Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numër të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid-19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë radhazi pa raste të reja. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë. Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.
Raste aktive – Aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Në spital – Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Testimet – Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në Shqipëri është 1076.