Konfirmon mjeku kujdestar: Gjendja e 3 vjeçarit që u lëndua nga rrethojat vazhdon të jetë e rëndë

60

Një fëmijë 3 vjeçar sot është lënduar si pasojë e rrëzimit të rrethojave të një objekti të cilat e kanë zënë atë dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Kështu ka konfirmuar edhe mjeku kujdestar në Emergjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dr. Naser Syla.

Syla për lajmi.net ka thënë se po presin që të bëjnë edhe ekzaminimet e radhës për të vendosur lidhur me tretmanin e mëtutjeshëm.

“Gjendja është e njëjtë, e rëndë. Po presim që ta realizojmë edhe një ekzaminim tjetër dhe pastaj të vendosim çfarë tutje lidhur me tretmanin e mëtutjeshëm”, tha Naser Syla për lajmi.net.

Sipas policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 20:40 dhe njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ekzaminimin e rastit.

Pas konsultimit edhe me prokurorin kujdestar, rasti është inicuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe organet e rendit po vazhdojnë me procedurat e mëtutjeshme.

“Me datë 24.02.2021, rreth ores 20:40 Policia në Prishtinë ka pranuar informaten se një femijë i moshes rreth tre (3) vjecar është i lenduar. Njësitet policore menjëher kanë ndermarr veprimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e rastit. Janë bërë ekzaminime në vendin e ngjarjes, përderisa në konsultim me prokurorin kujdestar nën dyshimin e vepres penale inicohet rasti “Shkaktim i rrezikut te pergjithshem” për procedura të mëtejme hetimore. Lidhur me gjendjen shendetsoretë fëmiut mund te ju adresoheni autoriteteve kompetente shëndetsore”, thanë nga policia e Kosovës për lajmi.net.

Lajmi.net do t’iu mbajë të informuar lidhur me këtë rast posa të ketë informacione të tjera nga autoritetet shëndetësore në Emergjencë të QKUK-së.