Deputetët e Parlamentit të Austrisë kanë votuar një ligj i cili do të lejojë konfiskimin e shtëpisë ku ka lindur ish-diktatori Adolf Hitler në vitin 1889, me qëllim që të parandalohet kthimi i banesës në një objekt kulti për personat me prirje neo-naziste. Me një shumicë të theksuar, deputetët miratuan shpronësimin për pronaren e quajtur Gerlinde Pommer, të cilës do t’i jepet një shumë e konsiderueshme parash për të hequr dorë nga prona e saj. Pensionistja e ka blerë godinën që në vitin 1977 dhe që prej atëherë nuk ka pranuar që ta shesë apo të lejojë rikonstruksionin e saj.
Për vite me radhë, ajo ka marrë gjithashtu një pagesë mujore nga ana e qeverisë, në mënyrë që të mos lejojë vizitorë. Megjithatë, pavarësisht se votuan pro-konfiskimit të pronës, ligjvënësit austriakë ende nuk e dinë se si do të veprojnë më tej me shtëpinë që ndodhet pranë kufirit mes Austrisë dhe Gjermanisë. Shumë persona kanë propozuar shembjen e godinës, ndërkohë që të tjerë e konsiderojnë si shumë të gabuar këtë ide. Kampi kundërshtar nënvizon se nuk ka pse të mohohet e shkuara dhe historia dhe se shtëpia duhet të jetë një Muze i hapur për të gjithë. Adolf Hitleri lindi në katin e tretë të kësaj shtëpie më datë 20 prill të vitit 1889, në një dhomë të marrë me qera nga prindërit e tij. Megjithatë, ai jetoi në këtë qytezë austriake vetëm për tre vite, përpara se familja e tij të shpërngulej në Gjermani. Gjatë pushtimit nazist, shtëpia u kthye në një atraksion turistik, por me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ajo u mor sërish nga qeveria dhe u mbyll për vizitorët.