BDI ka nevojë për një ristrukturim dhe rifreskim të kuadrit të saj, sepse një ndër vërejtjet që opinioni i adreson kësaj partie – është se në skenën politike po i sjell figurat e njëjta, kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend duke folur për ndryshimet e paralajmëruara statusore nga selia “blu” në prag të Kongresit të 21 dhjetorit
Destan JONUZI
Shkup, 4 dhjetor – Pas Kongresit të katërt të caktuar për 21 dhjetor, në Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) pritet të ketë ndryshime Statusore dhe programore. Për këto është biseduar në takimin e fundit (mbrëmjen e së hënës) të Kryesisë Qendrore në selinë partiake në Reçicë të Vogël në Tetovë. Sipas projeksioneve të drejtueseve të selisë “blu”, në përputhje me ndryshimet statusore – do të formohen edhe tri organe të reja partiake. Shefi i kabinetit të liderit të BDI-së, Artan Grubi, ka informuar se në të ardhmen kjo parti do të ketë edhe Këshillin Kombëtarë Partiak, Komisionin Zgjedhor i cili do të organizojë dhe zbatojë të gjitha zgjedhjet brenda partiake, nga degët deri në nivel qendror, shkruan gazeta KOHA.
“Bëhet fjalë për formim të Këshillit Kombëtar, Komision partiak zgjedhor i cili do të punojë çdoherë për zgjedhje në të gjitha organet e partisë. Është paraparë të ketë edhe Kongres të vazhdueshëm të cilin do ta prezantojnë një e treta e anëtarëve të deleguar nga degë, ndërsa të cilët do të punojnë deri në Kongres dhe pas Kongresit që të jetë jetëgjatësia e BDI-së”, ka deklaruar Grubi. Të gjitha këto dokumente do t’u jepen degëve, por edhe opinionit më të gjerë të ekspertëve. “Dëshirojmë të dëgjojmë mendim, të gjitha informacionet e mara nga debati publik siç janë vërejtjet nga degët ose mendimi i ekspertëve të inkorporohen në Propozim- rezolutën e Kongresit të 4-të”, ka theksuar Grubi.
Njohësit e zhvillimeve politike në vend, megjithatë thonë se këto reforma nuk janë të mjaftueshme për BDI-në, pasi sipas tyre, për të ndjekur kursin e saj proevropian që e ka si sigël që nga formimi e këndej, ajo duhet të reformohet. “Për kërkesat dhe pikat programore, më mirë e vlerëson votuesi BDI-në se a i ka përmbushur të gjitha të thënat dhe të shkruarat në programin e saj. BDI duhet të reformohet për t’u bërë një parti e vërtetë evropiane. Duhet t’i largojë figurat që i japin pamje të keqe partisë dhe individë të akuzuar për keqpërdorime. Kongresi duhet shfrytëzuar për ringjalljen e saj nga rinia që tashmë nuk është në radhët e saj dhe të partive tjera. Nëse ky Kongres do të duket si ato të PKSH-së, do të them se objektivat nuk janë arritur dhe është tradhtuar ideali i gjeneratave dhe atyre që ranë në konfliktin e 2001-shit. BDI është para sfidave reale të perceptimit të saj nga jashtë si parti e kufizuar. Tani e ka radhën lidershqipi i saj të tregojë një program më ndryshe dhe konkret me forcë të re”, deklaroi për KOHA, Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit (ISSD – Maqedonia).
Nga ana tjetër, analisti Blerim Hyseni potencon se BDI gjatë veprimit të saj që nga themelimi i ka pasur të qarta synimet se nga duhet të shkojë politika e saj. Madje, sipas tij, këto synime kanë qenë të lidhura ngushtë me emrin e saj – integrimi i shqiptarëve brenda dhe integrimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike. “Këtyre dy postulateve mendoj që nuk u është shmangur asnjëherë, por shpesh situatat që i kanë imponuar zhvillimet politike është krijuar përshtypja se është zbrazur nga këto angazhime. Megjithatë, mendoj që në këtë drejtim edhe më tej ka nevojë të angazhohet, por me theks të veçantë duhet tanimë ti jepet rëndësi dhe peshë më e madhe zhvillimit ekonomik në rajonet ku jetojnë shqiptarët, duke mos i harruar për asnjë çast edhe postulatet tanimë të njohura të cilat e identifikojnë këtë parti politike”, shprehet Hyseni. Ai mendon se BDI ka nevojë për një ristrukturim dhe rifreskim të kuadrit të saj, sepse një ndër vërejtjet që opinioni i adreson kësaj partie është se në skenën politike, po i sjell figurat e njëjta. “BDI duhet të ndërmarrë hapa të qartë dhe të domosdoshëm në përfshirjen e njerëzve të ri dhe kompetent në fusha të caktuara. Sigurisht që Kongresi si organ më i lartë i çdo subjekti politik mbahet për të sjell risi, por edhe hartimin e politikave afatgjata. Kryetari këtij subjekti ka paralajmëruar se ky Kongres do të jetë fillimi i përgatitjes së këtij subjekti për 20 vitet e ardhshme që mendoj se është një ambicie e madhe. Pra mendoj që do të sjell risi edhe në aspektin kadrovik, por edhe në mënyrën e funksionimit dhe hartimit të politikave të këtij subjekti për në të ardhmen”, nënvizon Hyseni.
Ndërkaq, analisti Faton Aliti vlerëson se synimet e një partie politike nuk mundet dhe nuk duhet të jenë të përhershme dhe të pandryshueshme sepse rrethanat janë të ndryshueshme. Sidomos, shprehet ai, nëse kemi parasysh se BDI është aktive tani më 18 vite në skenën politike. “Synimi kryesor i tyre ishte zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe mendoj se jetësimi i saj është goxha i avancuar, por fatkeqësisht akoma i pa përmbyllur. Në Kongresin e dhjetorit besoj se do të ketë risi, sepse jam i bindur se edhe në BDI e kanë lexuar qartë porosinë e votuesve në zgjedhjet e fundit. Për më tepër, zgjedhjet parlamentare do të ndodhin për disa muaj, dhe pikërisht për këtë arsye mendoj se disa veteranë të BDI-së nuk do të jenë kandidat për funksionet më të larta partiake”, theksoi Aliti.
Ndryshe, BDI-ja si parti doli si fuqi politike e pasluftës në vitin 2001 në Maqedoni me kryetarin e saj, Ali Ahmeti. Kjo parti është pjesë e koalicionit qeveritar të Maqedonisë që nga viti 2002. Koalicionin e parë qeveritar BDI-ja e pati me LSDM-në vitin 2002, ndërsa nga korriku i vitit 2008 krijoi koalicionin qeveritar me VMRO-DPMNE-në i cili zgjati tetë vjet deri në fund të dhjetorit të vitit 2016. Kjo forcë politike gjithashtu ka fituar edhe në referendumin për ndarjen territoriale në vitin 2004, zgjedhjet lokale të vitit 2005, zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008, zgjedhjet lokale dhe presidenciale më 2009, zgjedhjet e hershme parlamentare më 2011, përsëri ato të parakohshmet në 2014 deri në zgjedhjet e fundit në dhjetor të vitit 2016, ku krijoi koalicionin qeveritar me LSDM-në, e cila tani është në pushtet. Në këto vite të ekzistimit të saj, pas Kuvendit themelues, BDI ka organizuar katër kongrese, nga të cilët i pari më 19 nëntor 2005, i dyti më 19 dhjetor 2009, i treti në përvjetorin e partisë më 5 qershor të vitit 2014 dhe kongresin dyditor tematik në mars të vitit 2015. BDI, që nga themelimi është e vetmja parti në Maqedoni që nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. (koha.mk)