Në një pilot-studim të Universitetit të Helsinkit, qentë e trajnuar si asistentë diagnostikues mjekësorë janë mësuar që ta identifikojnë erën më përpara të panjohur që është karakteristikë e sëmundjes COVID-19, shkaktuar prej koronavirusit të ri. Dhe ata mësuan me një suksesi mahnitës: Pas vetëm pak javësh, qentë e parë ishin në gjendje që t’i veçonin me saktësi mostrat e urinës nga pacientët me COVID-19 prej mostrave të urinës të individëve të shëndetshëm.
“Kemi përvojë të mjaftueshme në trajnimin e qenve për detektimin e erërave që ndërlidhen me sëmundje. Ishte fantastike të shihej se sa shpejt mund t’i zbulojnë qentë erërat e reja”, ka thënë Anna Hielm-Björkman, udhëheqësja e grupit DogRisk. Pas një kohe të shkurtër, kafshët identifikuan urinën e personave të infektuar nga koronavirusi i ri, i njohur si SARS-CoV-2, pothuajse po aq besueshëm sa edhe një test standard PCR. Shkencëtarët finlandezë janë duke e përgatitur një studim rastësor dhe verifikues, në të cilin qentë do të nuhasin një numër më të madh të mostrave të pacientëve. Vetëm atëherë testet e nuhatjes do të mund të përdoren në praktikën klinike.
Gjetje të rëndësishme për ekipe të tjera
Gjetjet e shpejta dhe premtuese nga Finlanda janë gjithashtu të rëndësishme për ekipe të tjera hulumtuese, si ato në Britaninë e Madhe dhe Francë, të cilat janë duke trajnuar qen për nuhatje, në mënyrë që të zbulohet virusi që e shkakton COVID-19. Studiues të tjerë nga Qendra Gjermane e Ndihmës për Qen (TARSQ) kanë përfituar po ashtu nga rezultatet finlandeze. “Askush nuk mund të na tregojë me siguri të lartë nëse stërvitja për virusin agresiv është e rrezikshme apo jo për njerëzit dhe qentë. Kemi dashur të mbledhim më shumë informacione para se të fillojmë trajnimin, sepse virologët gjermanë na këshilluan kundër tij, në fund të fundit, shumë pak dihet në lidhje me virusin deri më tani”, ka shpjeguar Luca Barrett nga TARSQ.
Prej nga vjen era karakteristike?
Ende nuk është e qartë se cilat substanca në urinë prodhojnë erën karakteristike që e zbulon COVID19. Meqenëse SARS-CoV-2 jo vetëm që sulmon mushkëritë, por dëmton edhe enët e gjakut, veshkat dhe organet e tjera, supozohet se era e urinës së pacientëve po ashtu ndryshon. Kjo është një gjë që qentë, me shqisën e tyre të ndjeshme të nuhatjes, e vërejnë menjëherë.
“Disa sëmundje duket se prodhojnë një erë specifike që qentë e stërvitur mund ta nuhasin me saktësi të mahnitshme”, ka thënë Barrett. “Sipas një studimi, qentë mund të zbulojnë kancerin e gjirit me një probabilitet prej 93 për qind, si dhe kancerin e mushkërive me një probabilitet prej 97 për qind”, ka thënë ajo. Por, qentë po ashtu edhe mund ta identifikojnë kancerin e lëkurës, kancerin e zorrës së trashë, kancerin e vezoreve ose atë të prostatës, me një besueshmëri shumë të lartë, sipas Barrettit. “Shkalla e këtij studimi, e cila nuk ishte aq e mirë në ditët e para të stërvitjes, është rritur jashtëzakonisht në vitet e fundit”, ka thënë ajo.