Përforcimi i mësimit përmes punës dhe lidhjes së arsimit me komunitetin afarist, miratimi i shkathtësive që i nevojiten tregut të punës me çka do të rritet procesi i punës, si dhe reforma të kompetencave të Qendrës për arsim dhe trajnim profesional (QATP) ishin tema kryesore të projektit trevjeçar rajonal “Shkollat takohen me kompanitë” në të cilin ishin të kyçura Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Projektin e financoi Ministria federale austriake e Arsimit, Shkencës dhe Hulumtimit, ndërsa sot në konferencë përfundimtare u kumtua se janë arritur dy rezultate të përgjithshme – klimë e përmirësuar afariste për bashkëpunim dhe profilizim i personit profesional i cili përmes angazhimit profesional do të kontribuojë për qëndrueshmëri të idesë kryesore të projektit – krijim i kuadrit profesional, adekuat për tregun e punës dhe modernizim dhe zhvillim të arsimit profesional.
Partnerë në projekt ishin Ministria e Arsimit dhe Shkencës, QATP dhe 87 shkolla të mesme profesionale, Në konferencë iu ndanë certifikata koordinuesve të cilët ishin lidhja mes kompanive dhe shkollave.
Ministrja Milla Carovska kumtoi se dialogu social për vendosje të besimit mes sektorit real dhe shkollave për arsim të mesëm profesional MASH-i e filloi në janar të vitit 2021 dhe se me konkursin e marsit arritën të hapin 97 paralele duale dhe të nënshkruajnë marrëveshje me 200 kompani. Me atë rast iu falënderua Odës ekonomike e cila arriti t’i motivojë kompanitë të kyçen në proces dhe në ndërtimin e arsimit bashkëkohor profesional.
“Jo vetëm që hapëm 97 paralele duale në konkursin e 31 marsit, por edhe regjistruam 1400 nxënës në shkollat profesionale, e me atë e rritëm për 6 për qind numrin e nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme profesionale në vendin tonë. Si mbështetje të këtij procesi, MASH-i për herë të parë e harmonizoi politikën e regjistrimit me politikën e bursave dhe u mundësua ndarja e bursave për nxënës të arsimit profesional trevjeçar dhe në paralelet katërvjeçare duale në vlerë prej 3.500 denarëve në muaj. Me atë u sigurua motivim shtesë për shkollat profesionale, ndërkaq motivohen edhe kompanitë me bursa të tyre për nxënësit gjatë trajnimit të fitojnë mbështetje shtesë financiare përkatësisht vendoset praktika e punës dhe shpërblimit për realizimin”, tha Carovska.
Shtoi se mbështetje në proces ka nga ambasadat e Austrisë, Zvicrës dhe Gjermanisë, të cilat e ofrojnë modelin e tyre për arsim profesional, ndërsa tek ne është bërë koncept nacional për arsim dual i cili po implementohet me sukses.
Ambasadori i Austrisë, Georg Vutsas deklaroi se arsimi profesional dhe dual është rrëfim i suksesshëm në vendin e tij dhe se është i lumtur për mundësinë të bashkëpunojnë me Maqedoninë e Veriut në këtë fushë sepse, siç tha, kjo është çështje mjaft e rëndësishme këtu sepse nevojiten trajnime profesionale.
“Arsimi profesional me të vërtetë është diçka që kërkohet në tregun e punës dhe për zhvillim të kompanive. Shpresojmë se së shpejti do ta tejkalojmë pandeminë e cila i goditi seriozisht ekonomitë e vendeve tona, ndërkaq e goditi edhe sistemin arsimor. Atë e shohim si sfidë dhe dëshirojmë të kemi profesione të cilat do t’i përmbushin kërkesat e tregut të punës dhe kjo do ta përforcojë ekonominë. Dëshirojmë ta shohim këtë projekt si krijim të lidhjes mes komunitetit afarist dhe shkollave dhe nxënësve mu përmes koordinuesve të cilët do të punojnë në të. Austria dhe të tjerët nga komuniteti ndërkombëtar jemi këtu për t’ua dhënë ndihmën tonë. Detyrë e institucioneve në vend është implementimi dhe zhvillimi i mëtejshëm në këtë fushë”, theksoi ambasadori austriak.