Tetovë, 19 dhjetor – Festat e fundvitit po afrohen. Si çdo vit edhe këtë vit, pritet që qendrat e dy qyteteve të Pollogut,Tetovës dhe Gostivarit të mbushen me shitës të mjeteve piroteknike. Kjo edhe u krijon mundësi që shumë fëmijë, por edhe të rritur të jenë më afër këtyre mjeteve dhe të mund të blejnë.
Me këtë ata në mënyrë të drejtpërdrejt ekspozohen ndaj rreziqeve për të lënduar veten por edhe të tjerët përreth tyre. Viteve të kaluara nga përdorimi i mjeteve piroteknike shumë persona kanë marrë lëndime, kanë shkaktuar zjarr nëpër shtëpi dhe objekte tjera por edhe kanë dëmtuar automjete. Nga policia e Tetovës rikujtojnë se përdorimi i fishekzjarrëve dhe gjuajtja me armë zjarri paraqet kundërvajtje, ndërsa kundërvajtësit do të ballafaqohen me gjoba adekuate. Në këtë drejtim policia e Tetovës të martën ka konfiskuar 920 copë fishekzjarrë.
“Të martën rreth orës 13.00, në rrugën “Vëllezërit Gjinovski” në Gostivar, pjesëtarët e policisë të Gostivarit, e kanë privuar nga liria 34 vjeçarin M.K nga fshati Simnicë e Gostivarit, tek i cili janë gjetur dhe konfiskuar rreth 920 copa lloje të ndryshme të mjeteve piroteknike, pjesa më e madhe fishekzjarrë. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit kundër personit M.K. do të përgatitet parashtresë adekuate”, njoftoi zëdhënësi i SPB-së në Tetovë, Fatmir Rexhepi. Policia tashmë ka mbajtur mbledhje me gupet këshilluese qytetare, me të cilët mes tjerash, është biseduar lidhur me shit-blerjen dhe gjithçka që ka të bëjë me mjetet piroteknike.
Krahas kësaj, takime të këtilla organizohen edhe nëpër shkollat fillore dhe të mesme në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, ku inicues dhe bartës i këtyre aktiviteteve është njësiti për preventive. Nga Policia thonë se kanë shpeshtuar kontrollohet tashmë në këtë periudhë për të parandaluar shitjen, por njëkohësisht edhe për pamundësuar qasjen e fëmijëve deri tek këta mjete të rrezikshme. Policia rikujton se në botë rreth 150 mijë persona marrin lëndime në trup si pasojë e përdorimit të fishekzjarrëve. (koha.mk)