Pas zhvillimeve dramatike në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik, vëmendja e superfuqive do të shpërqendrohet shumë nga Ballkani, vlerësojnë analistët. Megjithatë, Kosova do të mbetet në fokusin e vëmendjes amerikane për shkak të një baze ushtarake në jug të Kosovës që kufizohet me Maqedoninë e Veriut
Zenel MIFTARI
Shkup, 9 janar – A mund të ketë një defokusim të vëmendjes në rrafshin global, apo një ‘largim’ të përkohshëm të amerikanëve nga Ballkani, pas zhvillimeve dramatike në Lindjen e Mesme, si pasojë përshkallëzimit të konfliktit në distancë në mes të SHBA-se dhe Iranit.
Analistët dhe njohësit e rrethanave gjeopolitike kanë ngritur një sërë dilemash rreth mundësisë së implikimit të tërthortë apo të drejtpërdrejt të këtyre ngjarjeve në rajon, me theks të posaçëm në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu këto zhvillime kanë hapur edhe “kutinë e Pandorës” sa i përket të ashtuquajturit ‘solidaritet islam’, pas vrasjes së gjeneralit të forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit “Quds”, Qasem Soleimani. Mediat në Prishtinë bëjnë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar Ikballe Berisha-Huduti, e cila doli me një deklaratë publike kundër vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimanit. Ajo përmes shkrimeve në rrjete sociale kishte kritikuar liderët që përkrahën sulmin e SHBA-së.
Ikballe Berisha-Huduti kishte shkruar në facebook se gjenerali i vrarë iranian nuk do të vdesë kurrë, madje disa nga postimet e bëra ajo kishte vendosur t’i largoj pas reagimeve të shumta në medie. Sipas saj “hakmarrja pritet”. Si kundër përgjigje për këtë sulm nda gjeneralit iranian Irani ka sulmuar dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak. Bazat ajrore janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike nga Irani, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.
KOSOVA DO TË MBETET NË VËMENDJEN AMERIKANE
Vedat Xhymshiti, gazetar i pavarur dhe korrespodent lufte, thotë se një gjë është e qartë se amerikanët nuk janë të sigurt, ashtu edhe siç argumentoi sekretari i shtetit Mike Pompeo në Fox News mëngjesin e parë pas vendimit të qeverisë amerikane për vrasjen politike të gjeneralit Iranian. “Kjo është arsyeja pse Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë amerikanëve të largohen jo vetëm nga Iraku, por edhe nga Pakistani, Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha për gazetën KOHA, Xhymshiti.
Sipas tij, nuk është e sigurt nëse konflikti do të zhvillohet në shkallë të plotë, por probabiliteti është më i lartë se në çdo moment në dekada. Kjo gjendje tani bllokon dy vendet SHBA-të dhe Iranin në një cikël të rrezikshëm përshkallëzimi që mbase do të çojë në një luftë më të gjerë.
Ai beson se vëmendja e superfuqive do të shpërqendrohet shumë nga Ballkani, megjithatë, Kosova do të mbetet në vëmendjen vetëm sepse ekziston një stacion baze ushtarake e SHBA-ve në jug të Kosovës që kufizohet me Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu Xhymshiti mendon se ardhja e presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar një vetë-iniciativë të vendeve të Ballkanit për të reformuar dhe ndoshta edhe ringjallur një bashkim rajonal të natyrës që dikur ishte Jugosllavi. Një forcë dhe zinxhir kombesh që mblidhen së bashku për të fuqizuar dhe sfiduar Fuqitë Perëndimore, si dhe Fuqitë Lindore dhe mbase kjo mund të çojë në një proces paqeje, ku mbase Serbia do të qëndronte në këmbë për të pranuar përgjegjësitë e së kaluarës së tyre të përfshirjes në krime lufte kundër njerëzimit, t’i ndjek dhe t’i mbaj para llogarisë ata që janë përfshirë në bërjen e këtyre krimeve në luftërat në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë. Mendoj se ky është një nga faktet që po i jetojmë se aleancat janë në lëvizje që nga viti 2016.
NUK GUXOJMË TË NDIKOHEMI NGA APELET FETARE POLITIKE
Sa i përket indiceve se këto zhvillime dramatik që po ndodhin si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit SHBA-Iran, mund të ndikojnë në mobilizimin solidar të njerëzve mbi baza fetare, teologu nga Kosova, Xhabir Hamiti, në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se ne si pjesëtar të Islamit të cilët jetojmë në Kosovë dhe kudo tjetër në Evropë, në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë veten që të biem nën ndikimin e apeleve fetare politike, të cilat sot dhe në të ardhmen mund të prodhohen në Lindjen e Mesme ose diku tjetër, sepse, nga cilado palë apo anë që ato vinë, asnjëra dhe asgjë nuk kanë të bëjnë me identitetin dhe kulturën tonë, e aq më pak me kontekstin tonë kohor, ambiental, gjeografik dhe gjeopolitik.
“Është tepër e rëndësishme që ne vet të kultivojmë rrugën tonë autentike të interpretimit fetar, me fjalë tjera të jemi të pavarur dhe të zhveshur nga literatura jo objektive fetare e jashtme, si dhe nga ideologët sektar fetar dhe politik, të cilët shumëherë para syve na paraqiten si engjëj shpëtues, ndërsa në brendësin e tyre fshehin djallëzinë dhe prapavijën e agjendave dhe agjenturave të jashtme sektare politike”, ka saktësuar Hamiti.
SHIITËT NUK GËZOJNË SIMPATI NË BALLKAN
Gazetari i të përditshmes zvicerane ‘TagesAnzeiger’, Enver Robelli, për gazetën KOHA, tha se Irani ka ambicie të jetë një fuqi rajonale. Pothuaj në çdo shtet të rajonit – Siri, Jemen, Irak – regjimi i Teheranit lufton përmes njësive lokale që i kontrollon vetë. Gjenerali Kasem Solejmani, i cili u vra nga SHBA-të,sipas tij, ishte koka e aparatit të sigurisë së Iranit dhe strategu i zgjerimit të ndikimit të Teheranit në rajon. Javëve të fundit regjimi i mullahëve ka provokuar vazhdimisht: me sulme në Rrugën Detare të Hormusit, e cila e lidhë Gjirin Persik me Oqeanin Indian, dhe me goditje ndaj impianteve të naftës në Arabinë Saudite. Sipas tij, diktatori sirian Bashar al-Asad e ka siguruar tani për tani pushtetin falë ndihmës nga Moska dhe Teherani.
“Një regjim revolucionar si i Iranit (mbi)jeton vetëm nëse vazhdimisht mund të paralajmërojë popullin nga rreziku që kanoset nga jashtë. Javëve të fundit në Iran ka pasur mjaft protesta për shkak të gjendjes së rëndë sociale; vrasja e gjeneralit Kasem Solejmani i shërben regjimit për të mobilizuar popullin drejt unitetit nacional. Në këtë mes kritikët nuk kanë vend. Sa i përket Shteteve të Bashkuara: presidenti Donald Trump, i cili më shumë sillet si komandant i Twitterit, nuk ka ndonjë strategji për Lindjen e Afërt. Në radhë të parë ai dëshiron të gropos trashëgiminë e Barack Obamës. Për këtë arsye Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e negociuar nga amerikanët, evropianët dhe rusët. Marrëveshja nuk ishte e përsosur, por së paku për një kohë bllokonte mundësitë e Iranit për të prodhuar armë bërthamore dhe rrezikuar kështu rajonin. Trump i ka fituar zgjedhjet edhe me premtimin se SHBA-të nuk do të futen në aventura luftarake”, u shpreh Robelli.
Ai shtoi se kjo i ka dhënë hov fuqive si Irani për të zaptuar terrenin dhe se pas sulmeve të fundit kundër bazave amerikane, të dy palët janë të interesuara për deeskalim të situatës. Sulmet iraniane mund të quhen sulme të dozuara mirë. Nëse nuk ka viktima amerikane, Trump nuk ka arsye të zemërohet. Robelli, nuk mendon se ka solidarizim islam mes myslimanëve në rajon. Për shkak se Irani është në pjesën më të madhe shoqëri me konfesion shiit. Në rajon dominojnë sunitët arabë, të cilët janë të interesuar të ruajnë raportet e mira me Amerikën si fuqi mbrojtëse kundër Iranit. Gjithashtu ai shton se vëmendja e BE-së dhe SHBA-ve ndaj Ballkanit ka disa vite që po bie. Gjithsesi, në rast se papritmas eskalon situata në Lindjen e Afërt, Ballkani do të zhvendoset edhe më poshtë në listën e prioriteteve, përfundon ai.
SULEJMAN EFENDI REXHEPI, KRYETAR I BFI-së
“Konflikti Iran-ShBA nuk mund të vë në pikëpyetje miqësinë e përhershme dhe të sinqertë shqiptaro-amerikane. Ne jemi aleat te pa luhatshëm me SHBA-të, për shkak të historisë, por edhe për shkak të aktualitetit. Implikimi i njerëzve tanë në këtë konflikt dhe aq më tepër animi nga regjimi i Teheranit, është i pamundur edhe për faktin se shumica dërmuese e shqiptarëve myslimanë i takojnë drejtimit Sunit, edhe përkundër joshjeve eventuale materiale-financiare që mund të vijnë nga regjimet e tilla. Shqiptarët myslimanë duhet të binden se kauza e shenjtë e tyre kombëtare është e lidhur ngushtë me aleancat Perëndimore, kurse miqësia me SHBA nuk guxon të cenohet me kurrfarë çmimi.
Ne si institucion më i lartë fetar në Maqedoninë e Veriut u bëjmë apel të gjithë vëllezërve e motrave myslimane që të dinë ta ndajnë miqësinë nga manipulimi, sepse vitet e fundit kemi qenë dëshmitar të shumë aventurave që nën petkun fetar i kanë bërë dëm më së shumti Islamit. Kontributi më i madh i yni si mysliman është të jemi në shërbim të objektivave tona për një progres të përgjithshëm dhe mirëkuptim në mes të njerëzve, pa dallim etnie e feje. Kriza në Lindjen e Mesme duhet të zgjidhet me dialog, kurse përdorimi i armëve duhet të jetë mjeti i fundit i arritjes së synimeve përfundimtare”. (koha.mk)