab dhe atë të veçantë të Tahsinit, por nuk e mbështetën atë latin të Vaso Pashës. Kështu që pat edhe kundërshtarë: Kristoforidhin, Mitkon, Kamardën, De Radën, Konicën etj., shoqëritë “Bashkimi”, “Agimi”, gazetat “Albania”, “Kombi” etj.
Siç dihet, janë bërë edhe përpjeke për shkrimin e shqipes edhe me alfabetin arabo-turk e kjo gjë lidhet me lindjen dhe zhvillimin e letërsisë laike të bejtexhinjve që fillon në gjysmën e dytë të shek. XVIII me përfaqësuesit e saj Ibrahim Nezimin, Hasan Zyko Kamberin, Muhamet Kyçykun etj. Bëhen përpjekje edhe për hartimin e fjalorëve shqip-turqisht, nga Ibrahim Nezimi më 1760, Ymer Kashari, Myslim Hoxha etj.
Në periudhën prej Lidhjes së Prizrenit e deri në Kongresin e Manastirit lidhur me çështjen e alfabetit ndihmesë kanë dhënë edhe albanologët e huaj, shtypi i kohës si dhe shoqëritë e ndryshme si nga trojet shqiptare, ashtu edhe ato jashtë atdheut. Në mbarim të shek. XIX alfabeti latin pothuajse fitoi përfundimisht. Ja se ç’shkruante më 17.5.1897 gazeta “Shqipëria” e Bukureshtit: “Shenjat e zërave të gjuhësë duhet të kenë fytyrë latine” (Alfabeti, në gazetën Shqipëria, v.I, nr.2, f.1,Bukuresht, 17.05.1897.). Në artikullin gjuha shqipe botuar ato ditë po në këtë gazetë theksohej: “Kur një komb zë e mpëson gjuhën e tij, këjo është një shenjë që u squa e do të rojë si lipset. Një kombi që i marrin gjuhën e tij është sikur e vrasin”. (Po aty ,gazeta Shqipëria,.f.3). Kishte një mendim se alfabetin e përbashkët mund ta bëjë “Akadhimia” kur të arrihet puna. Çështja e alfabetit ishte ngulitur thellë në mendjen e rilindësve. Një shkrimtar i ditës shkruante: “Të zgjidhen njerëz të aftë për ta shqyrtuar çështjen e alfabetit, e këta të jenë nga Shqipëria, nga kolonitë tona, nga arbëreshët e Italisë, të Greqisë, Dalmacisë, si dhe shqiptarët që gjenden në Misir, Konstatinopol, Rumani, në Amerikë e gjetiu”.
Andon Zako Çajupi ishte kundër alfabetit turk e grek, ishte për alfabetin latin. Luigj Gurakuqi në artikullin “Për alfabetin kombëtar” botuar më 1899, pasi i bëri një shqyrtim alfabeteve të ndryshme që ndodheshin brenda e jashtë Shqipërisë theksoi se: “… Alfabeti i Stambollit për nga parimi – një tingull një shënjë është i perkier”, por e kritikon përzierjen e shkronjave latine greke e sllave. Alfabeti i De Radës dhe përgjithësisht i arbreshëve i duket mjaft i arsyeshëm, por i mangët për sa i takon tingujve y dhe ll që nuk gjenden në dialektin arbëresh. Alfabetet e organeve “Albania” e Brukselit dhe “Shqipëria” e Bukureshtit janë deri diku të përsosur, por asnjëri prej tyre s’mund të zbatohet si alfabet i vetëm dhe kombëtar. Në artikullin “Themelimi i gjuhës letrare” Gurakuqi është për një mbledhje të gjerë me përfaqësues nga shoqëritë kulturale dhe nga organet periodike të kohës ku do të shqyrtohet çështja e zgjidhjes së alfabetit.
Njësimi i alfabetit ishte një kusht i domosdoshëm edhe për kalimin shkallë-shkallë në njësimin e shqipes letrare. Për një gjë të tillë ishte edhe Asdreni i cili theksonte se “pas vendosjes së një abetari të përgjithshëm ndjehet nevoja t’i jepet edhe një drejtim edhe gjuhës duke i bashkuar të dy dialektet tosk e gegë, i cili i përzimë me pak mundim nga an’ e shkronjëtorëvet do t’i japë një fytyrim gjuhës”.
Adham Shkaba në poezinë “Shqiptarët dhe shkronjat shqipe” shkruante: “Sa shqipëtarë që jemi / aqë palë shkronja kemi. Fan Noli i lodhur e i brengosur nga kjo gjendje u drejtohej bashkatdhetarëve: “Për të bërë vjersha është shumë punë e kollajshme; vetëm një kalem duhet, po me ç’shkronja? me të Stambollit, me të Bashkimit, me të Dijes, me të De Radës, apo …”
“Mjaftni se na u mërzit jeta, kështu asnjë çap nuk vemë dot përpara! Po s’u muarmë dot vesh për abecenë, që është e para e punës, si do të merremi vesh më tutje. Një abece për të gjithë shqiptarët dhe si të dojë le të jetë”! Kjo është thirrja e tërë shqiptarëve! Në këtë gjendje të vështirë vepronin rilindësit tanë, të cilët kanë hasur në pengesa të shumta si nga pushtuesi osman, ashtu edhe nga politika shoviniste greke, bullgare e serbomadhe, nga ajo ekspansioniste italiane e austro-hungareze, si dhe nga ndikimi i klerit musliman, katolik e ortodoks që ishin bërë pengesë për zgjidhjen e çështjes së alfabetit të përbashkët dhe për zgjidhjen e gjuhës letrare shqipe. Për t’iu kundërvënë kësaj gjendjeje dhe për t’i luftuar këto qarqe të ndryshme shoviniste, shqiptarët filluan të formonin komitete të fshehta (ilegale) klube e shoqëri, për t’u organizuar sa më mirë, për t’u çliruar nga zgjedha e huaj. Kështu më 1905 me iniciativën e Bajo Topullit, nëndrejtorit të gjimnazit turk në Manastir u formua komiteti i fshehtë shqiptar “Për lirinë e Shqipërisë” , kur merrnin pjesë atdhetarë të dalluar si : Halit Bërzeshta, Fehim Zavalani, Sejfi Vllamasi Gjergj Qiriazi etj.
Ky komitet luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e degëve të tjera të fshehta – komiteteve lokale në krahinat e tjera të vendit si dhe në diasporë, duke formuar edhe shoqëri të tjera që do të luajnë rol të rëndësishëm në vetëdijesimin dhe në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare për shpëtimin e kombit. Kështu u formuan në SHBA, më 1906 në Bufallo shoqëria “Malli i mëmëdheut”, më 1907 në Boston shoqëria “Besa besë” etj.; ndërsa në Bukuresht, në Rumani më 1908 shoqëritën “Dituria”, “Drita” dhe “Shpresa” të cilat më vonë do të bashkohen në shoqëritë “Bashkimi”. Më 1908 edhe në Odesë u formua shoqëria “Përlindja”.
Veprimtaria e rilindësve në këtë periudhë, nuk ishte drejtuar vetëm në krijimin e një alfabeti të përbashkët për zhvillimin e gjuhës së shkruar dhe për ngritjen e shqipes në një nivel më të lartë, por edhe për pranimin publik të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, për botimin e librave, teksteve shkollore, revistave, gazetave, etj.; me një fjalë për vetëdijesimin e kombit shqiptar dhe për çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj. Kjo detyrë kaq e rëndësishme i mbeti për ta zgjidhur Kongresit të Manastirit, ose ndryshe siç quhet Kongresit të Abesë, i cili më 14 deri më 22 nëntor 1908 në sallën e hotelit “Lirija” tuboi delegatët e 26 klubeve dhe shoqërive 32 me të drejtë vote dhe 18 të tjerë pa të drejtë vote, gjithsej 50 delegatë, nga të gjitha viset e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe të kolonive shqiptare. Kongresi, siç dihet, u hap me hapje solemne me fjalime përshëndetëse ku merrnin pjesë edhe mysafirë të ftuar mbi 300 edhe nga kombësitë e tjera si maqedonas, vllehë etj. Ai zgjodhi me vota të fshehta 11 anëtarë të komisionit nga të tri shoqëritë e atëhershme nga shoqëria e Stambollit, nga shoqëritë “Bashkimi” e “Agimi të Shkodrës”. Në të merrnin pjesë personalitete e shkrimtarë të shquar të kohës si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mid’had Frashëri, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Bajo Topulli e Nyz’het Bej Vrioni, të cilët u gjendën para një sprove të vështirë se për cilin alfabet do të përcaktoheshin dhe që ai të bëhej i përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Ata pasi shoshitën të gjitha çështjet rreth harmonizimit të qëndrimeve të grafemave, (shkronjave) latine, të cilat do të përdorëshin në alfabetin e shqipes, konstatuan se puna nuk ishte aq e lehtë dhe aq e thjeshtë, ngase ekzistonin dallime ndërmjet anëtarëve të komisionit në përcaktimin e shenjave fonemore konkrete të sistemit fonetik të gjuhës shqipe që nuk i ka latinishtja.
Kështu para komisionit dilnin tri mundësi:
- Të merrej njëri nga tri alfabetet kryesore që ishin në përdorim, me ose pa ndonjë ndryshim;
- Të formohej një alfabet me elemente të të tri sistemeve, duke i shkrirë të tri alfabetet ne një;
- Të krijohet një alfabet i ri, pa marrë parasysh tri alfabetet kryesore ekzistuese
Më në fund komisioni vendosi të krijonte një alfabet të ri, duke i shqyrtuar e analizuar një për një tingujt e shqipes për të caktuar mbi kriteret të drejta shkencore e në përshtatje sa më të saktë me gjuhën shqipe, shkronjat si dhe mënyrën e shënimit të tyre. Komisioni duke parë vështirësitë që po dilnin dhe divergjencat që po ekzistonin më në fund, me pëlqimim e të gjithëve vendosi të përdoren dy alfabete : alfabeti i Stambollit dhe një alfabet thjesht latin, të cilët do të përdoren paralelisht në mes të shqiptarëve në një periudhë kalimtare prej dy vjetësh deri në kongresin e Janinës, ku do të shqyrtohej edhe çështja e drejtshkrimit të gjuhës dhe të letërsisë dhe deri atëherë do të shihej se cili alfabet do të përdorej më shumë ai do të merret si alfabet i vetëm kombëtar.
Edhe pse Kongresi i Manastirit nuk mori një vendim të prerë për një alfabet të vetëm, vendimet e tij janë shumë të rëndësishme për lëvizjen kombëtare shqiptare dhe shënojnë një hap përpara në zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, për të cilën gjë albanologu i njohur Holger Pederseni shprehet kështu: “…këtej e tutje do të jenë dy alfabete paralele, dhe kjo ndryshon fort pakë nga një alfabet të vetëm. Ky është një përparim shumë i madh, për të cilin duhet uruar kombi shqiptar”. (Mendimet e Dr. Holger Pedersenit, (Dielli, Boston, nr. 36, 3 dhjetor 1909). Këto vendime bënë jehonë të madhe në popull dhe filluan të realizohen. Mirëpo kjo gjë nuk u erdhi mirë qarqeve të ndryshme shoviniste e sidomos turqve të rinj të cilët filluan një luftë të ashpër kundër vendimeve të Kongresit, kundër alfabetit latin dhe ishin për një alfabet arabo – turk. Ata penguan edhe Kongresin e Janinës ku do të shqyrtohej çështja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe disa çështje të tjera. Kështu që çështja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe i mbeti si barrë për ta realizuar më vonë Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila i zhvilloi punimet e saj prej 1.9.1916-1.9.1917. Anëtarët e saj ishin dr. Gjergj Pekmezi, kryetar, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Sotir Peci, Hil Mosi, Gjergj Fishta, Ambroz Marlaskaj, Ndue Paluca, Luigj Naraçi. Më vonë inkuadrohen Aleksandër Xhuvani, Rajko Nahtigali dhe dr. Maksimilijan Lamberci.
Në vitin e parë kjo komisioni nxori organin e vet ”Laimet e Komisis Letrare Shqipe si dhe broshurën “Rregulla mbi ortografinë e gjuhë shqipe të shkrueme”.
Veprimtaria e anëtarëve të Komisionit nuk u kufizua vetëm në problemet e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, por edhe në çështjet e tjera gjuhësore, siç ishte ajo e formimit të gjuhës letrare, gjë që shihet edhe nga fjalët e dr. Gjergj Pekmezit: “Nuk ka dyshim se kushdo prej nesh e di fort mirë se nuk mund të jetë sot për sot qëllimi ynë i parë orthografija, po pa dyshim nji gjuh’ e përbashkme. Ajo na mungon e na duhet do e mos. Asht e ditur se kur s’ka gjuhë , s’ka, as orthografi. Gjuha e përbashkme, pra është sot për sot qëllimi i yn’ i pari dhe padyshim se asnji në mes tonë nuk gjindet të mos dëshërojë këtë”. (Laimet e Komisis Letrare Shqipe, Shkodër, nr.1, kallënduer, v.1918). Pasi u shqyrtua çështja e gjuhës Komisia mori një varg vendimesh. Ajo përcaktoi drejt parimin themelor drejtshkrimor të shqipes dhe vendosi që ortografia e gjuhës të jetë fonetike, dmth., gjuha do të shkruhet siç flitet sot prej popullit.
Në fushën e vokalizmit u mor qëndrim që të ruhet në shkrim zanorja ë e patheksuar: në trup të fjalës si p.sh.: shëndet, shtëpi, këndue, etj, në fund të fjalës; punë, mollë, djalë, i mirë , i shpejtë etj; te nyjat: të, së; te parafjalët: mbë, ndë; te shumësi i emrave: punëtorë, kryetarë; të foljet: shkojmë , thashë, bleftë, etj; si edhe te mbiemrat e ndajfoljet e tipit (i, e) mirë – mirë, (i, e) bardhë – bardhë, (i, e) gjatë-gjatë etj.; ndërsa për disa emra dhe mbiemra la forma dysore si: veglë, goglë, Shkodrë etj. dhe formën tjetër më – ël, ër : vegël, gogël, Shkodër.
Trajtat e dyzanoreve ie, ue, ye, që në të folmet veriore të gegërishtes ishin asimiluar në zanore të gjata : ī, ū , y, si p.sh. qīll, dīll, thū, ftū, kry, ly do të shkruhen të plota, si: qiell, diell, thue, ftue, ashtu siç ishin ruajtur në dialektin e toskërishtes. Theksi hundor do të përdoret vetëm në rastet ku a-ja hundore e gegërishtes i përgjigjet historikisht një ë-je të toskërishtes, si p.sh.: gjâ , zâ , âsht etj. dhe në rastet kur zhduket hundorësia : pê, frê, hî , mullî, etj.
Sasia (kuantiteti) e zanoreve nuk do të shënohet me ndonjë shenjë në shkrim. Në fushën e konsonantizmit komisia mori qëndrim që grupet e bashkëtingëlloreve: mb, ngj të shkruhen e të shqiptohen të paasimiluara: mbret, ungjill dhe jo: mret, unjill.
Emrat e gjinisë femërore që mbarojnë me -i në rasat e zhdrejta dhe në kallëzoren të shkruhen me theks (´) si p.sh: shtëpís, lirís, shtëpín, lirín ose të mbarojnë me -së sipas ortografisë së toskërishtes: shtëpisë, lirisë, shtëpinë, lirinë. Komisia nuk e zgjidhi as çështjen e emrave femërore që mbarojnë me -i të theksuar, sepse propozonte format: shpi-j-a, liri-j-a etj.
Në fushën e sistemit foljor për disa folje që mbarojnë me temë në zanore, në kohën e kryer të thjeshtë në shumës mori qëndrim të shkruhen me theks në zanoren e temës ose më -ë, ashtu siç i ka ruajtur toskërishtja: pím, pít, pín; blém, blét, blén etj., ose pimë, pitë, pinë, blemë, bletë, blenë. Komisia letrare e Shkodrës bëri një punë të madhe edhe në shqipërimin e termave gjyqësore e administrative, kërkesë kjo që ishte paraqitur edhe në programin e rilindësve tanë, sepse, siç dihet administrata shtetërore mbahej kryesisht në gjuhën turke. Termat si: myxhered, delil, tahlit, zarar, tezhzije, intizan ehli, ibre, zabit, karar etj. u zëvendësuan me: abstrakt, argument, betim, dam, dënim disiplinë, dokument, ekspert, oficer, vendim etj. (Laimet e Komisis Letrare të Shkodrës, f.20-26.).
Në kohën kur veproi kjo Komisi si edhe pas veprimtarisë së saj u shfaqën edhe mendime për t’i dhënë një vend të gjerë parimit historiko – etimologjik në drejtshkrim, por u kundërshtua nga: L. Gurakuqi, S. Peci, A. Xhuvani, i cili ndër të tjera theksoi se “ etimologjia do ta pështjellonte aq drejtshkrimin aq fort sa do të ishte vështirë të dilej pastaj prej labirintit të saj. Sot bota perpiqen gjithnjë që ta njohin ortografinë me fonetikë tue mos marë parasysh etimologjinë”.
Puna e Komisisë nuk qe e lehtë, u trajtuan çështjet themelore rreth shkrimit të shqipes, por edhe këtu u paraqitën rryma dhe pikëpamje të ndryshme se cili variant do të merrej si gjuhë shkrimi varianti verior – shkodranishtja për të cilin ishte (Lambertsi, etj), për variantin e mesëm – elbasanishten (Nahtigali, Pekmezi, Gurakuqi) dhe të tjerët për variantin jugor. Vendimet e miratuara të Komisisë Letrare të Shkodrës më vonë u miratuan edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës dhe këto u bënë bazë e drejtshkrimit të shqipes deri në vitet e para pas çlirimit të Shqipërisë, gjë që vazhdoi edhe në periudhën e pavarësisë, e cila shënoi një varg përpjekjesh të gjuhëtarëve, punonjësve të arsimit, publicistëve dhe shkrimtarëve që dhanë një ndihmesë të çmueshme për ortografinë e gjuhës shqipe, rrugë kjo që çonte drejt drejtshkrimit të njësuar të gjuhës letrare shqipe. Ky proces kaloi nëpër një rrugë të gjatë zhvillimi, në sesione dhe mbledhje të ndryshme shkencore si në ato të vitit 1952 në Tiranë ku u përkrah ideja që toskërishtja të shërbente si bazë e gjuhës letrare kombëtare që do të ngrihej dalëngadalë. (I.Ajeti, Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë, SF I, Tiranë, 1973, f.113-117.). Po në këtë vit, në Prishtinë u mbajt një mbledhje rreth ortografisë shqipe dhe mandej pasuan edhe mbledhjet e viteve 1957 – 1963, në të cilat u shqyrtua çështja e krijimit të një koineje. Kjo gjendje vazhdoi deri në Konsultën gjuhësore të Prishtinës, 1968, ku u mor vendim që gjuhë zyrtare edhe për shqiptarët që jetojnë në trojet etnike të merret kjo e trungut mëmë, dhe që përfundimisht u vendos në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972 që u mbajt në Tiranë, i cili vulosi njësimin strukturor të gjuhës letrare gjithëkombëtare dhe me këtë realizoi dëshirën dhe ëndrrën e rilindësve tanë “një komb, një gjuhë”. (koha.mk)