Në raportin për përparimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian (BE) theksohen tre rekomandime ndaj të cilave duhet të përkushtohet Maqedonia e Veriut në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021. Vlerësimi është se Maqedonia Veriore ka një nivel të caktuar të përgatitjes ose është e përgatitur mesatarisht në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit
Destan JONUZI
Shkup, 31 tetor – Zbatimi i ligjit që transferon disa nga kompetencat nga ish Prokuroria Speciale Publike (PSP) në Prokurorinë publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe rregullimi i statusit të materialeve të përgjuara, në mënyrë që përcaktimi i përgjegjësisë për krimet që vijnë nga përgjimet të vazhdojë. Rezultate më të prekshme në luftën kundër krimit, që nënkupton të rritet numri i dosjeve gjyqësore që marrin epilog përfundimtar në rastet ku ka korrupsioni të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe konfiskimin e mëtejshëm të pasurisë së fituar përmes krimit. Demonstroni vullnet politik për të luftuar korrupsionin duke mbështetur organet përkatëse me burime të mëtejshme financiare dhe njerëzore dhe duke siguruar udhëzime të qarta të politikave për të gjitha institucionet shtetërore se si të trajtohet korrupsioni në përputhje me rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Këto janë tre rekomandimet e Komisionit Evropian për të cilat vendi duhet të angazhohet gjatë vitit 2021 në luftën kundër korrupsionit, të cilat janë apostrofuar edhe në raportin për përparimin e Maqedonisë drejt BE-së.
Zakonisht këtë vit, si në të gjitha vitet e mëparshme, raporti tregon se problemi i korrupsionit shtrihet në të gjithë sektorët dhe masat duhet të merren kudo për të zvogëluar rrezikun e sjelljes korruptuese, thotë shefja e “Transparency International”- Maqedoni, Slagjana Taseva. Sipas saj, tani ka rekomandime konkrete për të cilat do të duhet të tregohet një rezultat real.
“Së pari strategjia nacional për luftën kundër korrupsionit duhet të miratohet në Parlament. Duhet të presim që zëvendëskryeministri për anti-korrupsion të jetë në gjendje të koordinojë aktivitetet e Qeverisë. Thelbi i këtij problemi qëndron tek ekzekutivi. Korrupsioni është i pranishëm në të gjitha segmentet, duke filluar nga financat publike, prokurimi publik, punësimi dhe gjithçka tjetër që është puna e administratës publike dhe shtetërore. Ka shumë probleme, kompetenca diskriminuese dhe mënyra për të marrë vendime që ndodhin për shkak të një ndikimi ose interesi që absolutisht duhet të tregojë gatishmëri për t’u eliminuar,” thekson Taseva.
Vlerësimi në raport është se Maqedonia e Veriut ka një nivel të caktuar të përgatitjes ose është mesatarisht e përgatitur në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Përparim i mirë është bërë në hetim, dhe ndjekjen penale të çështjeve të nivelit të lartë të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thuhet se është veçanërisht aktiv në parandalimin e korrupsionit dhe ka hapur një numër çështjesh, përfshirë ato që përfshijnë zyrtarë të lartë nga i gjithë spektri politik, në përputhje me rekomandimin e vitit 2019. Profesori universitar Bashkim Selmani vlerëson se esenciale për Maqedoninë e Veriut është se BE në këtë çështje të devijimit metastazik i njohur si “curumpere”, por nuk do të lëshoj pe siç ka qenë deri tash. “Kapitujt 23 dhe 24 ku përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit piramidal të organizuar është vendimtare rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë. Në anën tjetër Maqedonia e Veriut nuk besoj se do të ketë suksese në këtë drejtim pa ndihmën nga BE me resurse njerëzore të specializuar siç vepruan me Bulgarinë dhe Rumaninë”, deklaroi për KOHA, Selmani.
Ndërkohë, hulumtim i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCIC) i botuar në muajin janar të këtij viti thotë se perceptimi i korrupsionit si një problem thelbësor u ngjit një vend më lart se vitin e kaluar, pra në vendin e katërt menjëherë pas papunësisë, paqëndrueshmërisë politike dhe të ardhurave të ulëta si problemet kryesore. Lidhur me perspektivat për të luftuar korrupsionin, përgjigjja më e zakonshme, ose rreth 42 për qind e të anketuarve, është pretendimi se korrupsioni do të jetë gjithmonë i pranishëm në vend, por mund të zvogëlohet deri diku. Rreth 25 për qind e qytetarëve besojnë se korrupsioni mund të zvogëlohet ndjeshëm dhe më pak se 5 për qind janë optimistë dhe besojnë se korrupsioni mund të eliminohet plotësisht. Ndërsa, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se numri i personave të shpallur fajtorë për shpërdorim detyre sillet nga 106 në 2007 në 92 në 2018. (koha.mk)