Bastisja e dytë e realizuar në një shtëpizë të vogël me derë metalike dhe dritare, të paketuara në thasë polietileni janë gjetur dhe marrë për ekspertizë rreth 45 kilogram marijuhanë, të cilat sipas tregimit të N.I., kanë qenë të furnizuara prej një personi nga Republika e Shqipërisë
Urim HASIPI
Tetovë, 31 tetor – Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë vazhdon me aktivitetet intensive për zbulimin dhe sanksionimin ligjorë të personave të involvuar në “prodhimin ilegal dhe lëshimin në përdorim, të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve”, shkruan gazeta KOHA.
Të martën në periudhë prej ora 12.00 deri ora 22 e 30 minuta, është kryer kontroll bastisje, së pari në shtëpinë dhe hapësirat ndihmëse të 54 vjeçarit N.I. nga Tetova, me lokacion në rrugën “Mihajllo Rajçeviç” në Tetovë, dhe më pas edhe në një objekt – shtëpize të vogël në rrugën “29 Nëntori”, gjithashtu në pronësi të tij.
“Gjatë bastisjes së parë të realizuar me urdhër të gjykatësit, në të cilën ka qenë prezent edhe prokurori publik, në njërën nga dhomat në katin e parë, është gjetur mbi 1 kilogram marihuanë, 13 litra deri më tani lëng i panjohur, peshore digjitale, bluarse prej druri, gjilpëra dhe shumë pajisje tjera, të cilat janë foto dhe videodokumentuar dhe marrë për ekspertizë. Bastisja e dytë e realizuar në një shtëpizë të vogël me derë metalike dhe dritare, të paketuara në thasë polietileni janë gjetur dhe marrë për ekspertizë rreth 45 kilogram marijuhanë, të cilat sipas tregimit të N.I., kanë qenë të furnizuara prej një personi nga Republika e Shqipërisë. Pesëdhjetë e katër vjeçari N.I. nga Tetova është privuar nga liria dhe mbajtur në stacionin policorë Tetovë. I njëjti me padi adekuate do të dërgohet përpara gjykatësit, me procedurë paraprake në Gjykatës themelore Tetovë”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Ndërkohë, sipas burimeve policore, aksionet e fundit janë të përqendruara edhe nëpër vende të ndryshe, ku janë të involvuar persona që të merren me tregtari dhe lëshim në përdorim të lëndëve narkotike. Aksionet që kanë filluar muajin e fundit cak kanë edhe moshat më të reja, të cilët shumë lehtë arrijnë tek droga.
Muaj më parë, në Tetovë u zbulua edhe një laborator ndër më të mëdhenjtë në Ballkan për drogë. Nga Policia vetëm kanë theksuar se kjo luftë kundër nëntokës së drogës do të vazhdojë edhe më tej me intensitet më të madh. Përndryshe, në kuadër të kontrolleve që ka bërë SPB e Tetovës, me urdhër të gjykatësit hetues gjatë vikendit janë bastisur shtëpitë e personave që dyshohen të jenë involvuar në prodhim dhe shitje të substancave narkotike. Gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e personit D.B., nga Tetova, janë gjetur substanca narkotike dhe një peshore. Të njëjtat janë sekuestruar dhe janë dorëzuar për hetim të mëtejshëm, raporton KOHA.
Kontroll është kryer edhe në shtëpinë e personit H.A. i lindur në vitin 1991 në fshatin Poroj të Tetovës, tek i cili është gjetur një sasi e konsiderueshme e marihuana dhe qese për paketimin e saj, të njëjtat janë konfiskuar, ndërsa personi i lartpërmendur është ndaluar dhe pritet paraburgimi i tij. Kontroll është kryer edhe në një shtëpi në fshatin Kamjan të Komunës së Bogovinës, pronë e personit S.SH. Gjatë kontrollit është arrestuar edhe gruaja e tij, e cila sipas të dhënave nga MPB-së, ka tentuar që të asgjësoj faktet dhe ka penguar pjesëtarët e policisë në kryerjen e detyrës së tyre. (koha.mk)